2017-12-28 17:36:00

Kisha përkujton sot Fëmijët e Pafajshëm, masakruar nga Herodi


Kisha përkujton sot fëmijët e Betlehemit, mbytur nga Herodi, që shpresonte të zhdukte kështu, bashkë me ta, edhe Foshnjën Hyjnore. Sipas Ungjillit, ishin të gjithë nën 2 vjeç. Lanë pas një vazhdë gjaku, që nuk mund të mos na sjellë ndërmend të pafajshmit e sotëm, të vegjlit e dhunuar nga luftrat e interesat e të rriturve. I shohim përditë në ekrane, duke luajtur në mesin e rrënojave të luftës, duke përdorur gropat e hapura nga bombat si pishina, pasi i mbushin me ujë, sepse edhe në mesin e plumbave, fëmijët duan të argëtohen.

Nuk ka asgjë më të dhimbshme se sa dhimbja e fëmijëve. E s’ka asgjë më të djallëzuar se dhimbja, që u shkaktohet të vegjëlve. Pasardhësi i shën Pjetrit duke e kujtuar sivjet këtë dhimbje, nënvizoi se Krishtlindja kremtohet pikërisht nën shenjën e Fëmijës, për ta pranuar Zotin në fytyrat e fëmijëve, posaçërisht të atyre, për të cilët, ashtu si për Jezusin, “nuk ka vend në bujtinë” (Lk 2,7)

E shikojmë Jezusin në fëmijët e Lindjes së Mesme - theksoi - që vijojnë të vuajnë për shkak të thellimit të tensioneve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. E shikojmë edhe në “fëmijët, që sot, nuk tunden në djep, as nuk ledhatohen me dashuri nga nëna a nga babai, sepse dergjen në ‘grazhdet e dinjitetit’ të nëpërkëmbur, në strehimet e nëndheshme, për të shpëtuar nga bombardimet, në trotuaret e qyteteve të mëdha, në fundet e barkave të mbingarkuara me emigrantë”. Fëmijët “që nuk i lënë të dalin në dritë”, ata “që qajnë, sepse askush nuk ua shuan urinë”, ata “që nuk kanë në duar lojra, por armë”.

Shenjtorët e Pafajshëm të Ungjillit janë të parët, që vriten për shkak të Krishtit, madje, në vend të Krishtit, pa e ditur as ata vetë. Janë lulja e martirëve. Vuajtja dhe vdekja e të pafajshmëve mund të kuptohet vetëm në misterin e shëlbimit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.