2017-12-21 16:38:00

Ku është Shpella e Betlehemit, është jeta e historia. Etapa V- Betlehem.


Në prag të Krishtlindjes, po vijojmë me disa faqe nga tradita dhe letërsia e krishterë, që i nisëm me historikun e Shpellës së Betlehemit. Titullohen: “Ku është Shpella e Betlehemit, është jeta e historia!”. Pas Greços, Romës, Napolit, Balldrênit, sot, në etapën V, do të vizitojmë një Shpellë Betlehemi - në Betlehemin e Palestinës...

Gjithçka treguam deri tani, nisi dymijë vjet më parë. Sipas Shën Lukës Ungjilltar (në të vërtetë quhej Lukan e ishte mjek nga Antiokia, dishepull i Shën Palit), Jozefi e Maria, shtatzënë e vetëm pak ditë para lindjes, kishin shkuar në këtë qytezë, dhjetë kilometra në jug të Jeruzalemit, për regjistrimin e popullatës, sipas vendimit të Romës (historianët dhe arkeologët mendojnë se ishte fjala për një regjistrim të bërë me urdhërin e perandorit, rreth vitit 6 pas Krishtit). E, duke mos gjetur vend, përfunduan në një shpellë. Aty lindi Foshnja e ata s’patën vend tjetër ku ta vinin, veçse mbi grazhd. Sot mbi atë grazhd të thjeshtë, lartohet bazilika e Lindjes së Krishtit, në qendër të diskutimeve me ortodoksët, e rrethuar gjatë në Intifadën e dytë, e rrezikuar nga ndeshje të reja, në këto vise, ku s’ka paqe, por ku, megjithatë, vijojnë shtegtimet. Gjithë vitin. Por sidomos këto ditë të mëdha, kur përsëritet misteri i mishërimit të Zotit.

Përsëritet ngjarja e Natës së Shenjtë...

...kur një heshtje e thellë shtrihej mbi gjithë rruzullimin e toka dukej sikur nuk merrte frymë. Në pritje të ngjarjes së madhe. Ndërsa në qiell engjëjt ngrinin sytë kah Sferat e nalta, ku, në qendër të rrethit të Kerubinëve e të Serafinëve, lartohej Froni i Zotit. E ja: po ndodhte çka pritej prej një kohe tepër të gjatë, e dëshirohej me zjarr zemrash prej zanafille.

Papritmas, rrethi u hap e banorët e qiellit panë Zotin... Para tij zgjatej një udhë e ndritshme, që zbriste poshtë, gjithnjë më poshtë.... po atje engjëjt nuk panë gjë tjetër, veç një shpelle të varfër, ku një grua e një burrë qenë ulur rreth një grazhdi, në shoqëri të një kau e të një gomari.

Burri dremiste, po gruaja i kishte sytë të lartuar nga qielli e, kur e pa udhën e ndritshme, që zbriste në kraharorin e saj, ngriti krahët e priti Foshnjën Hyjnore.

Atëhere, këngët e engjëjve mbushën përplot gjithësinë, e cila jetoi lajmin e mirë, më të mirin, që ish dëgjuar ndonjëherë: “Sot lindi për ne Shëlbuesi, Krishti Zot!”...

Rikujtim, në Betlehem

Kjo ngjarje rikujtohet këto ditë posaçërisht në Qytezën ku lindi Zoti. Mund ta rijetojmë, me të gjitha figurat, duke soditur Shpellën e thjeshtë të Betlehemit, realizuar me dru ulliri, simbol i paqes, nga artizanët vendas, një grup mjeshtrash, skalitës druri, që përpiqen ta gjallërojnë ekonominë e tronditur rëndë të qytetit (për informacion www.avsi.org). Rreth djepit çdo vit jetohet një festë e varfër, në atmosferën e paqes shpirtërore, që duket sikur zbret nga sferat qiellore, si atë natë, kur zbriten engjëjt, duke kënduar himnin, që jehon në një situatë përsëri e gjithnjë të nderë, në këto vise: “Lumni  i qoftë Zotit në qiell, e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë”. E ky është mesazhi i Betlehemit, i Zotit, që lind mbi një grazhd me kashtë, ngrohur nga avulli i dy frymorëve... ndriçuar nga drita e Kometës...  E tundet më pas mbi një djep... për të cilin do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm...








All the contents on this site are copyrighted ©.