2017-12-31 18:07:00

Gëzuar Vitin e Ri! Nё çdo kohë, me Ty, o Zot!


Gëzuar Vitin e Ri! Nё çdo kohë, me Ty, o Zot! Gëzuar Vitin e Ri, të dashur shqiptarë e miq të Vatican News e tё Radio Vatikanit, kudo që ndodheni, le të ecim së bashku me Zotin e Mëshirshëm e, kështu ky Vit, të jetë i mbarë dhe i lumtur.

Fillojmë pra, një Vit të Ri e, na merr për dore shpresa e krishterë në Dashurinë dhe Mëshirën e pakufishme të Zotit; e fillojmë Vitin e Ri duke iu lutur Zotit të na japë bekimin hyjnor e duke kërkuar, me ndërmjetësi të Virgjrës Mari, Nënës së Zotit, dhuratën e paqes e të pajtimit: për familjet tona, për  fshatrat e qytetet tona, për vendlindjen dhe për botën mbarë .

Të ecin pikërisht në rrugën e dashurisë së zemrës, që është dija e atyre, të cilët nuk lodhën kurrë s’e kërkuari fytyrën e Mëshirshme të Zotit. Mund të jemi të sigurt: në se nuk lodhemi s’e kërkuari mëshirën e Tij Hyjnore, në se nuk i nënshtrohemi tundimit të humbjes së besimit e të dyshimit, në se përmes vështirësive të panumërta, mbetemi gjithnjë të lidhur ngushtë me Të, Zotin e jetës e Mësuesin e udhës së vëllazërimit, do të provojmë patjetër bukurinë e pushtetin, te dashurisë së Tij dhe të përdëllimit të Tij Hyjnor.  

Jezu Krishti, Foshnja Hyjnore e njomë e Betlehemit që Virgjëra Mari ia dëfton botës sot, në ditën a parë të Vitit të ri, na bën veprimtarë të dashurisë e të paqes, dëshmitarë të Tij, Princit të Paqes. Amen!

 

Me Ty, o Zot, do të ecim çdo ditë

Viti Ri që fillojmё është dhuratë:

Kohë e dhuruar nga Zoti

secilit njeri, për ta mbushur me vepra të mira jetën tonë,

kohë e dhuruar prej Zotit,

për ndërtimin e shoqërisë e të kulturës së dashurisë e të paqes,

të mirëkuptimit e të vëllazërimit.

 

Në çdo kohë, o Zot,

burra e gra të çdo rrace e vendi

kanë përshkuar

rrugët me plotë vështirësi

vetëm e vetëm për Të takuar Ty.

 

E Ti, o Zot,

i ke ndriçuar me Dritën Tënde Hyjnore,

i ke mësuar të shikojnë dhe të ecin përpara,

i ke mësuar t’i zbulojnë thesaret e Jetës dhe të njohin Fytyrën Tënde të Dashur.

 

Në çdo kohë, o Zot,

burra e gra,

besimtarë e ata që nuk besojnë,

janë takuar në emër Tënd

për të mbjell paqen anë e mbanë tokës.

 

E Ti, o Zot,

ke vënë një shenjë në rrugën e tyre:

Ungjillin – Fjalën e Jetës,

Sihariqin – Lajmin e mirë

të dhuruar atij që don të kuptojë,

atij që don ta duaj e të sajoj

një tokë të lumtur.








All the contents on this site are copyrighted ©.