Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Ku është Shpella e Betlehemit, është jeta e historia. Etapa III- në rrugën Shën Gregori armen. …

Në rrugën Shën Gregori armen - RV

19/12/2017 14:53

Në prag të Krishtlindjes, po vijojmë me disa faqe të famshme nga tradita dhe letërsia e krishterë, duke nisur me historikun e Shpellës së Betlehemit. Titullohen: Ku është Shpella e Betlehemit, është jeta e historia! Në emisionin e kaluar folëm për Shpellën e parë të Betlehemit, realizuar në art, e pikërisht në skulpturë, me shtatore të mëdha, skalitur nga Arnolfo di Cambio, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë. Ishte etapa II e shtegtimit drejt Shpellës së Betlehemit. Sot, etapa III, na çon në Napoli, në rrugën e famshme Shën Gregori armen. …

 

Rrugë i thonë, por në të vërtetë është një univers i tërë. E rrëmben menjëherë kalimtarin, që i afrohet. Edhe nëse kalon fare rastësisht andejpari, në këto ditë, që i paraprijnë Krishtlindjes. Këtu shiten shtatoret më të bukura të kësaj tradite, tejet të dashur për napolitanët. I punojnë mjeshtra, që dinë gjithçka për engjëjt, barinjtë, shtëpitë, puset, pemët … punuar me brusha, me zamkë, tutkall, shtupa, dru… prej nga del një mrekulli harmonie. Çdo familje, që e bën për vit Shpellën e Betlehemit, kur kalon këndej pari, nuk mund të mos ndalohet e, edhe të mos tundohet për t’i shtuar një shtatore të re botës së vogël, të mbyllur, që vihet në skenë, rreth grazhdit. Është tradita napolitane, e pasqyruar nga Edoardo de Filippo në filmin “Krishtlindje në Shtëpinë Cupiello”. Shtatoret napolitane i përkasin kryesisht traditës së lashtë,  si bariu i quajtur  Benitro, që dremit, në pritje të Krishtlindjes. Por edhe aktualitetit. Shtohet për vit aty ndonjë president a kryeministër, i mirënjohur në vende të mëdha a të vogla të botës, që i frymëzon mjeshtrat e shtatoreve. Edhe i karikaturizuar, kur e meriton. E pikërisht rreth Shpellës matet popullariteti, që gëzojnë personalitetet politike. Kur u duket e edhe u shitet shtatorja në Rrugën e Shën Gregorit armen, popullariteti është i siguruar. Për fat të keq deri tani në këtë rrugë nuk është dukur asnjë shtatore e politikanëve të vendit tonë të vogël. Sepse, me sa duket, asnjë prej tyre nuk ka mundur t’i frymëzojë, deri më sot mjeshtrat e shtatoreve napolitane. Kështu, në Shpellat tona të Betlehemit nuk ka mundur të hyjë asnjë burrë shteti. Aty vijon të sundojë vetëm Ai, që i ka në duart e njoma edhe shartet e Shqipërisë së vogël!
E duhet kujtuar se Shpellat shpesh kanë edhe pamjen e vendit, ku prodhohen shtatoret. Në veprën shtegtim në Itali, Gëte vëren se në sfondin e Betlehemeve napolitane nuk shikohet aspak qielli i Palestinës, por Vullkani i Vezuvit dhe Gjiri i Napolit. Është trashëgimi i fundit i shpikjes françeskane: Krishti vjen mes nesh, në tokën tonë, mes njerëzve tanë, së bashku me barinjtë, me engjëjt, me tre mbretërit e pasur e të urtë. Por, sidomos, me më të fundmit e të fundmëve, siç ishin barinjtë në Palestinën e kohës. Shpella e Betlehemit është skena e botës, mrekullia që përsëritet kudo, në Greço, në Romë, në Napoli e deri në Balldrê, katund i panjohur nga bota, në veri të Shqipërisë, ku do të shtegtojmë në etapën e IV të emisionit tonë, për të soditur: “Betlemin me Krishtin e masakruem e me barij të gjallë”.

19/12/2017 14:53