2017-12-29 15:58:00

Lajme nga Kisha e nga bota


Unicef: në 2017-tën, gjithnjë më shumë fëmijë viktima të konflikteve

Të mitur, që përdoren për të luftuar, si ushtarë e si mburoja njerëzore, në sulme vrastare. Miliona fëmijë, që vuajnë nga ushqimi i pamjaftueshëm, madje edhe nga uria, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. E nuk u mungojnë as sëmundjet, traumat e shkaktuara nga luftërat, vdekjet e parakohshme. Agjencia e OKB-së kërkon respektimin e së drejtës ndërkombëtare. Kërkon të mos vriten më të vegjlit, të mos gjymtohen, të mos rrëmbehen, të mos shndërrohen në skllevër, në një botë ku mizoritë janë bërë tashmë taktikë lufte. E gjithë kjo, thënë me dy fjalë, theksohet në bilancin vjetor të Unicef-it 2017 kushtuar “Fëmijëve në kushte lufte”.  

Irak: një çift i ri do të drejtojë spitalin e parë katolik pas rënies së Isis

Do të jetë një çift i ri kaldejsh që do ta drejtojë spitalin e parë katolik për viktimat e luftës e të terrorismit në rajonin e Kurdistanit irakian. Me kërkesën e kryeipeshkvit të Erbilit, imzot Bashar Warda, Saveen Oghana e Ban Isaqui, ai mjek, ajo dentiste, bashkëshortë të rinj, u thirrën për të nisur veprimtaritë në atë, që do të jetë i vetmi spital i drejtuar nga Kisha Katolike në Irak, pas rënies së Shtetit të vetëquajtur Islamik. Spitali do të quhet “Shlam”, që domethënë “Paqe”. Dy të rinjtë, të dy 28 vjeçarë, ndodhen në Australi, ku po kryejnë masterin për administrim shëndetësor, në shërbim të projektit,  për të cilin u thirrën.

Mianmar: dopo 50 Anni, prima feta pubblica del Natale

Bashkësia e Mianmarit, katolike e protestante, kremtoi publikisht Krishtlindjen nëpër rrugët e Jangonit, për herë të parë pas 50 vjetësh: siç njofton agjencia Fides, ndërsa në të kaluarën Krishtlindja kremtohej brenda mureve të Kishave, sivjet një mori festash, kortezhesh, procesionesh u përshkuan nëpër rrugët e qytetit, posaçërisht nga 23 e deri më 25 dhjetor, me autorizim të posaçëm të autoriteteve të rajonit të Jangonit.








All the contents on this site are copyrighted ©.