Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Familjes së Shenjtë

Sacra Famiglia - ANSA

29/12/2017 00:00

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, këtë herë do të meditojmë dhe lexojmë leximet biblike të festës së Familjes së Shenjtë të Jezusit, Marisë e Jozefit.

Gjendemi në kohën e Krishtlindjes e vazhdojmë të kundrojmë misterin e mishërimit të Zotit tonë Jezu Krishtit, vazhdojmë ta adhurojmë Zotin që ka dashur të lind në Familjen e Nazaretit, për të na mësuar edhe ne po ato virtyte që lulëzuan në familjen e Jezusit. Pra, kjo festë na propozon si reflektim misterin e jetës së Jezu Krishtit. Fjala e mishëruar e Hyjit dertoi, u vendos e hyri thellësisht e rrënjësisht në realitetin njerëzor duke marrë pjesë në të gjitha përmasat. Kështu kjo festë na përkujton edhe një herë se Familja është e mira më e çmueshme, se Familja është vlera më e shtrenjtë që njerëzimi ka e prandaj Jezusi, Maria e Jozefi janë shembuj për ne se si duhet të jetojmë në përkim e dashuri unitetin familjar.

Kremtimi i festës së Familjes së Shenjtë në të dielën e parë pas Krishtlindjes ka një domethënie shumë të qartë: Fjala e Zotit duke u mishëruar, ka dashur ta shenjtëroi natyrën njerëzore në të gjitha aspektet e saj, e mes këtyre aspekteve themelor është ai i familjes. Tema e familjes është jashtëzakonisht aktuale edhe sot, e Fjala e Zotit e kësaj feste na tërheq vëmendjen tonë të të gjithëve, prindër e fëmijë ndaj vlerave njerëzore nga të cilat duhet të burojnë sjelljet dhe veprimet e mira e të drejta, në mënyrë që çdo familje të jetë e denjë të quhet Familje; vend i formimit të personit, vend i kultivimit dhe i rritjes e rrezatimit të vlerave njerëzore, shpirtërore, shoqërore, kulturore, kombëtare e botërore.

Pra kremtojmë festën e Familjes së Shenjtë, model virtytesh e të dashurisë së vërtetë për të gjitha familjet. Megjithëse nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht e deri në fund misterin e Foshnjës që Zoti u ka besuar, Jozefi e Maria kanë besim në Zotin e në realizimin e premtimeve të shëlbimit paralajmëruar etërve qysh në kohën e profetëve. Në kundrimin e familjes së Jezusit, leximet biblike të kësaj së diele e orientojnë vëmendjen tonë ndaj misterit të të birit, duke treguar në mënyrë të ndryshme se si ky realitet është i rëndësishëm për të kuptuar marrëdhëniet tona me Zotin.

Shembulli i Familjes së Shenjtë na përkujton se të gjithë jemi të thirrur të bëjmë pjesë në familjen universale të Hyjit Atë e të gjithë njerëzit janë anëtarë të kësaj vatre që është gurrë e pashtershme dashurie e vëllazërimi. Familja është në qendër të mendimit të Zotit e këndej në qendër të botës së krijuar nga Zoti. Këtë na tregon shumë mirë tregimi biblik mbi krijimin. Zoti don që familja të karakterizohet, të shquhet nga një dashuri e vetme dhe e përbashkët: kjo është një nevojë dhe domosdoshmëri për respektimin e dinjitetit të qiftit të martuar, burrit e gruas dhe për respektimin e dinjitetit të fëmijëve. Familja, sipas Biblës, është dhe duhet të jetë pasqyrë që besnike e fytyrës së Zotit Dashuri.

                                              TURGJIA E FJALËS

Lexim prej Librit të Zanafillës 15, 1-6; 21, 1-3

Pas këtyre ngjarjeve, fjala e Zotit i qe drejtuar Abramit në një vegim. I tha: “Abram, mos ki frikë! Unë jam mbrojtësi yt! Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh”! Abrami u përgjigj: “O Zot, Hyj, ç’më duhen dhuratat e tua, pasi shkoj i shuar pa pasardhës dhe trashëgimtari i shtëpisë sime do të jetë Eliezeri prej Damaskut”. Dhe Abrami vazhdoi: “Ja, po sheh se nuk më dhe pasardhës dhe ja, një rob i shtëpisë do të më trashëgojë”. Atëherë Zoti i tha këto fjalë: “Ky nuk do të jetë, trashëgimtari yt do të jetë pinjolli yt që do të rrjedhë prej teje”. Zoti e bëri të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroji yjet, po munde”! Dhe shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu”. Abrami i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi. Zotit iu kujtua çka i kishte thënë Sarës dhe bëri ashtu siç i kishte premtuar. Sara ngjizi dhe Abrahamit i lindi djalë në pleqërinë e tij, po në atë kohë, siç e kishte paracaktuar Hyji. Abrahami djalit që lindi Sara ia ngjiti emrin Izak.  Fjala e Zotit.Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 128

Jetë dhe bekim mbi shtëpinë që e druan Zotin
Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, 
i lumi ti, mirë do të kalosh.

Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!

Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jeruzalemit
në të gjitha ditët e jetës sate.

Lexim prej Letrës së drejtuar Hebrenjve 11, 8. 11-12. 17-19

Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çohet dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e la vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. Me anë të fesë - edhe vetë Sara beronjë - fitoi mundësinë të bëhej nënë - megjithëse i kishte kaluar mosha - sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. Këndej, prej një njeriu - dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme në bregun e detit. Me anë të fesë, Abrahami, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, të cilit i qe thënë: “Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut”, plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi - dhe qe një shëmbëlltyrë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

ALELUJA, aleluja.
Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja. 
Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet!
Aleluja.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës 2, 22-40

Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, Jozefi dhe Maria e çuan Jezusin në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, - sikurse shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ – dhe për të dhënë flinë sikurse thuhet në Ligjin e Zotit ‘një parë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’ Në Jerusalem aso here jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Tempull. Kur prindërit e sollën Jezusin foshnjë për të kryer rregulloren e ligjit mbi të, Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha: “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe, sikurse the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: Driten që bën të njohin Ty paganët, e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.” Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të. Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Shih! Hyji e caktoi këtë femijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do tëi kundërshtojnë. Edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin, që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.” Ishte aso here edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet, jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet, kurse si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetë e katër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me uratë. Shi në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit. Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret. Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti; dhe hiri i Hyjit ishte në të.  Fjala e Zotit. Lavdi ty, o Krisht.

29/12/2017 00:00