Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

2017-ta e Françeskut: nga takimet në Vatikan, tek Te Deum i fundvitit

Papa bekon Romën e Botën - REUTERS

30/12/2017 12:38

Në përfundim të vitit 2017, një sintezë e veprimtarive dhe porosive kryesore të Papës Françesku, në shtegtim të vazhdueshëm ndërmjet njerëzve. Kryesisht në periferitë e shpirtit e të botës, ndërmjet atyre, që nuk kanë zë, si refugjatët Rohingya. Duke u kërkuar falje “Në emër të të gjithë atyre, që i shfrytëzojnë, që i persekutojnë, atyre që u bëjnë keq!”.

4-1    Audiencë me të dëmtuarit nga tërmeti Umbria-Lazio-Marche.7 mijë vetë e mbushin plot Sallën e Palit VI e Françesku, ndërmjet tjerash, u thotë: “Rindërtoni, e për të rindërtuar duhen zemër e duar, duart tona, duart e të gjithëve. Ato duar, me të cilat ne themi se Zoti e bëri botën si mjeshtër, duar që shërojnë”. 

9-1   Urimet Trupit Diplomatik

Ndërmjet temave kryesore, ajo e terrorizmit e Papa ripohoi: “Jo, marrëzisë vrasëse të terrorizmit, që shpërdoron emrin e Zotit”.

15-1    Vizitë në famullinë Setteville di Guidonia 

Kjo vizitë në famulli  është e para pas Jubileut. Françesku nënvizon vlerën e dëshmisë dhe pohon, ndërmjet tjerash: “Dëshironi një famulli të përkryer? Fund thashethemeve! Nëse ti ke ndonjë ankim kundër ndokujt, shko e thuaja në sy, ose thuaja famullitarit; por jo përgojime ndërmjet jush. Kjo është shenja që tregon se Shpirti Shenjt është në një famulli”.

18-1   Audienca me rastin e Javës për bashkimin e të krishterëve 

Në audiencën e përgjithshme, Papa, gjatë përshëndetjeve drejtuar gjermanëve, duke kujtuar 500-vjetorin e Reformës luterane në Lund, theksoi: “Në frymën e këtij përkujtimi të përbashkët të Reformës, ne shikojmë më shumë atë, që na bashkon, sesa atë, që na ndan, e vijojmë krah për krah rrugën, për të thelluar bashkimin tonë e për t’i dhënë formë gjithnjë më të dukshme”.

19-1    Audienca e delegacionit ekumenik të Finlandës

Francesku kujtoi përsëri kremtimet në Suedi e në Lund e pohoi: “Qëllimi i Martin Luterit, pesëqind vjet më parë, ishte ta përtërinte Kishën, jo ta përçante. Ky takim na dha guxim e forcë të shkojmë përpara, në Zotin tonë Jezu Krishtin, në udhën ekumenike, që jemi të thirrur ta  bëjmë së bashku!”.

17-2    Vizita në Universitetin Roma Tre                  

Vizita e parë e Françeskut në një universitet laik. Papa nënvizoi se universiteti duhet të jetë vend i ”dialogut në larmi”.

26-2    Vizita në Kishën anglikane të Romës

Ishte vizita e parë e një Pape në bashkësinë anglikane të Romës. Françesku ftoi për ta dëshmuar së bashku Ungjillin e dashurisë e shtoi: “Duhet kërkuar dialogu teologjik, për të kërkuar edhe rrënjët, mbi sakramentet, mbi shumë gjëra, për të cilat nuk jemi marrë vesh ende.  Por kjo nuk mund të bëhet në laborator: duhet bërë duke ecur, gjatë udhës”.   

