2017-12-22 15:19:00

Ku është Shpella e Betlehemit, është jeta e historia. Etapa VI- “Ç’u bë djepi i Krishtit Fëmijë?”.


Në prag të Krishtlindjes, po vijojmë me disa faqe nga tradita dhe letërsia e krishterë, që i nisëm me historikun e Shpellës së Betlehemit. Titullohen: “Ku është Shpella e Betlehemit, është jeta e historia!”. Pas Greços, Romës, Napolit, Balldrênit, Betlehemit sot, në etapën VI,  pyetja: “Ç’u bë djepi i Krishtit Fëmijë?”.

Ndokush mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje pa u menduar aspak: “Duhet të jetë në Betlehem”. Duhet. Por nuk është më atje. Djepi që, sipas gojëdhënës duhet të jetë i Krishtit Fëmijë, sot gjindet në Romë. Mund të soditet në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Por, ta rikujtojmë historinë e këtij djepi kaq të jashtëzakonshëm, ndërmjet mijëra djepave të zakonshëm, që u tundën nëpër botë,  2000 vjet më parë, kur lindi Krishti. Djepa ari për mbretër; argjëndi për princër; druri të thjeshtë, për fëmijët e shtëpive të varfëra; grazhde, për fëmijët e fshatarëve; tokë lakuriqe, për fëmijët e lypësve...Djepa, që u ka humbur nami e nishani...

Po gojëdhëna na tregon se djepi i Krishtit nuk humbi. U kthye në relike, sepse djep me vlerë të jashtëzakonshme. Djep Zoti. Që na kujton  çastin kur Virgjëra Mari e nxori në dritë, e “mbështolli me shpërgaj dhe e vuri butë-butë mbi grazhd” (Lk 2,7).

Nënat palestineze e kishin zakon t’i tundnin fëmijët e tyre (natyrisht të mbështjellë në fasha), në djepe prej balte të pjekur. E ky djep mbështetej mbi një lloj këmbaleci, ose vendosej drejtpërdrejt mbi tokë, a në ndonjë vend tjetër të shtëpisë.

Për një djep të tillë flet Origjeni, kur shkruan (248): “Në Betlehem ndodhet ende shpella  në të cilën lindi Krishti, e edhe djepi, mbi të cilin u tund, i mbështjellë me shpërgaj”.

Shën Jeronimi ilir, që ndodhej në Betlehem rreth vitit 386, pati shpjeguar, në një homeli, se djepi kishte qenë prej balte, por se më pas qe zëvendësuar me një tjetër, prej argjëndi. Kjo nuk e kënaqte aspak Shenjtin, që donte shumë më tepër atë, të parin, prej balte, ku ishte mbështetur për herë të parë trupi i njomë i Zotit.

Në Betlehem, duke nisur nga shekulli V, djepi, i veshur me ar e argjend ndriçohej nga një mori llambash. Shtegtarët merrnin një grusht dhé nga vendi ku qe vendosur djepi e, po të mundnin, edhe copëza druri. Disa mendojnë se reliket e djepit u mbartën në Romë nga Shën Sofroni i Jeruzalemit dhe iu dorëzuan Papës Teodori I (642-649), me origjinë lindore, pas një mori vështirësish, të shkaktuara nga pushtimet myslimane.

Ishte pikërisht epoka e Teodorit ajo, kur Bazilika u quajt “Sancta Maria ad Praesepem”.

Papa Siksti V e vuri djepin poshtë elterit të kapelës sikstine, ndërtuar për këtë qëllim.

Në vitin 1606, mbretëresha e Spanjës, Margerita e Austrisë, dhuroi një relikuar argjendi, që u zhduk në trazirat e vitit 1797. Atëherë u porosit një relikuar i ri, në formë urne vezake, prej kristali e argjendi, pjesërisht i praruar. I punuar nga artisti Giuseppe Valadier, relikuari ishte dhuratë e dukeshës spanjolle Manuela de Villahermossa.

Në urnën e sotme sodisim, në basoreliev, Shpellën e Betlehemit, Tre Mbretërit Dijetarë, ikjen në Egjipt dhe Darkën e Mbrame. E, në qendër të saj, i derdhur në ar, Krishti Fëmijë, që na bekon. Duken edhe dy kerubinë, secili me një vazo kristali, ku ruhen relike të tjera, që mendohet se përmbajnë një copëz nga veli i Marisë e, sidomos, një grusht me kashtën e grazhdit, ku u përkund së pari Krishti Fëmijë, të cilit, shumë shekuj pas lindjes, shkrimtari i famshëm italian Alessandro Manzoni - i përkthyer në shqip nga një tjetër poet i famshëm, Atë Gjergj Fishta, do t’i këndonte “mbi djep” ninullën:

“...Flej, o qielluer, sot popujt

S’po dijn se kush ka lé:

Por koha ‘i herë do të vije

Qi trashigim i ké.

Pse mbi njatë djep të shkrehun,

Pse mbrenda pluhnit mshehun

Kan per t’a njohtë nji Mbret!”. 1

1 “A Manzoni “Këshndellat”(përkthyer nga Atë Gjergj Fishta), “Vallja e Parrizit”, Bot II, Shtypshkroja “Atë Gjergj Fishta”, Shkoder, 1941, fq. 91.

 

  








All the contents on this site are copyrighted ©.