Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

Atë GjergjFishta, në vjetorin e kthimit tek Ati qiellor.

Atë GjergjFishta - RV

30/12/2017 11:56

Atë GjergjFishta, në vjetorin e kthimit tek Ati qiellor. Kanë kaluar shumё vjet nga dita e kalimit të Atë Gjergj Fishtës në shtëpinë e Atit Qiellor, nga dita e 30 dhjetori i vitit 1940 që e mbyti në lot gjithë Shqipërinë. Gjithë vendi gjëmonte, në sa i jepte lamtumirën e fundit fratit e poetit të vet Kombëtar! 

Por personalitete si Gjergj Fishta nuk janë për t’u vajtuar. I përkasin asaj race njerëzish, që njeh vetëm një datë: atë të lindjes. Per poetin kombëtar e françeskanin e jashtëzakonshëm, françeskanët në Shqipëri ia kanë ribotuar pothuajse plotësisht veprën. Kanë ribotuar edhe monografinë Atë Gjergj Fishta “Jeta dhe Vepra” të Atë Daniel Gjeçajt; përmbledhjen me shkrime, që pasqyrojnë pikërisht ngjarjen e vdekjes, nën kujdesin e Atë Benedikt Dema. E dhuratë në përvjetorin e ditëlindjes së Poetit për qiell, ështe edhe një vepër tjetër e Atë Benedikt Demës: “Fjalori i mitologjisë dhe i emrave të përveçëm në Lahutën e Malcís”.

Si françeskanët, edhe opinioni publik shqiptar gjatë këtyre mese 20 vjetëve pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri, i kushtoi vëmendje të veçantë Atë Gjergj Fishtës, sikur të ishte ende gjallë e të vijonte krijimin e veprave të reja. E kjo dëshmon se shkrimet e tij jo vetëm që nuk vjetrohen kurrë, por rinohen në rrjedhë kohe. Mbeten gjithnjë të reja, aktuale, sepse vijojnë t’ i këndojnë me një art të pashembullt pikërisht shpirtit të Kombit Shqiptar. Aktuale edhe vargjet monumentale të Poetit Kombëtar, drejtuar Zanës së tij:
“Veçse po, moj bjeshkatare
Krah m’krah bashkë na tue këndue,
Ndertue kem’ ‘i pomendare,
Rr’fe as mot mos m’e dermue!”.
 

Është Vepra që na la trashëgim, përmendorja e vërtetë e Atë Gjergj Fishtës, ndonëse e ka edhe një tjetër, moderne, në mermer, në qendër të Shkodrës.
Vepra fishtjane tashmë është bërë shkollë kombëtare e vatër kulture, është kthyer në armë lufte e fitoreje, në mjet mbrojtës e shpartallues kundër cenuesve të idealit të shenjtë fetaro-kombëtar. Ajo sot na paraqitet porsi një kuadër klasik i një piktori në zë, ku lëvizja e penelit dhe talenti i artistit luftojnë krah për krah për të shprehur sa më gjallë e më saktë, jo një vizion, jo një pamje, por një periudhë, një shekull, një botë.

E në sa botohen vepra e shkrime, që nuk shterojnë, sepse vepra e Poetit Kombëtar është si një damar floriri, që shtrihet deri në zemrën e Tokës shqiptare, qeveria duket se nuk ka kohë të merret me më të madhin Kangatar të vendit, mbi të cilën sundon. E tregon fakti se nga Fishta i madh na kanë arritur pak e aspak relikte. Vdekja e tij na rikujton sot Shkodrën, ku kaloi pjesën më të mirë të jetës e ku krijoi disa nga kryeveprat. E stuhitë që shfrynë mbi qytetin verior, duke përlarë, pa shpresë kthimi, kujtime me vlerë të paçmuar për historinë kombëtare.

Ku treten eshtrat e Atë Gjergj Fishtës, varri i rihapur i të cilit riktheu vetëm një grumbull të vogël kockash, harruar nga nxitimi e tmerri, në natën makabre të zhvarrimit? Ku shkoi, sidomos, studioja e Fishtës? Ku përfunduan orenditë e saj, shkritorja, rafti i bibliotekës, librat, dorëshkrimet, pikturat? Ku ndodhen sot penda e rruzarja e Atë Gjergjit? Zhguni e konopi i veshjes rregulltare françeskane? Kryqi, medalja e tij kryesore, dhanti e Zotit e medalje tjera, dhanti të njerëzve të pushtetshëm nga të katër anët? Ku është kurora me dafina të argjendta, me të cilën e kurorëzoi qyteti i tij? Shkodra, që ndërron përditë fizionomi, duke i bjerrë përorë stolitë e veta?

Si humbi personalitetet më të spikatura, tani humb shtëpitë muze të Pashko Vasë Shkodranit, të Luigj Gurakuqit, të Migjenit... E humb edhe lagjet e veta karakteristike, që zëvendësohen me kulla të shëmtuara, pa kujtesë. Ndërsa ‘pedonalja’ siç quhet sot “Fusha e çelës”, sikur Shkodra ta kishte harruar gjuhën e vet, është shndërruar në tavernë për bjerraditësit, a sallahanat... Që Fishta na i përshkruan kështu: “Gjindja janë ndejë hijeve, pa punë, tuej pritë me gojë hapët, si zogj pllumbash, pale çka po na bjen nana, vida Europë:.. Për Shqipni s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare” (Hylli i Dritës, I, 1913, fq 25).
E ndërmjet gjërave që humbën e humbasin, është edhe shtëpia fshatare në Troshan, që pa të lindte Zef Ndokën, i cili, ashtu si rosaku i shëmtuar i Andersenit, do të shndërrohej në Gjergj Fishtë në duart e mësuesit të vet, Atë Leonard de Martino, frat edhe ai. 

