Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Kard. Tagle: mjaft me homelitë e mbushura me telenovela

Kardinali Luis Antonio Tagle - RV

20/12/2017 15:05

Mjaft me homelitë e mbushura me batuta, që vijnë nga reklamat e nga telenovelat. Për t’i folur shpirtit të njerëzve, meshtari duhet të tregojë histori jete të vërtetë, përndryshe do të krijojë idenë se e kalon kohën para televizorit. Kryeipeshkvi i Manilës, kardinali Luis Antonio Tagle, jep disa rregulla në librin “Rreziku i shpresës. Si të flasim për Zotin në ditët tona”, paraqitur në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”.

Ndal teknicizmave dhe stërhollimeve

         Kryeipeshkvi filipinas u drejtohet sidomos atyre, që u shpjegojnë studentëve-meshtarë si duhet ta thonë homelinë: “Nganjëherë e shndërrojmë atë në një botë me teknicizma e stërhollime. Madje, disa u kërkojnë seminaristëve të filmohen, ndërsa predikojnë, në mënyrë që t’i gjykojë e gjithë klasa: ‘E lëviz pak si tepër shpesh kokën. Mos i lëpi buzët. Shiko majtas, pastaj djathtas e filloja!’. Kjo mund të jetë e rëndësishme, por predikatori duhet të shpallë Fjalën e Zotit apo, më mirë akoma, duhet të komentojë jetën e njerëzve në dritën e Fjalës së Zotit. Për ta bërë këtë, duhet t’i kushtohet dëgjimit”.

Jo, homelive, që duken si të dala nga filmat

         “Arsyeja për të cilën ekziston homelia – shpjegon kardinali Tagle – është të ndezë flakë zemrën e njerëzve, siç i ndodhi samaritanes pranë pusit. Fjala e Zotit i flet dikujt, në gjendjen në të cilën ndodhet. Kjo kërkon shumë dëgjim e shumë studim. Prandaj, u kërkoj meshtarëve: ‘Kur ka qenë hera e fundit, që ke arritur ta përfundosh një libër?’ Shpesh, nga shembujt e dhënë në homeli, kuptohet se me çfarë është mbrujtur predikatori: nëse përmend vetëm filma e telenovela, jep përshtypjen se e kalon kohën para televizorit. Pse të mos takojë njerëzit? Pse të mos vizitojë shtëpitë, të mos shkojë në lagjet e varfëra e të marrë hua historitë e banorëve të barakave, në vend që të përmendë historitë e skenaristëve? E vërteta është se nuk duan të shkojnë tek njerëzit dhe ia besojnë homelinë historive të rreme, të menduara për reklama”.

Mos u jepni oferta meshtarëve, që harrojnë të luten për ndjetet e besimtarëve

         “Shpirti i kësaj bote – vijon më tej prelati – është tundim tjetër, që shfrytëzon gjërat shpirtërore për të fituar diçka tjetër. Po tregoj ç’ndodh nganjëherë. Një grua i jep meshtarit një zarf me një ofertë bujare e i thotë: ‘Lutu për vajzën time, sepse ka një provim të rëndësishëm për t’u pranuar në universitet’. Meshtari e merr zarfin, por a lutet pastaj? Pas disa muajsh vjen prapë zonja: ‘Atë, faleminderit për lutjet’. E meshtari përpiqet të kujtohet: ‘Ah, po, djali është mirë tani? A doli nga spitali?’. E gruaja: ‘Unë kërkova të luteshit për universitetin e vajzës’. E atëherë, për të shmangur figurën e keqe, meshtari thotë: ‘Aaaa, po, po! U luta për të!”.

         “Po turp s’të vjen? Prandaj i paralajmëroj besimtarët të mos na thonë të lutemi për ndjetet e tyre, sepse shpesh, harrojmë. Por nëse meshtari e pranon ofertën, duhet të lutet me të vërtetë e seriozisht”, pohon kardinali Tagle në librin e tij “Rreziku i shpresës. Si të flasim për Zotin në ditët tona”.

20/12/2017 15:05