2017-12-29 16:08:00

Dita e vdekjes së atë Fishtës: Ditë epike


Nesër mbushen 77 vjet nga vdekja e Atë Gjergj Fishtës (Fishtë 23 tetor 1871- Shkodër, 30 dhjetor 1940). Për ta përkujtuar këtë “Ditë epike”, zgjodhëm poemthin e  Atë Bernardin Palajt ‘Kah nata e vetme’, tregue në prozë.

Kumbonët tue ra, në ma të mbramen ditë të dhetorit, shpirtin ia këputne asaj Rozafës ilire.

Natyra u mtiz. Shqiptarin shpirti e lëshoi, në sa ‘i za lajmonte se i diq ora Kombit.

Binte kumbona, gjaku shkonte e vinte.

Në vise të Shqipnisë ‘i ditë ma e randë s’kish lé; nji ditë ma hijezezë. Kish dekë ai, që kqyrej si Profetë. Një diell plot dritë ish fikun mbi Shqipni. Pater Gjergj Fishta sytë i kishte mbyllë. Kish dekë ormadhi Vjershatar! Vigani, qi në gjuhë Zanash e Orësh shqyp dinte me folë, kur zemrat kallte flakë per Atme e Fe!

Kish dekë. Flamujt nder shtiza u rrxuene.

Diq. Populli rrani, i madh e vogel, kah banesa, ku ankthi i jetës e xû! 

Binte kumbona, gjaku shkonte e vinte.

Gojë neper gojë persritej fjala e kobit, se dielli e hana dritë ma per Tê s’bajshin. E kështu u err ma e mbramja ditë, qi e dau prej nesh Poetin. 

Tashma Ai po kalon per të mbramen herë n’per udhë të qytetit. Turma vajton, dorë neper dorë me trup të Tij tue u shndërrue. I kalon pranë, si kalon qiella e vrantë; idhshëm dihatë e kjanë e thotë uratë. Vajtojnë jehonat. Kjan njeri e kjan reja. E kjajnë kumbonët tue ra e kjajnë dhe flamujt, Poetin kryevarun tue e pershndetë. Tronditë i hueji, tue pa shqiptarin aq të molisun per Të, nisi e tha: “I dejë kenka ky komb me e pasë per mik e vëlla, që kështu Danten e vet n’ditë të dekës, po dika me  e nderue”.

E orë e zana, mbulue nën futa t’zeza, zdrypun prej bjeshkësh në Shkoder, rreth trupit t’Tij gjamuen e mbi atë vorr të shemtuem, persypri i ranë. E njehen vaje e fjalë, që me ta këputun shpirtin.

Por zhgjeta e dekës,  njisoj kudo e pashpirtshme, sot fijet jetës së Tij krejt ia ka këputë. E as nuk merr as dredhë Ai fjalë ma prej kurrkujë.

Një tjetër rrugë, heu, vâj, Poeti nisë!

I lum ai qi e ndjeu nji herë n’jetë t’vet tue folë, pse shtang ai mbet e tha: “Kjo asht gjuhë shqyptare! Bukurisë së saj s’del gja me ia perngjá.  Meteorë neper qiell kje fjala e Tij. Dritën hullí mbas vedit kjo e lëshonte, si hylli shokëve qi u prin n’agim.

Ku shkon Uratë, rrethue me tuba lulesh? Pra i mend se vorrin sot ti don me mësye? Don me u da nesh, shi kur epokat ndeshen, me armët ma mizore tue u dermishë? A e sheh, Uratë, se ku ka mbërrijtë Evropa? Lodhë prej punësh s’mbrapshta e gorromisë prej vesesh? Ajo me dekë, po ti kurr mos me dekë.

Po deka  t’mori e zemrat ne na i ftofi, ashtu si ftofet vetëm rrasa e vorrit.

Per s’gjallë ke folë, per t’dekun Poett s’flasin! Njerëzit e mëdhaj nderoj Shqypni per së gjallit

edhe ndigjoj e çmoi ata dhe në ditë të vorrit. Me kësi profetësh ti kurrë nuk ke me dekë!

Binte kumbona, gjaku shkonte e vinte!

Pikojshin lotët, trumhasej moti i idhun. Shtyhej njerëzia e lodhun, mekshëm, urtë, pa za.... e ato kumbonë tue ra, atë ditë na banë me pa, sesa e vërtetë po ishte: Poetë e Diva kurrë këta nuk po disshin.  Prandej ma s’ do të vajtojmë, në vorr tue e percjellë, Poetin e Uratën, që ma sparit, në zemer t’ Shkodrës, si fleta e ejllit t’Zotit, Flamurin kuq e zi e valëviti, lidhë me njatë Kryq, ku sot po e kjanë kumbona.

Binte kumbona, gjaku shkonte e vinte...

Një ditë ma epike a pat si me falë Zoti?








All the contents on this site are copyrighted ©.