2017-12-29 13:57:00

Më 29 dhjetor kalendari kujton shën Tomën Becket, ipeshkëv e martir.


Më 29 dhjetor kalendari kujton shën Tomën Becket, ipeshkëv e martir. Shën Toma Bechet lindi në Londër në vitin 1120, qe njeri me karakter të madh moral e aftësi të jashtëzakonshme të qeverisjes, bëhet kancelar i mbretërisë së Anglisë e këshilltar i mbretit Henrikut II. Ishte politikan i aftë dhe i shkathtë, administrator i mirë, aq sa mbreti, për ti realizuar disa projekte të veta mbi Kishën, e emëron kryeipeshkëv të Kantërbërit e primat të Kishës angleze (1162).
Kështu Toma shugurohet meshtar në moshën 41 vjeç, e një ditë pas shugurohet ipeshkëv. Mirëpo në këtë moment Toma heq dorë nga detyra e kancelarit, u shpërndan të varfërve të mirat dhe pasuritë që kishte e fillon një jetë të thjeshtë e në lutje të pareshtur drejtuar Zotit: “Dukej si një njeri që papritmas ishte zgjuar nga një gjumë i thellë”.
Mbrojtës i paepur i lirisë së Kishës kundër ndërhyrjeve të pushtetit civil, e kundërshtoi mbretin dhe kërkoi pavarësinë e plotë të ipeshkvijve. Për këtë e humbi miqësinë e mbretit dhe pësoi shumë sprova e mundime derisa mbreti e mërgoi në Francë për gjashtë vjet. Më 1170 i ofrohet pajtimi e ftohet në atdhe, Toma kthehet në vendlindje e mbreti kërkoi gjetjen e ndonjë “mënyre për t’u liruar prej këtij prifti intrigant”.
Kështu, kah përfundimi i vitit, katër kalorës të mbretit paraqiten te katedralja e Kantërbërit në orën e lutjes së mbrëmësores. Para se të therej me thikë për vdekje, duket se Toma pat klithë: “Unë nuk jam armik i mbretit. Jam vetëm prift!”. Kështu pësoi martirizimin më 29 dhjetor 1170 pikërisht në katedralen e tij nga njerëzit e mbretit. Varri i tij u bë menjëherë vend shtegtimi; aty shtegtoi edhe mbreti, për të kërkuar faljen e ndihmën e mikut të dikurshëm, duke e zgjedhur si pajtor qiellor.








All the contents on this site are copyrighted ©.