Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa : të krishterët të jenë plot gëzim, jo me fytyra të përmortshme

Papa kremton Meshën në Shën Martë

21/12/2017 14:23

Fytyra njerëzish të rilindur, të falur, jo si të njerëzve që shkojnë të ruajnë të vdekurin. Rreth këtij  gëzimi, i cili buron nga falja e mëkateve e nga afërsia e Zotit, u shtjellua homelia e sotme e Papës Françesku, mbajtur gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës. Si Leximi I, ashtu edhe Ungjilli (Lk 1,39-45), flasin për këtë gëzim të thellë, që gurron nga shpirti e nuk është thjesht gëzim feste. E tërë liturgjia na përcjell pikërisht këtë kumt gëzimi: “Gëzoju! Ji gjithë shend!”.

Gëzohemi, sepse u falëm

Papa theksoi me forcë tre aspekte të këtij gëzimi. Së pari, ky gëzim lind nga falja. “Zoti na e hoqi dënimin”. Papa, pra, ftoi të gëzohemi e të mos jetojmë në trishtim, pikërisht ngaqë e dimë se u falëm. E kjo është rrënja e gëzimit të krishterë. Mjafton të mendosh për gëzimin e një të burgosuri, kur i falet dënimi, ose për të sëmurët, për të gjymtuarit, që shërohen në faqet e Ungjillit. E edhe në jetë. Duhet të jemi, prandaj, të vetëdijshëm për shëlbimin, që na solli Krishti.

Një filozof i kritikonte të krishterët e mbahej agnostik - a ateist, nuk jam i sigurt, por i kritikonte të krishterët e thoshte: “Moreee, këta të krishterët na thonë se kanë një shpëtimtar! Po unë do të besoj në Shpëtimtarin e tyre, vetëm kur t’i shoh me fytyra të shpëtuarish, plot me gëzim, sepse të rikthyer në jetë”. Po nëse ti e ke fytyrën, si të atyre që shkojnë të ruajnë të vdekurin, si mund të të besojë kush se shpëtove,  se u ringjalle, se t’u falën mëkatet e t’u hoq dënimi? Kjo është pika e parë, mesazhi i parë i liturgjisë së sotme: ti u fale, secili nga ne është një njeri i falur!

“Zoti është Hyj i faljes - vijoi Papa - duke i nxitur besimtarët ta marrin këtë falje e të shkojnë përpara me gëzim, sepse Zoti do të na i falë edhe gjërat që i bëjmë të gjithë, për shkak të ligështisë njerëzore”.

Gëzim, sepse Zoti ecën përkrah nesh

Ftesa e dytë është të jemi të gëzuar, edhe pse Zoti “ecën me ne” që nga çasti në të cilin e thirri Abrahamin. “Është mes nesh”, në provat tona, në vështirësitë, në gëzimet, në gjithçka. Prej këndej, Françesku nxiti që gjatë ditës t’i drejtojmë ndonjë fjalë Zotit, të cilin e kemi gjithnjë pranë, në çdo çap të jetës sonë”.

Pesimizmi në jetë nuk është i krishterë

Aspekti  i tretë, është të mos lejojmë  “të na këputen krahët”, kur na sulmon fati i zi: pesimizmi në jetë nuk është i krishterë, lind nga një rrënjë, që nuk i ka provuar kurrë ledhatimet e Zotit. E Ungjilli - mund ta themi me plot gojën - na bën ta shikojmë këtë gëzim:

“Maria, plot gëzim, u ngrit ngutshëm” - edhe gëzimi të shtyn të nxitosh, sepse hiri i Shpirtit Shenjt nuk e di ç’është ngathtësia, nuk  e pranon ... Shpirti Shenjt  është për ngut, gjithnjë, na shtyn edhe ne të ngutemi: të shkojmë përpara, përpara, përpara, si era që shtyn velat e barkës...”.

Ngreju e gëzo!

Bëhet fjalë për atë gëzim që e bëri fëmijën të hovë në bark të Elizabetës, kur u takua me Marinë:

“E ky është  gëzimi, për të cilin Kisha na thotë: ju lutemi, të jemi të krishterë gazmorë, të përpiqemi që të gjithë,  kur të na shikojnë, të binden se shpëtuam, se Zoti na fali gjithçka bëmë e, nëse shkasim përsëri, Ai do të na falë përsëri, ngaqë është Zoti i ndjesës, i faljes, Zoti mes nesh e nuk na lë me krahë të këputur. Ky, mesazhi i sotëm: “Ngreju!”. Është ftesa “Ngreju”, që Jezusi ua drejtonte të sëmurëve: “Ngreju, shko, bërtit në kupë të qiellit nga gëzimi, ngazëllo e brohorit me gjithë zemër!”.

21/12/2017 14:23