12-3    Vizita në famullinë e Shën Madalenës nga Kanosa

Françesku flet me simpati për fëmijët e, ndërmjet tjerash, për të shpjeguar rëndësinë e dëgjimit, ia kundërvë dëgjimin e tepruar të celularit, komunikimit të vërtetë, duke vërejtur: “Nuk është dialog: unë them një gjë, ti një tjetër, e gjithçka virtuale. Duhet të dialogojmë konkretisht, e këtë jua them ju, të rinj. E si duhet nisur dialogu? Me vesh. Duke i zhbllokuar veshët. Duhen hapur mirë, për të dëgjuar ç’ ndodh rreth teje”.

24-3   Takimi me liderët e Evropës, për 60-vjetorin e Traktateve evropiane

Françesku i nxit të investojnë në jetë, në familje, në të rinjtë, për t’i ridhënë shpresë Evropës të së ardhmes. 

25-3 Vizita në Milano

Papa e nisi vizitën nga lagjeja periferike e  Case Bianche e, duke marrë si dhuratë një figure të restauruar të  Zojës së dashur për milanezët, vërejti: “U restaurua, si Kisha, që ka gjithnjë nevojë të restaurohet”.

2-4    Vizita në Carpi

Duke përfunduar, në  Mirandola, vizitën ndër  zonat e dëmtuara nga tërmeti i 2012-tës, Papa theksoi: “Do të mbeten gjithë jetën blanat e, duke i shikuar këto blana, ju duhet të keni guximin të rriteni e t’i rrisni fëmijët tuaj me atë dinjitet, me atë shpirt shprese, me atë guxim, që ju e patët në çastin e plagëve”.

14-4   Udha e Kryqit në Koloseum

Në përfundim, Françesku kërkoi falje për mbrapshtitë, që rëndojnë mbi njerëzimin e sotëm: “Për të gjitha figurat e shkretimit, të rrënimit, të fundosjes së njerëzve ndër ujëra, që janë bërë të zakonshme në jetën tonë (…), për gjakun e pafajshëm, që derdhet ditë për ditë, gjak grash, fëmijësh, emigrantësh e njerëzish, të cilët vijojnë të persekutohen…”.

16-4    Mesha e Pashkëve – 90 vjetori i Papës së nderit Benedikti XVI  

Papa u ndal tek kultura e hedhurinës, të cilën e krahasoi me Ringjalljen, duke theksuar: “Është misteri i gurit të flakur, që bëhet themel i jetës sonë”.

28/29-4  Shtegtimi në Egjipt

Në Meshën përfundimtare në Kajro, Françesku pohoi: “I vetmi ekstremizëm,  që duhet pranuar nga besimtarët, është ai i dashurisë së krishterë”.

4-5    Papa në plenaren e parë të SPC

Në audiencë: “Reformë nuk do të thotë t’u japësh pakëz sherbet të bardhë gjërave, por t’i organizosh në një mënyrë tjetër” .

12/13-5 Shtegtimi në Fatima

Papa shpalli shenjtorë barinjtë e vegjël Giaçinta e Françesku. E kemi një Nënë në qiell, kujtoi, duke shtuar: “Nuk mund të mos vija këtu për të nderuar Virgjërën Nënë e për t’ia besuar asaj bijtë e bijat. Nën mantelin e saj nuk do të humbasin; nga krahët e saj do të vijë shpresa e paqja, për të cilën kanë nevojë e për të cilën po lutem (…) posaçërisht për të sëmurët e të gjymtuarit, të burgosurit e të papunët, të varfërit e të braktisurit”.

27-5  Vizita në Gjenovë

Papa e nisi vizitën nga stabilimenti i Ilva-s, duke pohuar, ndërmjet tjerash: “Bota e punës është parësore për njeriun. E është edhe përparësi e  krishterë, përparësia jonë; përparësi e Papës”.

3-6   Mbrëmësorja e Rrëshajëve me karizmatikët në Cirkun Massimo

Françesku i nxiti anëtarët e Lëvizjes karizmatike katolike ta ndajnë me të gjithë në Kishë Pagëzimin në Shpirtin Shenjt, ta lavdërojnë Zotin pa pushim, të ecin së bashku me të krishterët e Kishave të ndryshme në lutje, në veprimtari e në ndihmë të më nevojtarëve, t’u shërbejnë të varfërve e të sëmurëve”.

