2017-12-19 14:41:00

Pjelloria është bekim: kështu Papa Françesku gjatë Meshës në Shën Martë


Zoti është pjellor e dëshiron që kështu të jemi të gjithë, duke jetuar për të tjerët e duke dhënë edhe jetën. Papa, në Meshën e mëngjesit na ftoi të shikojmë djepin e zbrazët, në pritje të fëmijës, e të shikojmë edhe zemrën tonë, që të mos mbetet e mbyllur, si objekt muzeu.

Shterpësi e pjellori: këto, dy fjalët kryesore në homelinë e Françeskut gjatë kremtimit të Meshës, në Shtëpinë e Shën Martës. Leximet e ditës na paraqesin skenën prekëse të lajmit, që u jep engjëlli dy grave beronja e të shtyra në mote. Do të lindin djem: njëra Sansonin e tjetra, Elizabeta, Gjon Pagëzuesin. Shterpësia aso kohe ishte turp, ndërsa lindja e fëmijës, hir e dhuratë e Zotit. Në Bibël - shpjegoi Papa - takojmë shumë gra sterile, që dëshirojnë me zjarr një bir a një bijë, e edhe nëna, që qajnë për humbjen e bijve, sepse mbeten pa trashëgimtarë: takojmë Noemin, Anën, Elizabetën…

Pjelloria në Bibël është bekim

“Mbusheni tokën, shtohuni e shumohuni!” - kujtoi Françesku - ishte urdhërimi i parë, që u dha Zoti etërve tanë. “Ku është Zoti, aty është pjelloria”.

Më kujtohen, po kjo i takon së kaluarës, disa vende, që zgjodhën rrugën e shterpësisë. E tani vuajnë nga sëmundja  më e keqe, që është dimri demografik. Atje….. e dimë… nuk bëjnë fëmijë. “Jo, sepse mirëqenia … se kjo… e se ajo tjetra…”. Vende të zbrazura, pa djepa, pa fëmijë! Ky nuk është bekim. Po kjo është diçka kalimtare. Sepse pjelloria është gjithnjë bekim i Zotit.

Pjellori materiale e shpirtërore - saktësoi Papa. - Të japësh jetë! Një njeri mund edhe të mos martohet fare, si meshtarët e rregulltarët, po duhet të jetojë duke dhënë jetën për të tjerët. Mjerë ne - nënvizoi - nëse nuk jemi pjellorë me vepra të mira.

Edhe shkretëtira do të lulëzojë:  ky, premtimi i Zotit

Pjelloria është shenjë e Zotit. E Françesku kujtoi simbolet tejet të bukura, që zgjedhin profetët. Shkretëtirën, për shembull. Ç’gjë është më e shterpët se shkretëtira? E pra ata thonë se edhe ajo do të lulëzojë, se në tokën e tharë do të gurrojnë ujërat. “Është premtim i Zotit. Zoti është pjellor”.

Vërtet se djalli dëshiron shterpësinë. Do që ne të mos jetojmë për të dhënë jetën, si jetën fizike, ashtu edhe atë shpirtërore, për të tjerët. Do që të jetojmë vetëm me vetveten: me egoizëm, fodullëk, kotësi. Ta dhjamim shpirtin, duke jetuar vetëm për vete, pa i përfillur fare të tjerët. Djalli  mbjell e rrit egjrën e egoizmit e nuk na lë të shtojmë e të shumojmë mirësinë, miqësinë, paqen ndërmjet nesh.

Pjelloria është hir, për t’u kërkuar nga Zoti

Është hir, të kesh fëmijë, që të na i mbyllin sytë në çastin e fundit - kujtoi Françesku - e citoi në vijim, shembullin e një misionari të motnuar të Patagonisë që, në moshën nëntëdhjetë vjeçare, thoshte se i kish kaluar jeta si era, por ama se kishte një mori bijsh në shpirt rreth shtratit të vdekjes,  që do t’ia mbyllnin sytë e do ta përcillnin me lot!

E, në fund, Papa kujtoi Krishtlindjen, tashmë fare pranë:

Këtu është një djep bosh, mund ta shikojmë. Mund të jetë simbol shprese, sepse do të vijë një Ferishte; por mund të jetë edhe objekt muzeu, i zbrazët gjithë jetën. Edhe zemra jonë është djep. E si është zemra ime? Është bosh, gjithnjë bosh, por e hapur për të marrë vazhdimisht jetë e edhe për të dhënë jetë? Për të marrë e për të qenë pjellore? Apor është zemër e ruajtur si qyp muzeu, që nuk hapet kurrë për të dhënë, as për të marrë jetë? Ju këshilloj - tha në përfundim Françesku -  ta shikoni këtë djep bosh e të thoni: “Eja, o Zot, mbushe përplot djepin, mbushma zemrën e nxitmë të jap jetë, të jem frytdhënës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.