Lajmin, me titullin “Drejt rrenimit shtëpia ku u rrit Gjergj Fishta”, e dha këto ditë (01. 12. 2010) Gilmana Bushati, në faqet e Gazetës shqiptare, me komentin: “Ky është një nga shembujt, që tregon se ne, si Komb, por edhe si shtet, nuk dimë ta respektojmë e ta nderojmë historinë tonë”.
Shtëpia dykatëshe, në shembje e sipër, ndodhet në Fishtën e Poshtme. Rrallë kush shkon ta vizitojë, sepse nuk ka kurrfarë shenje, që t’ia kujtojë. Veç një Kryqi të madh prej hekuri, tek këmbët e të cili është shkruar “Këtu ka lindur Frati i madh, Atë Gjergj Fishta”. E kanë vendosur familjarët e tij, që të mbetet aty, edhe në se rrënohet shtëpia. Ashtu si po rrënohet një shtëpi tjetër. Qela e Ndre Mjedës, në Kukel. Qeveria s’ka kohë të merret me gërmadha të lumnueshme, sepse është e zënë me punë të tjera, me numërime votash, me demonstrata... E ndjek, prandaj, me indiferencë të plotë rrënimin e madh e, ndoshta ndoshta, edhe të planifikuar, të traditës Veriore: Ndryshe, si ta shpjegojmë gjithë këtë tragjedi?

Shkruan Fishta:“Një shtet i rí në të ziem, si ai i Shqipnisë më ketë periudhë, ka nevojë për të mirën e përbashkët e jo për kulltuqe. Ky shtet dhe këto auktoritete - pohon - kanë kenë andërra e idealit të gjithë jetës sonë” (HD. IX, 1923. 395). E në shkrimin "Hominem non habeo" (HD. IX, 1923, 386-400) - "Nuk kam njeri" - penda mësimdhënëse e të Fishtjanit vërteton me fakte në dorë se Atdheu ynë, deri në kohën e këtij shkrimi, s'pat, mjerisht, një njerí që " me i dhanë Shqipënisë përparim moral e material; përsè termometri i aftësisë së njerzëve, qi kanë auktoritetin në dorë, âsht tryeza (sofra) e katundarit dhe e bakallit - gjendja ekonomike e popullit qi lán e kján. Po kje se buka i âsht shtue popullit - e me bukë autori këtu nënkupton mbarë nivelin ekonomik ose mirëqenien e gjithanshme të nënshtetasve, pa dallim klase a shtrese - don me thanë se Shqipënija ka njerí, se sunduesat e sajë kanë dijtë me kqyrë interesat e vërteta të saja" …

Për t'ia mërrijtë këtij qellimit, Fishta thrret në ndihmë “mësimdhânësat ndër shkolla, nëpunësat ndër zyre, intelektualët e, mbi të gjithë, njerëzit e pendës ndër fletore e të përkohshme, ndër libra e shkrime të tjera”: "Nepër armë kemi pështue ekzistencën tonë, nepër pendë do t'ia sjellim të mbarën e të mirën Atdheut" - pohon solemnisht. Cilësitë e para të kulturës i gjen Atë Gjergji në psihen e Shqiptarit. E njëmend: "Për kulturë duhet: mendja e shquet, vullnesa e fortë e zemra bujare. Të trija këto cilsí Shqipëtari i ka (ibidem)". Nevojitet, prandaj, të lavrohen me kujdes dhe ë drejtohen me urtí.

Prandaj themelon ‘Hyllin”, duke premtuar: “porsi Hylli i Dritës me fërfllim t'ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjáll shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë" (H.D. I. 1913, 4-8). Këtij qellimi shkrimtarit… "i levduem a i poshtnuem, i nderuem a i harruem… nuk do t'i bâjë zemra me iu largue kurr" (shih: "Shkrimtarët tanë" në HD, I, 1914, 265). 1.c.). 

Poeti Kombëtar ende sot shikon si i shembet shtëpia atërore e vijon shtegtimin e tij poetik "… Prej brigjeve gjimuese të Euksinit e më borë të amshueme t'Alpeve Julie, prej bigave bumbulluese t'Akrokerauneve e në karma të thepisuna të Karpatevet, endè të rîme me gjak nierit, (ku) n'ato kavaljetet e kalueme, të vjetra, banonte ajo familja e madhe Thrako-ilire, në nám e në zâ në historí të fisevet e të kombevet…(Shqipëtarët e të drejtat e tyne, 1920, Shtypshkroja Françeskane, Shkodër), duke kërkuar një vend, ku mund të ngrejë një shtëpi, a një dhomëz-muze, për t’i mbledhur kujtimet e jetës së tij mbi tokë, të shpërndara Zoti e di se ku!

30/12/2017 11:56