2017-12-18 13:38:00

Papa në Shën Martë: Jozefi, shembull i njeriut, që nuk mban asgjë për vete


Në homelinë e Meshës së mëngjesit, Françesku kujtoi se Jozefi “mori mbi vete një atësi, që nuk ishte e tija: vinte nga Ati; e u kujdes për Krishtin fëmijë, derisa u rrit e u bë burrë”.

Kur kemi probleme, kur na shtrëngon zemrën ankthi, kur mbi shpirtin tonë zbret errësira, mund të mësojmë nga Shën Jozefi, “që di si ecet në terr, si dëgjohet zëri i Zotit e si shkohet përpara në heshtje të thellë”. Këtë kujtoi Papa Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke komentuar Ungjillin e sotëm të Mateut: Jezusi - shpjegoi - do të lindej nga Maria, fati i Jozefit, bir i Davidit.

Jozefi besoi e u bind

Papa përshkroi, më pas, emocionet e Jozefit, kur Marisë nisën t’i duken  shenjat e amësisë, sapo u kthye nga shtëpia e Elizabetës; foli për dyshimet  e burrit, për dhimbjen e tij, për vuajtjen, ndërsa përreth shtillej thashethemnaja e vendit të vogël, të cilit i pëlqenin aq shumë përgojimet.  Ai “nuk po kuptonte”… çka dinte, ishte se Maria qe grua me Zotin: atëherë vendosi ta ndajë në heshtje, pa e akuzuar publikisht, derisa ndërhyu vetë Zoti, me një ëngjëll, që iu duk në ëndërr dhe i shpjegoi se fëmija e zënë në të, vinte nga “Shpirti Shenjt”. E kështu ai besoi e u bind!

Po në shpirtin e tij vijonte lufta; e në këtë luftë, u dëgjua zëri i Zotit, që e thirri: “Ngreju! Merre me vete Marinë e çoje në shtëpinë tënde. Merre mbi vete këtë  ngjarje, merre në dorë situatën e shko përpara”. Jozefi nuk shkoi tek miqtë, për të gjetur ngushëllim, nuk shkoi te psikiatri, që t’ia shpjegonte ëndrrën. Jo: besoi! E shkoi përpara. E mori në dorë situatën. Po çka duhet të merrte në dorë Jozefi? Cila ishte situata? Çka duhej të merrte mbi vete? Dy gjëra: atësinë e misterin.

Mori mbi vete atësinë

Jozefi - shtoi Papa -  duhet të merrte mbi vete atësinë. E kjo kuptohet që në gjenealogjinë e Jezusit, në të cilën shkruhet: “mendohej se ishte i biri i Jozefit”.

Ai mori mbi vete një atësi, që nuk ishte e tija: vinte nga Ati. Dhe e çoi përpara atësinë, jo vetëm duke e ndihmuar Marinë e fëmijën, por edhe duke e rritur djalin, duke ia mësuar mjeshtrinë, duke e shoqëruar, derisa u rrit e u bë burrë e zot i vetvetes. “Të marrësh mbi vete një atësi, që nuk është jotja, do të thotë se kjo atësi vjen nga Zoti”. E gjithë kjo, pa  thënë asnjë fjalë…Në Ungjill, Jozefi nuk flet as edhe një fjalë të vetme. Ai është burrë i heshtjes, i bindjes pa asnjë kusht.

Mori në dorë misterin, për ta kthyer popullin e Zotit

Është edhe njeri, që merr në dorë misterin: “siç shpjegohet në Leximin e parë, është misteri i ri-kthimit të popullit të Zotit, misteri i ri-Krijimit që, siç na e kujton Liturgjia, është edhe më i mrekullueshëm se Krijimi”.

Jozefi e merr në dorë këtë mister dhe ndihmon: me heshjen e tij, me punën e  tij  deri në çastin kur Zoti e thërret pranë vetes. Për këtë njeri, që e mori mbi vete atësinë dhe misterin, thuhet se ishte hija e Atit, hija e Zotit Atë. E nëse Jezusi i bërë burrë mësoi ta quante Atë,  atë që e njihte si Zot, e mësoi nga jeta, nga dëshmia e Jozefit; njeri që ruan,  burrë që rrit, që çon përpara çdo atësi e çdo mister, pa marrë asgjë për vete.

Ky - theksoi në përfundim Françesku - është Jozefi i madh, për të cilin Zoti kishte nevojë që ta çonte misterin e ri-kthimit të popullit drejt Krijimit të ri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.