Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Me 21 dhjetor kalendari kujton shën Pjetër Kanizin, jezuit e dijetar i Kishës

Shёn Pjetёr Kanizi - RV

21/12/2017 00:00

Me 21 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Pjetër Kanizin, meshtar jezuit e dijetar i Kishës. Shën Pjetër Kanizi, jezuit qe i dërguar i veçantë në Koncilin kishtar të Trentos. Emërohet nga shën Injaci i Lolojës epror i parë i Urdhrit të Jezuitëve në Gjermaninë e Lartë, kontribuoi në zgjimin e ndërgjegjësimit ndër katolikët gjermanë. Luftoi kundër ligështive e plagëve të Kishës, për ta përmirësuar.

Shën Pjetër Kanizi njihej me epitetin, që nuk i shkonte për shtat ‘çekani i heretikëve’; do të ishte më e gjetur të quhej hekur i vendosur ndërmjet kudhrës e çekanit, do me thënë njeri i vënë në shënjestër, sepse predikimet e tij të qarta ngjallnin zemërim në mjediset protestante e zili ndërmjet vetë shokëve të tij të fesë.

Pjetri lindi në Nemeg të Holandës më 1521. Bir i një familjeje të pasur, pati mundësinë të ndiqte shkollat më të mira të kohës. Studioi për drejtësi kanonike në Luven e për drejtësi civile në Këln.

Kur ishte në këtë qytet, i pëlqente të jetonte në kuvendin e çertozinëve. Askujt nuk i pati shkuar ndër mend se avokati i ri, të cilit i ati i kishte siguruar një të ardhme të ndritur profesionale, nën veshje fshihte grathoren. Leximi i një libri të vogël për ushtrime shpirtërore, shkruar nga Shën Injaci, qe vendimtar për zgjedhjen e rrugës së jetës të Shenjtit të ardhshëm..

Si kreu përgatitjen shpirtërore nën drejtimin e Atë Faber, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve e qe jezuiti i shtatë që bënte kushtet e përjetshme. Në Urdhrin ku kishte hyrë, iu krijuan të gjitha mundësitë t’i kushtohej studimeve që i pëlqenin e të shuante etjen për dituri. Botoi kështu njëra pas tjetrës veprat e Shën Çirilit të Aleksandrisë, të Shën Leonit të madh, të Shën Jeronimit e të Ozios të Kordovës.

Duke jetuar në atmosferën e reformës e të kundër- reformës, mori pjesë aktive në Koncilin e Trentit, si teolog i kardinalit Trukses e këshilltar i papës. U dallua për thellësinë e kulturës së tij teologjike, për zellin në punë, por edhe për shpirtin pajtues. Shën Injaci e thirri në Itali dhe e dërgoi menjëherë në Sicili për themelimin e kolegjeve të famshme, e pastaj në Bolonjë, për të dhënë mësimin e teologjisë.

Nga Bolonja shkoi në Gjermani ku për 30 vjet me radhë qe epror provincial. Shkriu në këtë detyrë energjitë e tij më të mira, në një epokë tepër të vështirë për shkak të përçarjes që ishte shkaktuar nga reforma protestante. Meritoi epitetin Apostulli i dytë i Gjermanisë, pas Shën Bonifacit. Papa Piu V deshi ta krijonte kardinal, po ai iu lut Papës ta linte në shërbimin e përvujtë të bashkësisë.

Në zemrën e Krishtit është burimi i misionit apostolik

Para se të nisej për Gjermani, shën Pjetër Kanizi, i cili me të drejtë quhet apostulli i saj i dytë, pasi mori bekimin apostolik, pati përvoja të ndodhive shpirtërore jashtëzakonisht të larta, të cilat ai vetë i përshkruan me fjalët që vijojnë: “I pëlqeu mirësisë sate të pakufi, o Kryeprift i amshuar, që unë t’ua besoja efektshmërinë dhe përforcimin e atij bekimi apostolik, apostujve të tu, Pjetrit e Palit të cilët nderohen në Vatikan dhe që, sipas dëshirës sate, bëjnë gjëra të mrekullueshme: atje unë ndjeva se një ngushëllim i madh dhe prania e hirit tënd më janë dhuruar nëpërmjet atyre ndërmjetësuesve. Edhe ata më bekuan, e përforcuan misionin tim në Gjermani, dhe dukej se më përcillnin, si apostull të Gjermanisë, mbështetjen e dashamirësisë së tyre. Ti e di mirë, o Zot, në sa mënyra dhe sa herë – në atë ditë – ma besove Gjermaninë, për të cilën më pas unë do të vazhdoja të isha i zellshëm dhe për të cilën do të dëshiroja të jetoja e të vdisja.

Së fundi, si po të më ishte hapur zemra e trupit tënd të shenjtë, që më dukej se e shihja para meje, ti më urdhërove të pija në atë burim, duke më ftuar të nxirrja ujin e shpërblimit tim prej burimeve të tua, o Shëlbuesi im. E unë kisha një dëshirë të zjarrtë që lumenj feje, shprese dhe dashurie të derdheshin mbi mua. Kisha etje për varfëri, për pastërti, për dëgjesë dhe kërkova që prej teje të lahesha i tëri, të vishesha dhe të stolisesha. Pra, pasi që guxova të arrija tek zemra jote shumë e ëmbël dhe të shuaja në të etjen time, ti më premtove një veshje të thurur prej tri pjesësh, që të mund ta mbronin zhveshësinë e shpirtit tim dhe të mund të ishin krejtësisht të përshtatshme për këtë mision: ato ishin paqja, dashuria dhe qëndrueshmëria. I veshur me këtë petk shëlbimi, unë pata besim se asgjë nuk do të më mungonte dhe se çdo gjë do të realizohej për lavdinë tënde”.

21/12/2017 00:00