Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Pakistan, ipeshkvijtë: atentati kundër kishës, “çnjerëzor”

Varrimi i viktimave të atentatit në kishën metodiste pakistaneze - AFP

18/12/2017 13:22

“Shtohen në Pakistan masakrat kundër jetëve të pafajshme. T’i lutemi Zotit tonë Jezu Krisht që, si komb, të na dhurojë forcë, urti, tolerancë e paqe. Zoti u dhashtë familjeve të viktimave forcën për të përballuar humbjen e të dashurve të tyre, ndërsa të plagosurve, shërimin e plotë”. Kështu pohon kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Pakistanit, imzot Joseph Arshad, pas atentatit të djeshëm terrorist kundër kishës metodiste “Bethel Church” në Kueta, kryeqendër e provincës së Beluçistanit, ku dy kamikaze shpërthyen, duke shkaktuar 13 të vdekur e më se 56 të plagosur. Dy terroristë të tjerë akoma nuk janë kapur. Isis mori përsipër atentatin.

Në një komunikatë për agjencinë katolike të lajmeve Fides, Kisha e Pakistanit dënon me vendosmëri “sulmin burracak e çnjerëzor kundër kishës dhe besimtarëve të pafajshëm”. Duke u shprehur ngushëllimet viktimave, ipeshkvijtë “e vlerësojnë shumë përgjigjen e policisë e të forcave të sigurisë, të cilat kontribuan në garantimin e jetës së gati 400 besimtarëve të tjerë të pranishëm”, megjithëse iu desh të luftonin për 16 minuta. Ipeshkvijtë katolikë i ftojnë institucionet t’ia dorëzojnë përgjegjësit e masakrës drejtësisë, si edhe t’i shqyrtojnë mirë shkaqet e kësaj intolerance të thellë. Ata theksojnë urgjencën për të përforcuar masat e sigurisë, sidomos gjatë periudhës së Krishtlindjes.

Sot, më se 1.500 të krishterë, ardhur nga të gjitha anët e Pakistanit, anëtarë të pesë konfesioneve të krishtera në vend, u mblodhën në varrezën e Kuetas për funeralin e viktimave të atentatit. Kremtoi peshkopi anglikan i provincave të Sindit dhe të Beluçistanit. Krah tij, edhe përfaqësuesi i Vikariatit apostolik të Kuetës, ipeshkvi katolik Viktor Gnanapragasm, i cili vizitoi të plagosurit e u lut për ta.

18/12/2017 13:22