10-6   Vizita në Quirinale

Papa i pestë, që shkon për vizitë në selinë aktuale  të kreut të Shtetit italian, Françesku ftoi “për aleancë sinergjish e nismash, për të lindur e për të shoqëruar procese, që krijojnë mundësi të reja pune dinjitoze”

15-6  Papa emëron tre ipeshkvij të rinj, për tri dioqeza shqiptare

Papa Françesku emëroi ipeshkvij tre priftërinj, 2 shqiptarë dhe 1 italian, në shërbim të tri dioqezave të rëndësishme shqiptare. Përkatësisht, dioqeza e Rrëshenit, e Sapës dhe ajo e Administraturës së Shqipërisë së Jugut.

20-6  Vizita Bozzolo-Barbiana

Papa u lut pranë varreve të don Primo Mazzolarit e don Lorenzo Milanit duke e quajtur veten “shtegtar në gjurmët e dy famullitarëve, që lanë pas një vazhdë të ndritshme, ndonëse shqetësuese, gjatë shërbimit të tyre ndaj Zotit e popullit të Tij”.

28-6   Koncistori – 5 kardinaj nga Mali, Laosi, e Suedia

Gjatë kremtimit, Papa i ftoi ta shikojnë realitetin e Kryqit në një botë, ku të pafajshmit vuajnë e vdesin për shkak të luftërave e të terrorizmit; ku ka skllavëri, që vijojnë ta mohojnë dinjitetin edhe në epokën e të drejtave të njeriut. Botë, ku realiteti është ai i kampeve të refugjatëve, që shpesh i ngjasin më shumë ferrit, sesa purgatorit; realiteti i flakjes sistematike të çdo gjëje, që nuk shërben më, duke përfshirë edhe njerëzit”.

6/11-9  Shtegtimi në Kolumbi

Gjatë Meshës në Kartagjenë, Françesku dënoi me forcë trafikun e drogës  dhe përsëriti thirrjen, e cila ishte edhe motoja e shtegtimit, “që të bëhet me urgjencë hapi i parë për pajtimin kombëtar e në favor të së mirës së përbashkët, të barazisë, drejtësisë, respektit për natyrën njerëzore e për nevojat e saj”.

24-9  E Premtja e Mëshirës, vizitë në Fondacionin Shën Luçia

Kjo, që vizitoi Papa, është qendër e zgjedhur romake, e specializuar në neuro-rehabilitimin e të sëmurëve me gjymtime, që shkaktojnë vështirësi në lëvizje. Françesku i bekoi ambientet dhe të sëmurët e u ndalua posaçërisht në repartet, ku ishin të shtruar  fëmijë e të rinj me moshë 15 deri në 25 vjeç.

1-10  Vizitë në Cesena

Il Papa dënoi ashpër korrupsionin, duke e quajtur tenjë e jetës politike, e shtoi: “Politikani i mirë është gjithnjë martir i shërbimit, sepse lë idetë e veta, por pa i braktisur kurrë e, duke i vënë në diskutim me të gjithë, kërkon përherë të mirën e përbashkët”. 

10-10  Përkujtim i 25 vjetorit të Katekizmit të Kishës Katolike

Me jehonë të madhe mediatike, fjalët e Papës për dënimin me vdekje: “ Duhet pohuar me forcë se dënimi me vdekje është masë çnjerëzore që, sido të  realizohet, e poshtëron dinjitetin vetjak”.

16-10   Vizita në Fao, selia e Romës

Në Fjalën e tij Françesku mbrojti “të drejtën e çdo qeniejeje njerëzore për t’u ushqyer sipas nevojave e, ndërmjet tjerash, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të angazhohet për çarmatimin gradual e sistematik si dhe për të luftuar kundër çdo gjëje, që shkakton “ndryshime klimaterike”.

