Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Imzot Simon Kulli : mesazhi për Krishtlindje 2017

Imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës - RV

28/12/2017 09:00

 Imzot Simon Kulli : mesazhi për Krishtlindje 2017. Pra në mesazhin e tij të Krishtlindjes, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli vëren se është e para lindje e Krishtit, që ai e kremton si ipeshkëv, pa të ndjerin, imzot Lucian Avgustinin, të cilin bashkësia katolike e kujton gjithnjë me mall. "Uroj me plot zemër – thotë ai në mesazh - që pranimi i Jezusit Zot në vogëlsinë e Foshnjës së Betlehemit  të mund të ngjallë në ne dhe në të gjithë njerëzit vetëdijen për dinjitetin e lartë që misteri i Krishtlindjes na dhuroi". Por të dëgjojmë mesazhin e plotë…

“Vërtet, Hyji aq fort e deshi boten sa që e dha një të vetmin Birin e vet” (Gjn 3.16)

Fort të dashur meshtarë, rregulltarë, besimtarë dhe njerëz vullnetmirë të dioqezës së Sapës, më lejoni që përmes kësaj letre te vij pranë jush me rastin e festës së madhe të Krishtlindjes.

Është Krishtlindja e parë për mua si Ipeshkëv i juaj, dhe së bashku jemi munduar të përgatitemi për misterin e Krishtlindjes.  Përmes angazhimeve shpirtërore që përjetuam në  Kohën e Shenjte të Ardhjes, tashmë gjendemi përpara një foshnje të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd (Lk 2.12).

Përballë këtij misteri, miq të dashur,  më lejoni qe në këtë Krishtlindje, në menyre të veçante të vendosem edhe unë  për të soditur Foshnjën hyjnore krah për krah me të sëmurët, të varfërit si dhe të gjithë bijtë dhe familjet shqiptare në emigracion që vështirësitë e ndryshme jetësore i kanë ndarë prej familjeve dhe të afërmve. Te gjithë ne miq të dashur mund t’i ofrojmë kësaj Foshnje varfërinë që na karakterizon në këtë Krishtlindje. Po ashtu, në të njëjtën kohë secili nga ne është i ftuar t’ia hapim zemrën kësaj Foshnjeje hyjnore, të mbështjellë me shpërgënj, sepse falë soditjes së Tij ne na ofrohet mundësia ta shohim realitetin me një sy tjetër, duke e shijuar fuqinë e brendshme të dashurisë së Zotit, dashuri e cila e shndërron hidhërimin në gëzim, urrejtjen në dashuri dhe dobësinë në fuqi. Jezusi, i lindur në varfërinë e Betlehemit dëshiron të bëhet shok udhe i çdokujt që vuan në mjerimin dhe skamjen e varfërisë apo vështirësive sociale.       

Në Krishtlindje kumtohet kjo grishje: “Ejani të shkojmë, pra, deri në Betlehem e të shohim çka ndodhi-ngjarjen që na e kumtoi Zoti” (Lk 2.15), që të përkulemi në adhurim para Foshnjës hyjnore dhe duke pranuar me zemër bujare gjithçka Ai na flet.

Te gjithë ne duhet të mësojmë t’i ndjekim barinjtë në ecjen e tyre: “E gjeten Marinë, Jozefin dhe Foshnjën të venë në grazhd” (Lk 2.16). Pikërisht aty të dashur miq, në grazhdin e Betlehemit bashkohen qielli dhe toka. Aty ndriçon një dritë për të gjitha kohërat, aty përjetohet gëzimi, lind kënga e jetës sonë: Krishti dje, sot dhe përgjithmonë.      

Angazhimi ynë qe buron në këtë Krishtlindje është ai i kapërcimit të paragjykimeve, rrëzimi i mureve që ndajnë, apo shkaktojnë dhunë dhe luftë ndërmjet personave dhe popujve. Duhet të angazhohemi për të ndërtuar së bashku një botë drejtësie dhe paqeje. Ky angazhim kuptohet dhe ndërmerret vetëm falë soditjes së Foshnjës hyjnore. Vetëm në Hyjin që bëhet njeri për ne, e ndiejmë veten të dashur dhe të pranuar duke zbuluar se jemi te çmuar, bij e bija të Hyjit, vëllezër dhe motra mes nesh.

“Vërtet, Hyji aq fort e deshi boten sa që e dha një të vetmin Birin e vet” (Gjn 3.16)

Hyji aq fort e do njeriun sa që përvujtërohet deri në atë pike duke u bërë vetë njeri. Akoma sot, me vështirësi arrihet të pranohet kjo madhëri dhe dashuri e pakufishme hyjnore, e cila tregohet në thjeshtësinë dhe vogëlsinë e Foshnjës së Betlehemit duke lartësuar dhe hyjnizuar natyrën tonë njerëzore. Jezusi akoma vjen në mesin e njerëzve, dhe atyre që e pranojnë u jep: “Zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit”. Në përfundim të këtij mesazhi uroj me plot zemër që pranimi i Jezusit Zot në vogëlsinë e Foshnjës së Betlehemit  të mund të ngjallë në ne dhe në të gjithë njerëzit vetëdijen për dinjitetin e lartë që misteri i Krishtlindjes na dhuroi.

Për shumë Mot Krishtlindjen!

+   Imzot Simon Kulli

Ipeshkëv i Dioqezës se Sapës

28/12/2017 09:00