2018-01-01 00:30:00

Imzot Gjon Nikollë Kazazi, në përvjetorin e lindjes


Mё 1 janar kujtojmё ipeshkvin e madh shqiptar, Imzot Gjon Nikollë Kazazin, nё pёrvjetorin e lindjes. Ai lindi në Gjakovë më 1 janar 1792, ndёrsa ndërroi jetë më 5 gusht të vitit 1752.

Gjon Nikollë Kazazi mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet teologjike i filloi në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit, pastaj i vazhdoi në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe i kreu në Kolegjin Ilirik të Loretos, ku krahas teologjisë studioi edhe filozofi, gramatikë e retorikë. Gjon Nikollë Kazazi i nisi studimet kur ishte i ri, 18 vjeç. Në vitin 1727 mori titullin doktor në filozofi e teologji. Po atë vit u shugurua meshtar. Sapo u kthye, kryeipeshkvi imzot Mikel Suma, e emëroi misionar ne Prizren. Më pas kaloi nga Prizreni në Gjakovë, për shërbim baritor, të cilin e kreu së bashku me dom Anton Teodorin. 

Me që dallohej për zgjuarsi dhe aftësi të veçantë njerëzore, shpirtërore e intelektuale, imzot Suma e emëroi dom Gjonin Vikar të Përgjithshëm. 
Pas largimit të imzot Mikel Sumës nga kryeipeshkvia e Shkupit, ishte Gjon Kazazi ai që e drejtoi atë kryeipeshkvi nga viti 1737. Me propozimin e kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviqit, imzot Kazazi u emërua vizitator apostolik i kryeipeshkvisë së Sofjes dhe ipeshkvisë së Nikopolit, në Bullgari. Me 23 shtator 1743, Papa Benedikti XIV e emëroi imzot Gjon Nikollë Kazazin kryeipeshkëv të Shkupit në moshën 41. Simbolin e ‘Palios’ e mori në Romë, me 16 dhjetor 1743. 

Krahas misioni ungjillëzues e baritor në shërbimit të popullit të Zotit dhe  per përforcimin e Kishës së gjallë të Krishtit, imzot Gjon Kazazi kultivoi me pasion e urti edhe aspektin kulturor, posaçërisht shkrimin në gjuhën shqipe. Këtu kishte si qëllim shkrimin e botimin në gjuhën e popullit të tij, pra shqip, të librave me përmbajtje shpirtërore, pra biblike, si katekizmi, doracakët uratësh, librat liturgjike po edhe gjurmimin e rrënjëve të lashta të kombit të tij shqiptar. Kështu, gjatë qëndrimi të tij në Romë, në vitin 1743, imzot Gjon Nikollë Kazazi zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të Vatikanit, të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. 

Po atë vit, 1743, imzot Kazazi botoi edhe katekizmin e tij "Doctrina E kërshten" - "Breve Compendio della Dottrina Cristiana tradotta in lingua Albanese per l'utilità, e istruzione dei Fanciulli di quella Nazione. Da un Nazionale del Regno di Servia Alunno della S. Congregazione" shtypur ne Romë nga "Stamperia della S. Congregatione de Propaganda Fide" . 

Kryeipeshkvi Gjon Kazazi shkoi disa herë në Romë për vizitë "ad Limina Apostolorum" tek Papa e dikasteret e Selisë së Shenjtë në Vatikan. Prandaj janë me vlerë të madhe kishtare e historike edhe relacionet që imzot Kazazi solli apo dërgoi në Vatikan më 1743, 1744 e gjatë viteve tjera, në cilat paraqet e informon Papën e Selinë e Shenjtë mbi situatën tejet të rëndës të të krishterëve në trevat shqiptare e në Vende tjera si në Bullgari, Serbi nën sundimin e perandorisë osmane. Pranë Varreve të Apostujve u gjunjëzua për herë të fundit në vitin 1750, sepse kryeipeshkvi i Shkupit vdiq me 5 gusht te vitit 1752, duke lënë gjurmë të pashlyera në historinë e Kishës shqiptare, si bari dhe edukator i klerit e i popullit, në historinë e albanologjisë, si zbulues i parë i librit më të vjetër të shtypur në gjuhën shqipe, që njihet deri me sot.

Nga katekizmi i imzot Gjon Kazazit
Lutjet e Mëngjesit

Po të falem o Zot i vërtetë,
e po të bindem, 
e po të due me gjith zembër.
Po të falem nderës se më ke kriuom 
e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë 
prej ndonji mortje së pakujtueshme. 
Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija
e po të lutem të më ruojsh
sod e për gjithë herë prej gjith fajesh
e mpkatesh....
 

'Doctrina E kërshten' e Imzot Gjon Nikollë Kazazit.
Ja diçka nga pjesa e parë e veprës së imzot Nikollë Kazazit:
E nevoishme gjithëtësillit Kërshten përtë shëlbuom
Kush të kaa krijuem, evum mbë këtë jett?








All the contents on this site are copyrighted ©.