Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa, në Engjëllin e Tënzot kërkon paqe për mbarë botën e lutet për besimtarët e rrëmbyer

Papa në Engjëllin e Tënzot Natën e Krishtlindjes - ANSA

24/12/2017 13:54

Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të kësaj së dieleje, Nata e Krishtlindjes, u lut për paqen në botën mbarë, posaçërisht, për lirimin e atyre, që u rrëmbyen nga shkaku i fesë si dhe për viktimat e stuhisë, që goditi Filipinet e familjarët e tyre.

“Ndërsa presim në uratë  lindjen e Jezusit, Princit të Paqes, lutemi për dhuratën e paqes në botën mbarë”: - këtë theksoi Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke menduar posaçërisht për popullsitë që vuajnë më shumë për shkak të konflikteve në vazhdim. Pastaj, një thirrje e veçantë...:

“...që, me rastin e Krishtlindjes së Shenjtë, njerëzit e rrëmbyer, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë - të lirohen e të mund të rikthehen në shtëpitë e tyre”.

Në vijim, Papa i lartoi Zotit lutjen për viktimat dhe familjarët e tyre në ishullin Mindanao, në Filipine, dëmtuar rëndë nga një stuhi, që shkaktoi shumë të vdekur e shkatërrime:

“Zoti i mëshirshëm i pranoftë shpirtrat e të vdekurve e i ngushëlloftë ata që vuajnë për shkak të kësaj fatkeqësie të natyrës”.

Duke kometuar, në katekizëm, Ungjillin e sotëm të Lajmërimit të Zojës, Françesku u ndalua posaçërisht tek “kontrasti” që  duket ndërmjet premtimeve të Engjëllit dhe përgjigjes së Marisë, atje ku fjalëve të Gabrielit, të hollësishme e krejt të papritura, që hapin perspektiva të padëgjuara, Maria i gjegjet me një frazë të shkurtër. “Nuk flet për lavdi, as për privilegj, por vetëm për gatishmëri e shërbim”. Maria nuk krenohet - shpjegoi Papa - kur merr vesh se do të bëhet Nëna e vetë Zotit. Nuk mburret. Mbetet e përvujtë, e thjeshtë. Mbetet ajo që ishte. Si gjithmonë.

Kontrast domethënës. Na lë të kuptojmë se Maria është me të vërtetë e përvuajtur e nuk kërkon të duket çka s’është. Të ekspozohet! Përkundrazi. Pranon se është e vogël para Zotit, madje kënaqet që është kështu. E njëkohësisht, është e vetëdijshme se nga përgjigjja e saj varet realizimi i planit të Zotit, në të cilin ajo u thirr të marrë pjesë me gjithë vetveten.

Ashtu si Jezusi, duke hyrë në botë, do të thoshte: “Ja, unë po vij... për të bërë, o Zot, vullnetin tënd!”, kështu Maria i thotë Engjëllit: “Ja shërbëtorja e Tënzot”, duke treguar se ishte bashkëpunëtore e përkryer e planit të Zotit.

“Ndërsa admirojmë Nënën tonë për këtë përgjigje që i jep thirrjes e misionit të Zotit, i kërkojmë asaj të na ndihmojë ta pranojmë planin e Atit në jetën tonë, me përvujtëri të sinqertë e bujari guximtare”.

Në përshëndetjet përfundimtare, drejtuar besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa  dha edhe një porosi tjetër:

“Gjejeni ndonjë çast për t’u ndaluar në heshtje e në lutje para Shpellës së Betlehemit, për të adhuruar në zemër misterin e Krishtlindjes së vërtetë, asaj të Jezusit, që na afrohet me dashuri, përvujtëri e dhembshuri”.

24/12/2017 13:54