Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Shën Marisë Nënës së Zotit

Maria Santissima Madre di Dio icona - RV

31/12/2017 17:50

Më 1 janar fillojmë një Vit të Ri pranë Marisë, Nënës së Zotit. Është festa liturgjike më e lashtë e nderimit të saj. Ajo, që na ka dhuruar Jezusin, na nxjerrtë prej Tij dhuratën e bekimit e të shëndetit, e na nxjerrtë dhuratën e Krishtlindjes që është paqja. Më 1 janar bie edhe Dita Botërore e Paqes.

Në ditën e parë të vitit të ri me përzemërsi shkëmbejmë me njëri-tjetrin urimet e mbarësisë e të prosperitetit: ato na vijnë para se gjithash nga Bekimi i Aronit që i kërkon Hyjit të na mbrojë e të bëjë të shkëlqejë fytyra e vet në ne.

E Zoti e dëgjoi këtë lutje përmes Birit të vet të mishëruar. Maria, iu bindë vullnetit të Atit Qiellor, e qiti në dritë personin e Fjalës e për këtë mund ta lusim me plotë të drejtë me titullin e lartë e të madhërishëm (fisnik) të “Nënës së Zotit”.

Amësia e saj e ka karakterizuar e shënjuar thellësisht ekzistencën e saj, e cila jetoi krejtësisht në lidhje me të Birin, Jezu Krishtin, në gëzime e po ashtu edhe në dhimbje; Maria ka ruajtur çdo fjalë e gjest të Jezusit, duke medituar e ruajtur gjithçka në zemër të saj, e pastaj e ka ndjekur deri në gjestin e flijimit të tij suprem në mundime e në vdekje mbi kryq. Në Marinë ne shohim pra imazhin e Kishës e të sjelljes që duhet të ketë çdo dishepull i Jezu Krishtit, për të bashkë-ndarë të njëjtin lavd në ringjallje, shenjë, shembull e parashijim i së cilës është vetë Maria.

Maria e ka jetuar gjithmonë amësinë e vet në fe, duke qenë përherë e vëmendshme ndaj shenjave të Zotit. Edhe emri i Jezusit (=Hyji shpëton) është shenjë e misionit të tij shpëtimprurës për gjithë.

            Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi parë (Nr 6,22-27)

Lexim prej Librit të Numrave

Zoti foli me Moisiun e tha: “Thuaju Aronit dhe bijve të tij: Kështu bekoni bijtë e Izraelit e thuani: Zoti të bekoftë e të ruajt! Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet, e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhashtë paqen! Kështu ata le ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit e unë do t’i bekoj.” Fjala e Zotit!

 

Psalmi 67

Ref: Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet

————————————————————

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,

bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij,

në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

————————————————————-

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,

sepse popujt i gjykon me drejtësi,

sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

————————————————————–

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,

mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Na bekoftë Hyji!

Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

————————————————————-

Leximi dytë (Gal 4,4-7)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e ligjit, që na ta fitonim bijësinë në shpirt. E, prejse vërtet jeni bij, Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë! Këndej, më nuk je skllav, por bir; e, mbasi je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar. Fjala e Zotit!

Ungjilli Lk 2,16-21

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Atëherë barinjtë shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin, e foshnjën të vënë në grazhd. Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për foshnjën. Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet. Barinjtë mandej u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli. Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, sikurse e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor të s’ëmës. Fjala e Zotit!

31/12/2017 17:50