2017-12-19 15:00:00

Toka Shenjte: Kishat e Jeruzalemit, në Mesazhin e Krishtlindjes: status quo për Qytetin Shenjt


“E rishprehim qëndrimin tonë të qartë, duke kërkuar ruajtjen e status quo të Qytetit Shenjt, derisa të arrihet marrëveshja e drejtë  e paqes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, mbi bazën e bisedimeve e të ligjit ndërkombëtar”. Këtë kërkojnë, në mesazhin e tyre të Krishtlindjes, Patrikët dhe Krerët e Kishave të Jeruzalemit.

Viset e Shenjta, vende takimi për  unitetin e popujve

Në tekstin e mesazhit - sipas agjencisë Sir - 13 liderë të krishterë, ndërmjet të cilëve imzot Pierbattista Pizzaballa, Administrator Apostolik i Jeruzalemit të latinëve dhe Rojtari i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton, ripohojnë se “prania e të krishterëve të Tokës Shenjte, lidhet ngushtë me Viset e Shenjta dhe me të drejtën për të hyrë ndër to, si vende mbledhjesh e takimesh për bashkimin ndërmjet popujve e feve të ndryshme. Janë Viset e Shenjta, që i  kanë dhënë kuptim të veçantë gjithë rajonit”.

Jeruzalemi, dhuratë e shenjtë

Çfarëdo përçapjeje me natyrë thjesht politike në Jeruzalem - shkruajnë përfaqësuesit e feve - do ta lërë qytetin pa thelbin e tij e pa karakteristikat e tij e do të  shkelë  mekanizmin, që e ruajti paqen në shekuj. Jeruzalemi është dhuratë e shenjtë - vijon mesazhi - është tabernakull, tokë e shenjtë për mbarë botën. Të bësh provë për ta zotëruar Qytetin Shenjt, Jeruzalemin, ose për ta kufizuar me kritere monopolizuese, do të çojë në një realitet tejet të errët.

Thirrje për paqe

“Vijojmë të lutemi për mbarë rajonin e Lindjes së Mesme - përfundon mesazhi - e i kërkojmë Princit të Paqes t’i frymëzojë zemrat dhe mendjet e të gjithë atyre, që kanë autoritet, të ecin në udhën e paqes, të drejtësisë e të pajtimit ndërmjet kombeve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.