2017-12-20 19:07:00

Imzot Pizzaballa: vendimi i Trump për Jeruzalemin e largon paqen


Çështja e Jeruzalemit vazhdon ta shqetësojë botën. Pas vetos së SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për rezolutën anti-Trump paraqitur nga Egjipti e votuar nga 14 prej 15 anëtarëve, nesër hapet një faqe e re kundër vendimit të Uashingtonit për ta njohur Qytetin e Shenjtë si kryeqytet të Izraelit. SHBA-të mund të penalizohen nga votimi i nesërm i së njëjtës rezolutë në asamblenë e OKB-së, prandaj sot, ambasadorja amerikane Nikki Haley kërcënoi se do të shënojë emrat e atyre, që do të votojnë pro rezolutës egjiptiane. Tani për tani, Moska nuk prononcohet, por shprehet gjithnjë e më e shqetësuar, ndërsa kryeministrja britanike Theresa May, në një telefonatë me presidentin Trump, shprehu mospajtimin e plotë të Mbretërisë së Bashkuar.

Të ruhet status quo-ja

Nga Kishat e Tokës Shenjte ngrihet thirrja për ruajtjen e “status quo”-së, themelore thonë 13 krerët e krishterë nënshkrues të tekstit, për të garantuar paqen deri në një marrëveshje më të qëndrueshme. “Jeruzalemi është dhuratë e shenjtë, tabernakull për botën mbarë”, shkruajnë krerët fetarë e patriarkët, duke nënvizuar se nëse ka përpjekje për një përdorim ekskluziv të Qytetit Shenjt, për ta konsideruar atë si pronë personale e për t’i përjashtuar të tjerët, mund të përvijohen skenarë të errët.

Vendime kundër paqes

Vendime të njëanshme si ai i presidentit amerikan Trump për Jeruzalemin “nuk sjellin paqe, madje e largojnë atë”, pohon administratori apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, në takimin tradicional me gazetarët para Krishtlindjes. “Nga pikpamja e jetës së zakonshme – shton më tej – asgjë nuk ka ndryshuar, por deklarata e presidentit, e cila parimisht e cënon ‘status quo’-në, atë ekuilibër të brishtë, që rregullon marrëdhëniet ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, është e rrezikshme, sepse çdo deklaratë, që përjashton ndokënd, shkon kundër frymës së qytetit. Jeruzalemi nuk është vetëm qytet i izraelitëve dhe i palestinezëve: është qytet edhe për të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët e, duhet të ketë vokacion universal, pra, të jetë i hapur për të gjithë”.

Kremtimi i Krishtlindjes

Megjithëse tensioni në Lindjen e Mesme është i lartë, imzot Pizzaballa njoftoi se kremtimet e Krishtlindjes nuk do të pësojnë ndryshime. “Do t’i bëjmë gjërat sipas parashikimit – tha ai. – Duam drita të ndezura, duam skautët, konfuzionin, pra, festën! Duhet ta bëjmë të dukshme praninë tonë në territor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.