2017-12-20 13:42:00

Marrëveshje Vatikani-RAI për vitin 2018: meshë në 4K e dokumentarë të rinj


Jo vetëm mesha e Natës së Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit në definicion tejet të lartë, por edhe prodhime të mëdha në vazhdën e suksesit të “Sonte në Shën Pjetër”, dokumentar i paleontologut e gazetarit italian Alberto Angela. Këto janë frytet e bashkëpunimit ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe RAI-t (Radiotelevizionit Italian), të cilat zyrtarizohen tani me një marrëveshje për gjithë vitin 2018.

Promovimi i pranisë së Selisë Apostolike në fushën mediatike ndërkombëtare

“Marrëveshja me RAI-n – pohon prefekti i Sekretarisë vatikanase për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò – është pjesë e një tradite, që kur përtërihet, bën edhe hapa të tjera përpara”. Qëllimi i saj, sipas të dyja palëve, është promovimi i pranisë së Selisë Apostolike në fushën mediatike ndërkombëtare, si në rastin e ngjarjeve papnore apo kishtare të rëndësishme për të gjithë, ashtu edhe në kërkimin e zgjidhjeve teknologjike e të gjuhës së aftë për të interpretuar ngjarjet në mënyrë origjinale e në përkim me kohën.

Mesha e Krishtlindjes në Ultra HD 4K

Marrëveshja do të konkretizohet që më 24 dhjetor, me meshën e Natës së Krishtlindjes, kremtuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 21.30. Kremtimi do të transmetohet drejtpërdrejt në formatin e ri Ultra HD 4K në kanalin RAI 4K, falë bashkëpunimit të disa firmave të rëndësishme në fushën e komunikimit. Kujtojmë se ky format jo vetëm e përmirëson cilësinë e pamjes, duke e bërë atë më të detajuar, por të jep edhe përshtypjen e hapësirës tripërmasore, pavarësisht se monitori i televizorit mbetet dypërmasor. Ndër të parat në botë, Sekretaria për Komunikimin do të ndihmojë në realizimin e një xhirimi eksperimental në 8K (pra, edhe më i qartë e më cilësor), që do të përurojë kanalin Vatican Media të prodhimit shumëmedial të Vatikanit, fryt i reformës së kërkuar nga Papa Françesku.

Ndër dokumentarët e realizuar tashmë, mund të përmendim atë me titull “Të ruajmë e të mbrojmë”, që flet për Xhandarmërinë e Vatikanit. Do të transmetohet nga RAI 1 më 29 dhjetor, pas orës 22.00.








All the contents on this site are copyrighted ©.