2017-12-18 14:36:00

Ku është Shpella e Betlehemit, është jeta e historia. Etapa II- Shën Maria e Madhe


Në prag të Krishtlindjes, kur përpiqemi t’ia përgatisim Zotit rrugën për të rilindur në shpirtin tonë, po vijojmë me disa faqe të famshme nga tradita dhe letërsia e krishterë, duke nisur me historikun e Shpellës së Betlehemit. Titullohen: “Ku është Shpella e Betlehemit, është jeta e historia!”. Të dielën e  kaluar folëm për Greçon. Ishte etapa I e shtegtimit drejt Shpellës së Betlehemit. Sot, etapa II, na çon në Romë, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe….

Bazilika e Shën Marisë së Madhe është njëra nga shtatë bazilikat e Qytetit të Amshuar. Por për shtegtimin tonë në Shpellat e Betlehemit, më e rëndësishmja. Këtu, që në gjysmën e viteve 600 pas Krishtit,  arritën disa relike ardhur nga Palestina e, posaçërisht, nga Betlehemi. Aq shumë ishin, sa Papa Teodori I (vdekur në vitin 649), e quajti Bazilikën “Santa Maria ad praesepe”, siç  lexojmë në Liber Pontificalis. Por do të ishte një papë françeskan, Nikolla IV (që papnoi ndërmjet viteve 1288  e 1292)  ai që e vijoi traditën, aty nga fundi i dyqindës, pikërisht pas emocioneve të jashtëzakonshme që pati ngjallur Krishtlindja e Greços. Për të, Bazilika mund të bëhej  “Betlehemi i dytë”. Për t’i vënë në pah reliket e lashta, ardhur nga vendlindja e Krishtit, i kërkoi Arnolfo di Cambios, skulptorit më të madh të epokës, të realizonte një Shpellë Betlehemi prej mermeri,  për ta vendosur Natën e Krishtlindjes në navatën qëndrore. Studimet e kohëve të fundit tregojnë si e mendoi shpellën e si i organizoi figurat skulptori i madh, autor i kësaj kryevepre të parë artistike kushtuar Shpellës së Betlehemit, frymëzuar nga devocioni françeskan, krijuar pikërisht në hapësirat e Bazilikës së madhe romake. Kjo vepër e jashtëzakonshme u realizua në vitin e largët 1291. Kishin kaluar 60 vjet nga Shpella e gjallë e Betlehemit në Greço. Betlehemi qe bërë i paarritshëm. Nëntë vjet më pas, e pikërisht në vitin 1300, Bonifaci VIII shpallte jubileun e parë të krishterimit. E Shpella tërhoqi vëmendjen e mijëra shtegtarëve. Ta sodisim edhe ne, së bashku: në qendër të grazhdit shikojmë Marinë me Foshnjen në krahë. Pranë saj, Shën Jozefin, të lodhur, mbështetur mbi shkopin e shtegtarit. Pastaj, Tre Mbretërit, njëri prej të cilëve, i përgjunjur para Nënës e Ferishtes (portret spektakolar  mesjetar  devocioni). Pastaj edhe dy të tjerët, që presin radhën me dhurata në duar. E, në një skaj, në të njëjtin bllok guri, gomari e kau.

Sot kjo Shpellë e jashtzakonshme Betlehemi, me shtatore të mëdha, sepse ende nuk kishte nisur skalitja e të voglave, ndodhet në katin e nëndheshëm  të Shën Marisë së Madhe  e mund të vizitohet duke kaluar nëpër sakresti.

Kjo, etapa II. E treta do të na çojë në Napoli, ku prodhohen shtatoret më të  famshme për Shpellat e mëdha e të vogla të Betlehemit. Shtatore, që çdo vit  shtegtojnë nga rruga e napolitane e Shën Gregorit armen, nëpër botën e madhe….








All the contents on this site are copyrighted ©.