Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa: teologjia bëhet “në gjunjë” , me nuhatjen e fesë

Papa Françesku - REUTERS

29/12/2017 14:49

Në një epokë, në të cilën gjarpërojnë vizione të shtrembëra të zemrës së vetë Ungjillit, është e domosdoshme një punë e madhe teologjike – u tha Françesku anëtarëve të Shoqatës teologjike italiane, duke i pritur sot në Sallën Klementine, në Vatikan.

Teologjia sot duhet bërë “në atmosferën e mahnitjes” që na sjell takimi me Krishtin, “në gjunjë” e “në Kishë, në gjirin e popullit shenjt të Zotit”, që ka “nuhatjen e  fesë”. Këtë e nënvizoi Papa në Sallën Klementine, duke pritur në audiencë Shoqatën Teologjike italiane, me 330 anëtarë teologë, që sivjet mbushi një gjysëm shekulli jetë, pas themelimit të saj në vazhdën e Koncilit II të Vatikanit.

Sensus fidei

Duke folur lirisht, Papa kujtoi rrëfimin e një plakë portugeze: “Ishte tepër besimtare. Unë i bëra ndonjë pyetje, e ajo m’u përgjigj mirë. Së fundi mendova ta pyesja: “Pa më thoni, zonjë, a keni studiuar në Gregoriana?”. Ishte pikërisht grua e thjeshtë, e thjeshtë, po kishte nuhatje, kishte sensus  fidei, atë, që në fe nuk mund të gabojë. E thotë Koncili II i Vatikanit, këtë. Për të qenë besimtarë të vërtetë - shtoi Papa - nuk është e nevojshme të kesh kryer kurse akademike teologjie. Mjafton të kesh sytë e fesë në ballë. E kjo fe jeton në popullin shenjt të Zotit, që çdo teolog duhet ta dëgjojë e të kridhet në të, pa harruar se puna teologjike është e domosdoshme. Françesku kërkoi që teologjia t’i ndihmojë gjithë të krishterët për ta kumtuar e për ta treguar fytyrën shëlbuese të Zotit, Zotit të mëshirshëm, sidomos përballë sfidave të padëgjuara, që duhet të përballojë njeriu, si kriza ekologjike, zhvillimi i neuroshkencave ose i teknikave, që mund ta modifikojnë njeriun, i pabarazive gjithnjë më të mëdha shoqërore, emigrimit të popujve të tërë, si dhe relativizmit teorik, por edhe praktik.

Teologji e bërë së bashku, sipas Koncilit

E jemi edhe para kërkesës për komunikimin e fesë, që të duket gjithnjë e gjithkund se ajo jo vetëm nuk e gjymton çka është njerëzore, por paraqitet gjithnjë si thirrje për lirinë e njeriut – kujtoi në përfundim Papa.

29/12/2017 14:49