Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Françesku, universitarëve të Tokios: feja e vërtetë e zhvillon njeriun

Papa flet me studentët e Tokios

18/12/2017 19:13

Sot paradite, Papa Françesku foli në lidhje video nga Vatikani, me studentët e Universitetit Sofia të Tokios. Institutit i mbërritën më se njëqind pyetje nga të rinjtë, por natyrisht, Atit të Shenjtë iu bënë vetëm tetë.

Gëzimi më i madh i Papës: të rrijë me njerëzit

         Një student e pyeti cili ka qenë gëzimi i tij më i madh, që nga koha kur është zgjedhur papë. “Jo vetëm një, por kam pasur shumë gëzime – u përgjigj Françesku – sidomos, jam shumë i lumtur kur mund të rri e të flas me njerëzit, veçanërisht me fëmijët, me të moshuarit, me të sëmurët. Më ndihmon shumë qëndrimi me njerëzit. Më bën më të ri e më të lumtur, më jep shumë gëzim”.

Edukimi të jetë në shërbim të të tjerëve, jo të konkurrencës

         Duke iu përgjigjur pyetjes së dytë, lidhur me një edukim, që synon ndërtimin e një shoqërie në konkurrencë të përhershme, Papa nënvizoi se rreziku është të mendojmë vetëm për karrierën: “Edukimi, në vend që të të zhvillojë të bën të vogël; është në shërbim të meritokracisë. Merita është shumë e rëndësishme, por kur vendosni meritat në qendër të gjithçkaje, krijoni një shoqëri meritokratike, në të cilën, nganjëherë, bëhen gjëra shumë të këqia”. “Edukimi, që nuk merr parasysh shërbimin për të tjerët shkon drejt dështimit. Është edukim që të kthen mbrapsht, që shikon vetëm vetveten e kjo është e rrezikshme. Motoja e universitetit tënd – i tha Papa studentit – është ‘Edukim për të tjerët’, universitet për të tjerët, universitet shërbimi. E kjo është pasuri e madhe”.

Më shqetësojnë të rinjtë pa rrënjë

         Cilat janë shqetësimet dhe shpresat më të mëdha të Papës për të rinjtë e sotëm? Kjo, pyetja e tretë. Jam i shqetësuar se mos humbasin rrënjët, kujtesën, tha Ati i Shenjtë: “Rrënjët kulturore, rrënjët historike, rrënjët familjare, rrënjët njerëzore: të rinj pa rrënjë”, që nuk kanë aftësi për t’u zhvilluar. “Rruga më e përshtatshme për t’i gjetur rrënjët është të inkurajohen të rinjtë të dialogojnë me të moshuarit”. Rrënjët, theksoi Papa, do të ushqejnë pemën e frytet e së nesërmes. Me të rinjtë ndryshon bota, kujtoi.

Çdo fe e vërtetë e zhvillon njeriun

         Rëndësia e fesë, në pyetjen e katërt. “Feja – pohoi Papa – nuk është ndonjë shpikje teatrale, por lind nga dëshira e zemrës njerëzore për të dalë nga vetvetja e, pikërisht në këtë përpjekje, gjen Zotin”. “Çdo fe të zhvillon. Nëse dikush thotë se është fetar, por nuk zhvillohet e nuk është në shërbim të të tjerëve, është idhujtar. Kërkon vetëm fitime nga pozita fetare”. Adhurimi i Zotit dhe shërbimi ndaj të tjerëve janë karakteristikat e të krishterit të mirë, sipas Papës Françesku, i cili pranoi edhe se në çdo fe ka një grup të vogël fundamentalistësh, që nuk i përgjigjen idealit të fesë, por çojnë në rrugën e terrorizmit.

Të kujdesemi për Tokën e të luftojmë varfërinë

         Pyetjes mbi ambientin dhe shoqërinë, Papa u përgjigj se njerëzimi duhet të vendosë: ose ta marrë seriozisht mbrojtjen e ambientit, ose të shkojë drejt shkatërrimit. Përmendi disa ishuj, mbi të cilat ngrihen qytete e fshatra, që do të zhvuken pas 20 vjetësh, për shkak të rritjes së nivelit të ujit. Foli për çpyllëzimin e Amazonës e të pyjeve e ngriti zërin kundër interesave ekonomike, në altarin e të cilave flijohet edhe vetë jeta e njeriut. Çekuilibri ekologjik, theksoi, ndikon edhe në shtimin e varfërisë, sepse paratë janë në qendër të sistemit ekonomik botëror.

Jam mëkatari, që Zoti e do fort e kjo më lumturon

         “Ç’mendon për vetveten?”, qe pyetja e vështirë, që i drejtoi njëri nga studentët, i gjashti. “Mendoj se jam një mëkatar, që Zoti e ka dashur fort dhe e do akoma. E kjo më bën shumë të lumtur”. Përpiqem, një a dy herë në ditë, të shoh brenda gjërave që kam dëgjuar e që kanë ndodhur përreth meje, për të gjykuar si jam sjellë, ç’vendim kam marrë, tregoi Papa, i cili u tërhoqi vëmendjen të rinjve të mos jenë narcizistë, sepse edhe të qëndrosh shumë para pasqyrës, duke e pyetur veten vazhdimisht nëse ke vepruar si duhet, mund të jetë e rrezikshme.

Njeriu është emigrant

         Përsa i përket çështjes së refugjatëve, Papa u përgjigj se ky është problem i madh, por njeriu ka qenë gjithnjë emigrant e refugjat. Edhe evropianët i kanë rrënjët në emigracionin e paraardhësve të tyre. Sot, me konfliktet e luftrat nëpër botë, problemi i emigracionit duhet përballuar, pa i refuzuar ata që ikin nga bombat. “Kjo – vërejti Papa – nuk do të thotë të mbyllen emigrantët në një geto”. Ata duhen integruar, pra, duhen pritur, arsimuar e punësuar. E Ati i Shenjtë theksoi edhe një herë se emigrantët duhet të respektojnë ligjet e shtetit mikpritës, koncept që e ka përsëritur disa herë. Tha edhe një të vërtetë, që shpesh nuk vihet në dukje: “Evropianët nuk kanë fëmijë. E ai boshllëk, herët e vonë, do të mbushet nga ata, që do të vijnë”. Integrimi është mënyra e vetme, që ky fenomen të mos ndodhë në mënyrë traumatike.

Do të më pëlqente të vizitoja Japoninë

         Pyetja e fundit për Papën - nëse dëshiron të shkojë në Japoni - e çoi Atin e Shenjtë në kujtimet e një vizite një javore në Tokio. Është “popull idealesh – tha për japonezët – popull me fe të thellë, popull punëtor, popull, që ka vuajtur shumë”. Por kritikoi edhe konkurrencën e tepruar të botës japoneze, si edhe konsumizmin e shfrenuar, meritrokacinë që nganjëherë, çon në skaje të papëlqyeshme. Papa Françesku tregoi se është ftuar tashmë zyrtarisht në Japoni dhe do t’i pëlqente të shkonte, por akoma nuk e di se kur. “Vazhdo të jesh i shqetë – e këshilloi popullin japonez – e do ta shpëtosh kulturën mijëvjeçare që ke”.

18/12/2017 19:13