26-10   Lidhje me rrugë sateliti me stacionin spacial ndërkombëtar  

Papa foli për 25 minuta me Paolo Nespolin dhe astronautët e tjerë të ekuipazhit, duke u bërë pyetje e duke e quajtur stacionin “Pallat të vogël qelqi” dhe “shembull bashkëpunimi ndërkombëtar”, në të cilin “e tëra është më e madhe se shuma e pjesëve”.

2-11   Mesha në varrezën e Nettunos dhe vizita në Fosse Ardeatine

Françesku u lut dhe vuri trëndafilë të bardhë mbi disa varre të 335  viktimave, ushtarakë e civilë, masakruar më 24 mars 1944. Në vizitë ishte i pranishëm edhe kryerabini i Romës, Di Segni. Papa i priu një lutjeje drejtuar “Zotit të Abrahamit, të Isakut, Zotit të Jakobit, Zotit të Jezusit, Zotit të të gjallëve, duke pohuar se për Zotin, “askush nuk është i panjohur”.

8-11  Cikël katekizmi kushtuar Eukaristisë

Në audiencën e përgjithshme Papa nisi një cikël të ri  katekizmi, për ta kuptuar më mirë bukurinë e Eukaristisë. Ftoi për t’i mësuar fëmijët ta bëjnë mirë shenjën e kryqit, ndërsa për Meshën tha: “Nuk është shfaqje”. “Shqetësohem shumë kur kremtoj këtu, në Shesh a në Bazilikë e shikoj  celularë të ngritur lart, e jo vetëm nga besimtarët, por edhe nga disa priftërinj, e madje edhe ipeshkvij”.

10-11 Audienca me pjesëmarrësit në Simpoziumin për çarmatimin bërthamor

Duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në Simpozium, Françesku dënoi  vendosmërisht  armët bërthamore,  kërcënimin që vjen nga përdorimi i tyre si dhe garën për prodhimin, pikërisht sepse ekzistenca e këtyre armëve ushqen logjikën e frikës, që nuk ka të bëjë vetëm me palët në konflikt, por me të gjithë gjininë njerëzore.

26-11/2-12  Shtegtimi në Myanmar e Bangladesh

Në etapën birmane, Françesku takoi, ndërmjet tjerësh, Çmimin Nobel për Paqen, Aung San Suu Kyi e pohoi se “ndryshimet fetare nuk duhet të jenë burim pëçarjeje e mosbesimi”. Në Bangladesh pati jehonë ndërkombëtare përqafimi i Papës me një delegacion refugjatësh Rohingya. “Në emër të të gjithë atyre, që ju persekutojnë, atyre që ju bëjnë keq, ju kërkoj falje!”- u tha Papa.

17-12  Dispanseria Shën Marta

Fëmijët, mysafirë të Dispanserisë  festuan ditëlindjen e Papës, në Sallën Pali VI. Françesku pohoi: “Gëzimi i fëmijëve është thesar, duhet të bëjmë ç’është e mundur që të vijojnë të jenë plot gëzim, sepse gëzimi është si tokë e mirë, jep fryte”.

21-12   Kuria Romake

Në një  fjalim të gjatë, Papa ftoi të kapërcehet logjika e çekuilibruar e komploteve ose e rretheve të vogla, duke përfshirë edhe kancerin që çon në vetëvlerësim. E, pasi dënoi “tradhtarët e besimit”, foli gjatë për fushat e ndryshme, në të cilat shërben diplomacia vatikanase.

25-12  Krishtlindje, Bekimi Urbi et Orbi

Nga Lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, Françesku u lut për situatat e krizës së njerëzimit dhe theksoi: “Të angazhohemi për ta bërë botën tonë më njerëzore e më të denjë për fëmijët e sotëm e të nesërm”.

31-12 Te Deum

30/12/2017 12:38