2017-12-21 12:41:00

Patriku Ekumenik Bartolomeu: Mesazh i Krishtlindjes


“Edhe një herë, brohoria “Lindi Krishti” jehon “në një botë përplot me dhunë, me konflikte të rrezikshme, pabarazi shoqërore e nëpërkëmbje të të drejtave themelore të njeriut” - kështu shkruan Patriku Bartolomeu, kryepeshkop i Kostandinopojës, në mesazhin e tij të Krishtilindjes, botuar edhe në L’Osservatore Romano.

Thirrje për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Patriku kujton se 2018-ta është vit i kremtimit të 70-vjetorit të Deklratës universale të të drejtave të njeriut që, pas përvojës së tmerrshme shkatrrimtare të Luftës II Botërore, shpalli idealet e përbashkëta fisnike, që të gjithë popujt dhe të gjitha vendet duhet t’i respektojnë vendosmërisht. Por - nënvizon në vijim, me keqardhje - qëndrimi mospërfillës ndaj kësaj Deklarate vijon, ndërsa një mori shpërdorimesh dhe shpjegimesh të gabuara të të drejtave njerëzore, minojnë respektimin dhe realizimin e tyre. Vijojmë të mos e nxëmë mësimin e historisë, jo pse nuk e kuptojmë, por pse nuk duam - pohon Bartolomeu, sipas të cilit “As përvoja tragjike e dhunës dhe e zvetënimit të njeriut e as shpallja e idealeve fisnike nuk e penguan njerëzimin të vijojë udhën e agresionit e të luftës, të etjes për pushtet e të shfrytëzimit reciprok”.

Paqja e vërtetë vjen nga Zoti

As “sundimi i teknologjisë” e as fitoret e jashtëzakonshme të shkencës e të progresit ekonomik, nuk e sollën drejtësinë shoqërore e paqen, aq të dëshiruar. Në ditët tona “të pasurit po durohen jashtë mase e globalizimi po shkatërron kohezionin shoqëror dhe harmoninë”. E kush mund të mos i vërejë këto kërcënime kundër njeriut? “Nuk ka gjë më të shenjtë se njeriu, natyrën e të cilit e mori vetë Zoti. Të luftojmë prandaj, për dinjitetin njerëzor, për mbrojtjen e lirisë e të drejtësisë njerëzore, duke e ditur mirë se paqja e vërtetë vjen nga Zoti”.

Liria e Krishtit është vërtetësi në dashuri

Në Kishë - shkruhet në mesazhin e Primatit ortodoks - provojmë lirinë, përmes Krishtit, në Krishtin e me Krishtin. Liria në Krishtin orientohet gjithnjë drejt të afërmit, drejt tjetrit, pohon gjithnjë të vërtetën në dashuri. Kjo e vërtetë është guri i këndit dhe garancia për ardhmërinë e njerëzimit. Kur bazohemi mbi këtë ethos, jemi në gjendje të përballojmë sfidat e botës sonë, që na kërcënojnë jo vetëm mirëqenien, por edhe vetë mbijetesën.

Dorëzimi i diplomës honoris causa

E për kontributin “vendimtar” të fesë në mbrojtjen e ambientit, të kulturës e të solidaritetit, të dialogut e të paqes, Bartolomeu foli me rastin e dorëzimit të diplomës honoris causa nga Universiteti Hebraik i Jeruzalemit. “Gabimi ynë më i madh - theksoi në lectio magistralis - nuk është fakti se duhet të presim shumë nga feja, por pse nuk presim shumë më tepër nga kjo fuqi kaq e madhe shpirtërore, me rrënjë të thella në shpirtin njerëzor, për çështjet që kanë të bëjnë me paqen, solidaritetin, kuptimin e jetës dhe cakun e amshuar të njeriut e të krijimit. Nuk mund t’i kuptojmë e as t’i vlerësojmë drejt kulturat njerëzore në unitetin dhe larminë e tyre, pa kujtuar rrënjët fetare - vërejti Patriku. Për fat të keq shpërthimi i fundamantalizmit dhe aktet e tmerrshme të dhunës në emër të fesë, krijojnë argumente kundër fesë dhe mbështesin identifikimin e fesë me aspektet e saj më negative. Në të vërtetë, dhuna është mohimi i feve dhe i  doktrinave  themelore fetare.

Fetë, mjete paqeje e tolerance

Duke kujtuar dyzet vjetët e dialogut ndërmjet Patriarkanës ekumenike dhe Komitetit hebraik për Këshillime Ndërfetare (The International Jewish Committee on Interreligious Consultations (IJCIC), Bartolomeu nënvizon, në vijim, se në të kaluarën, për shekuj me radhë, në rajonin mesdhetar vijoi bashkëjetesa paqësore ndërmjet hebrenjve, të krishterëve e myslimanëve. Kjo përvojë tregon se njerëz me fe të ndryshme, mund të jetojnë së bashku, duke u mbështetur mbi parimet bazë të traditave të tyre, që promovojnë solidaritetin dhe dëshminë e përbashkët. “Tregon, e edhe dëshmon - ngulmoi - se fetë mund të shërbejnë si ura ndërmjet njerëzve, si mjete paqeje, tolerance, mirëkuptimi, si udhë për afrimin ndërmjet kulturave”.

Dialog ndërfetar, për të nxitur frymën e besimit

Dialog ndërfetar nuk do të thotë ta mohosh fenë tënde, por të ndryshosh mendësi e sjellje në marrëdhëniet me të tjerët. Në këtë kuptim, mund t’i kapërcesh paragjykimet  e të kontribuosh për zgjidhjen paqësore të konflikteve. Paragjykimet dhe agresiviteti  rrjedhin nga keqkuptimi i fesë. Prej këndej, dialogu ndërfetar mund t’i davarisë frikën  dhe dyshimin e të ngjallë frymën e besimit.

Të praktikohet solidariteti e bashkëpunimi

Për Kryeipeshkopin e Kostandinopojës, besueshmëria e feve sot varet fuqimisht nga mënyra si e mbrojnë lirinë dhe e dinjitetin e njeriut: “Ky është parakusht jo vetëm për bashkëjetesën, por edhe për mbijetesën e vetë njerëzimit. Vetëm së bashku mund t’u bëjmë ballë sfidave të kohës: asnjë komb, asnjë shtet, asnjë fe, asnjë shkencë – nuk mund t’i përballojë vetëm problemet aktuale”.

E ardhmja - e përbashkët

Është utopike të besosh se kultura e solidaritetit mund të vendoset përmes globalizimit, progresit ekonomik, internetit ose edhe pëmes progresit të admirueshëm të teknologjisë - përfundon Bartolomeu. - Kemi nevojë për njëri-tjetrin; kemi nevojë për mobilizim të përbashkët, përpjekje të përbashkëta, objektiva të përbashkëta. Për më tepër, e konsiderojmë krizën e ndërlikuar të kohëve tona, si mundësi për të praktikuar solidaritetin, dialogun, bashkëpunimin, hapjen, besimin. “Me që kemi një ardhmëri të përbashkët, edhe udha drejt kësaj ardhmërie është shtegtim i përbashkët”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.