Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Dino Buzzati “Milano Ynë”

Shpella e Betlehemit - RV

22/12/2017 14:53

Nga Parrizi i frymorëve, kau e gomari nisin një shtegtim imagjinar, kureshtarë siç janë për të parë si kremtohet sonte Lindja e Krishtit.

Dalin, prandaj në ballkon të qiellit e ja, shikojnë burra e gra duke bërë me nxitim gjithfarë pakosh, duke ngjitur me pështymë një mori zarfash, duke vrapuar tek telefoni, duke u sulur si vetëtima nga një dhomë në tjetrën, ngarkuar me spango, shirita, karta… E ndërkaq troket porta e arrijnë pako të reja, lule, urime. E gjithçka shndërrohet në një pështjellim të papërshkrueshëm e në një kapitje pa kuptim. E të tërë duken të tmerruar nga frika se nuk do të mund t’i përgatisin me kohë gjithë ato karta të çuditshme, që kau e gomari nuk e kuptojnë  fare për çka duhen e kujt i nevojiten.

Unë e dija – vëren i çuditur kau – se Krishlindja ështe festë e lutjes, e paqes, e prehjes…

Sigurisht  - gjegji gomari -  një herë e një kohë ashtu ishte. Por tashmë nuk flitet tjetër, veçse për shoqërinë e konsumit... Ka ardhur një kohë, që quhet konsumizëm. E kjo do të thotë se këta njerëz i ka pickuar merimaga e helmatisur. Dëgjo, dëgjo…

Kau zgjati veshët.

Udhëve, në dyqane, në zyra, në fabrika dëgjohej zhurmë shurdhuese. Njerëzit flisnin pa frymë fjalë të mësuara përmendësh, përsërisnin formula urimi për Krishtlindje, - gëzuar - për shumë vjet - shëndet e të mira – mot më mirë – lumturi… - fjalë që mbushnin përplot qytetin, duke e zbrazur edhe më keq seç ishte.

Po, tha e çuditur kafsha e gjorë, që jetonte prej shekujsh në parajsën e frymorëve - thua besojnë vërtet në fjalët që thonë? Në urimet, që bëjnë? E kanë, thua, seriozisht. A e duan kaq shumë njëri tjetrin, sa thonë?

Gomari heshti.

E sikur të zbrisnin pakëz atje poshtë - këshilloi kau – M’u bë koka llallë. Dua t’i shikoj nga afër e të bindem se sonte nuk kanë dalë rrugëve gjithë të marrët e qytetit!

E kafshët zbritën edhe një herë mbi tokë.

E panë se rrugëve nuk ishin të marrët, por njerëz si unë e si ti, që po kremtonin Natën e Krishtlindjes.

Po ky është teprim! I padurueshëm! Sa ndryshe nga Nata e Betlehemit, a të kujtohet? Shpella, barinjtë, foshnja… Bënte ftohtë, në atë vend, të cilin e ngrohte vetëm avulli që na dilte ne të dyve nga hundët. Po ndjehej një paqe, një kënaqësi, një hir… Ishte krejt ndryshe…

E gajdet, që binin ëmbël e dëgjoheshin si jehonë, nga larg? E fyejtë?

Po mbi çati, a të kujtohen gjithë ata zogj, që këndonin e këndonin pa pushim?

Ç’ zogj ore kokëlopë, ata ishin Engjëj, kore engjëjsh…

E Ylli? A të kujtohet ç’yll me bisht, mbi pullazin e kasolles? Ndoshta do ta shikojmë përsëri sonte; yjet jetojnë gjatë…

Besoj se jo - gjegji gomari – këtu ka tepër pak ajër për yjet.

E, në të vërtetë, dy miqtë e vjetër ngritën kokat lart e u munduan të shikonin yjet, por nuk panë gjë tjetër, veç errësirës. Mbi qytetin ndehej pullazi me ajër të ndotur, të zi, si nata pa yje.

Quhet smog - shpjegoi gomari - e unë nuk besoj se është nevoja të shtojmë ndonjë shpjegim! Këtë ndoshta e kuptojnë edhe njerëzit!

22/12/2017 14:53