Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Urbi et Orbi. Papa: ta bëjmë botën më njerëzore e më të denjë për fëmijët

Papa: Mesazhi i Krishtlindjes

25/12/2017 12:17

Në Solemnitetin e Lindjes së Zotit, nga Lozha Qendrore e Bazilikës së Vatikanit, Ati i Shenjtë u drejtoi Mesazhin tradicional besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit dhe gjithë atyre, që e ndoqën përmes radios e televizionit, duke dhënë edhe bekimin Urbi et Orbi.

 Të dashur vëllezër e motra, gëzuar Krishtlindjen!

Në Betlehem, nga Virgjëra Mari, lindi Jezusi. Nuk lindi përmes vullnetit njerëzor, ishte dhuratë e dashurisë së Zotit Atë, që aq fort e deshi botën, sa të jepte një të vetmin Birin e vet, që kushdo beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur (Gjn 3,16).

Kjo ngjarje përtërihet sot në Kishën, shtegtare në botë: feja e popullit të krishterë rijeton, në liturgjinë e Krishtlindjes, misterin e Zotit që vjen, që merr natyrën tonë të vdekshme, që bëhet i vogël e i varfër për të na shpëtuar. E kjo na mbush me emocion, sepse tejet e madhe është dashuria e Atit tonë.

Të parët që e panë lavdinë e përvuajtur të Shëlbuesit, pas Marisë e Jozefit, ishin barinjtë e Betlehemit. E njohën shenjën që u dhanë engjëjt dhe e adhuruan Foshnjën. Këta njerëz të përvuajtur, por të pagjumë, janë shembull për besimtarët e çdo kohe që, përballë misterit të Jezusit, nuk shkandullohen nga varfëria e Tij, por, ashtu si Maria, besojnë në fjalën e Zotit dhe e kundrojnë me sy të thjeshtë lumninë e tij. Përballë misterit të Fjalës së mishëruar, të krishterët e çdo vendi shpallin, me fjalët e Shën Gjonit Ungjilltar: “E kundruam lavdinë e Tij, lavdi si e Birit të vetëm, që vjen nga Ati plot me hir e vërtetësi” (1,14).

Sot, ndërsa mbi botën fryjnë erëra lufte e një model zhvillimi tashmë i vjetëruar, vijon të prodhojë degradim njerëzor, shoqëror e ambiental, Krishtlindja na kujton shenjën e Fëmijës, për ta pranuar në fytyrat e fëmijëve, posaçërisht të atyre, për të cilët, ashtu si për Jezusin, “nuk ka vend në bujtinë” (Lk 2,7)

E shikojmë Jezusin në fëmijët e Lindjes së Mesme, që vijojnë të vuajnë për shkak të thellimit të tensioneve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. Në këtë ditë feste i kërkojmë Zotit, në lutje, paqen për Jeruzalemin e për gjithë Tokën Shenjte. Lutemi që ndërmjet palëve të ketë epërsi vullneti për të rifilluar dialogun e të mund të arrihet, më në fund, në një marrëveshje që krijon kushtet për bashkëjetesë ndërmjet dy shteteve brenda kufijve të  konkorduara ndërmjet tyre e të njohura ndërkombëtarisht. Zoti i  mbështetët edhe ata që, në bashkësinë ndërkombëtare, frymëzohen nga vullneti i mirë për ta ndihmuar këtë tokë të martirizuar që të gjejë, pavarësisht nga pengesat e rënda, harmoninë, drejtësinë e sigurinë e pritur prej shumë kohe.

E shikojmë Jezusin në fytyrat e fëmijëve sirianë, të cilëve u duken akoma shenjat e luftës, që e gjakosi këto vite vendin. Uroj që në Siri të rikthehet, më në fund, respektimi i dinjitetit të çdo njeriu, përmes angazhimit të përbashkët për rindërtimin e indit shoqëror, pavarësisht nga përkatësia etnike e fetare.

E shikojmë Krishtin Fëmijë në Irakun, akoma të plagosur e të përçarë nga ndeshjet e këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit, e në  fëmijët e Jemenit, ku vijon konflikti i harruar nga një pjesë e mirë e botës, me pasoja të rënda humanitare mbi popullsinë, që vuan nga uria e nga përhapja e sëmundjeve.

E shikojmë Jezusin në fëmijët e Afrikës, posaçërisht në ata që vuajnë në Sudanin Jugor, në Somali, në Burundi, në Republikën Demokratike të Kongos, në Republikën Qendrafrikane e në Nigeri.     

E shikojmë Jezusin në fëmijët e mbarë botës, atje ku paqja e siguria kërcënohen nga rreziku i tensioneve dhe i konflikteve të reja. Lutemi që në gadishullin korean të kapërcehen kundërvëniet e të thellohet besimi reciprok në dobi të mbarë botës.

Krishtit Fëmijë ia besojmë Venezuelën, që të mund të rifillojë një ballafaqim i qetë ndërmjet anëtarëve të shoqërisë, në dobi të mbarë popullit të dashur venezuelan. E shikojmë Jezusin në fëmijët që, së bashku me familjet e tyre, pësojnë dhunën e konfliktit në Ukrainë, si dhe pasojat e tij të rënda humanitare e lutemi që Zoti t’i japë sa më parë paqen këtij vendi të dashur.

E shikojmë Krishtin Fëmijë në fëmijët, prindërit e të cilëve nuk kanë punë e nuk arrijnë t’u sigurojnë bijve të tyre një ardhmëri të sigurt e të qetë.

E në ata, të cilëve iu rrëmbye fëmijëria, të detyruar, siç janë, të punojnë që në moshë të njomë, ose të  mobilizuar ushtarë nga mercenarë pa skrupuj.

E shikojmë Jezusin në një mori fëmijësh, të detyruar t’i lënë vendet e tyre, të shtegtojnë të vetëm, në kushte çnjerëzore, pre e lehtë e trafikantëve të qenieve njerëzore. Përmes syve të tyre shikojmë dramën e shumë emigrantëve të detyruar, që rrezikojnë deri jetën, për të përballuar udhëtime kapitëse, të cilat nganjëherë përfundojnë në tragjedi. E rishikoj Jezusin në fëmijët, që i takova gjatë shtegtimit tim të fundit në Mianmar e Bangladesh, e uroj që bashkësia ndërkombëtare të vijojë të përpiqet që dinjiteti i pakicave të pranishme në rajon të mbrohet me kujdesin e duhur. Jezusi e njeh mirë dhembjen e mosmikpritjes dhe raskapitjen e njeriut që nuk ka vend ku të mbështesë kokën. Zemra jonë të mos mbyllet, si u mbyllën shtëpitë e Betlehemit!

Të dashur vëllezër e motra,

Edhe ne na tregohet shenja e Krishtlindjes: “një fëmijë i mbështjellë në fasha…”(Lk 2,12). Ashtu si Virgjëra Mari e Shën Jozefi e si barinjtë e Betlehemit, në Krishtin fëmijë, ta pranojmë dashurinë e Zotit të mishëruar për ne e të angazhohemi, me hirin e Tij, ta bëjmë botën tonë më njerëzore, më të denjë për fëmijët e sotëm e të nesërm.

25/12/2017 12:17