2017-12-28 16:04:00

Në vitin 2017 u vranë 23 misionarë


Në vitin 2017 u vranë 23 misionarë: 13 priftërinj, 1 rregulltar, 1 rregulltare, 8 laikë. Shumica  humbën jetën në Amerikë. Nga viti 2000, deri më 2006, në botë u vranë 424 veprimtarë baritorë, ndërmjet të cilëve, edhe pesë ipeshkvij.

Sipas Raportit të përvitshëm, hartuar nga Agjencia Fides, më 2017-tën  numri më i madh e humbi jetën në Amerikë: 11 veprimtarë baritorë (8 priftërinj, 1 rregulltar, 2 laikë), pasuar nga Afrika, ku u vranë 10 veprimtarë baritorë (4 priftërinj, 1 rregulltare, 5 laikë) e Azia, me 2 veprimtarë baritorë (1 meshtar e një laik). 

Veprimtarët baritorë  të mbytur dhunshëm

Lista e përvitshme e Fides, tashmë nuk shikon vetëm misionarët ndërmjet popujve, në kuptimin e ngushtë të fjalës, por synon t’i regjistrojë të gjithë veprimtarët baritorë, të vrarë dhunshëm, jo vetëm “nga urrejtja për fenë”. Prej këndej, termin “martir”, e përdor vetëm në kuptimin e tij etimologjik “dëshmitar”, duke ia lënë Kishës gjykimin për disa prej tyre.

Të vdekur në rrethana, ku mungon respekti për jetën e për çdo të drejtë njerëzore

Shumë nga veprimtarët baritorë u vranë gjatë përpjekjeve për rrëmbim ose vjedhje, kryer edhe mizorisht, në rrethana varfërie ekonomike e kulturore, degradimi moral e ambiental, ku dhuna e keqbërja janë të zakonshme e ku mungon çdo respekt për jetën e për çdo të drejtë njerëzore. Pa llogaritur se meshtarët, murgeshat e laikët jetojnë me njerëzit e thjeshtë, duke ndarë me ta çdo çast e duke çuar mes njerëzve vlerën e posaçme të dëshmisë së tyre ungjillore, si shenjë shprese,

Në listë mungojnë shumë veprimtarë baritorë, viktima të dhunës për shkak të fesë.

Të vrarët janë vetëm maja e ajsbergut, nga që dihet se lista e veprimtarëve baritorë, ose e katolikëve të thjeshtë, të kërcënuar, të keqtrajtuar, të vjedhur, ashtu si  dhe e atyre të strukturave katolike, në shërbim të mbarë popullsisë,  të sulmuar, të vandalizuar, të grabitur, është tepër e gjatë. Listave të përkohshme të Agjencisë Fides u duhet shtuar lista e pafundme e shumë njerëzve të panjohur, e që ndoshta nuk do të njihen kurrë, të cilët në të katër anët e Planetit vuajnë dhe e paguajnë me jetë besimin e tyre në Krishtin.

Vrasësit e priftërinjve e të mugeshave mbeten gati gjithnjë të panjohur, e natyrisht, edhe të padënuar! Rrallë herë kapen e edhe më pak, fajësohen. Po kujtojmë  vetëm dënimin e gërgasit të vrasjes së misionarit jezuit spanjoll Vicente Canas, vrarë në Brazil, më 1987. Në procesin e parë, më 2006, të pandehurit u  liruan për mungesë provash. Procesi i ri i 29 e 30 nëntorit, përfundoi me një dënimin të vetëm: atë të  nxitësit apo gërgasit, i vetmi nga të pandehurit, që ishte akoma  gjallë. 

Vrasësit e martirëve dhe të dëshmitarëve të Krishtit mbeten shumë shpesh, për të mos thënë gjithmonë, të padënuar! Edhe sot, si në vitet e kaluara, kur listat e Martirëve ishin tepër të gjata, e listat e kriminelëve të dënuar, krejtësisht të panjohura!








All the contents on this site are copyrighted ©.