2017-12-17 10:00:00

Etapa I, Greço: Ku është Shpella e Betlehemit, është jeta e historia


Në prag të Krishtlindjes, kur përpiqemi t’ia përgatisim Zotit rrugën për të hyrë në shpirtin tonë, po ju propozojmë disa faqe të famshme nga historia dhe letërsia e krishterë, duke nisur me historikun e Shpellës së Betlehemit. Titullohet: Ku është Shpella e Betlehemit, është jeta e historia!

Etapa I, Greço

Jemi në Greço. Në vitin 1223. Në një strehë eremite të humbur bote, në Italinë qendrore. Vihet në skenë Shpella e parë e Betlehemit, e vërtetuar dhe e dokumentuar nga historia jonë perëndimore. E shpikur prej njërit nga gjenitë e krishterimit e edhe të njerëzimit. Një djaloshi, të cilit i pëlqente të fliste e të këndonte frëngjisht. Bir i Assisit, u bë i njohur  në shekuj me emrin Shën Françesku.

Shenjti i madh sapo është kthyer nga shtegtimi në Tokën Shenjte, nga Betlehemi, i ngarkuar me përfytyrime të gjalla të një kohe heroike, njerëzore e hyjnore. Vendos, prandaj, ta rijetojë të gjallë, edhe Lindjen e Zotit, duke u treguar njerëzve kush ishin prindërit e tij të cilët, në fund të një udhe të gjatë, mezi gjetën strehë në një stallë. Prej këndej, fjala latine që u përdor për Stallën ishte Presepe, që do të thotë grazhd, në arabisht بَيْتِ لَحْمٍ‎, Bayti Laḥmin, Bayt Laḥm,  "Shtëpia e Mishit”; në gjuhën hebraike,  בֵּיִת לֶחֶם, Beit Leḥem, "Shtëpia e Bukës"; në greqisht Βηθλεέμ, Bēthleém – Betlehem.

Françesku, duke dashur ta bëjë sa më të gjallë rrëfimin, i kërkoi një miku të tij, fisnik i këtij vendi malor pranë Rietit, të gatiste për të, gjithë ç’kish parë në Palestinë: “Dua ta kujtoj Foshnjën e lindur në Betlehem - i tha – duke e shikuar me sytë e mi çka pësoi, që në çastin e lindjes. Dua ta shikojnë edhe të tjerët si lindi mbi grazhdin me kashtë e si e ngrohën me frymën e tyre kau e gomari”.

Komenton studiuesi Jacques Le Goff, në jetëshkrimin e Shenjtit: “Natën e Krishtlindjes, njerëz nga të katër anët, burra e gra, kapërcyen kreshta e përrenj, me pishtarët e natës në dorë, duke e bërë natën-ditë.  Greço u bë, kështu, Betlehemi i ri”.

Tommaso da Celano, biografi i parë i Shën Françeskut, na e përshkruan këtë ngjarje si vegim të mrekullueshëm. Shkruan se ai pa, me sytë e vet,  një fëmijë të posalindur, që dremiste mbi grazhd. Se e pa Shenjtin duke iu afruar e duke e zgjuar nga gjumi i thellë. E pastaj e pa, ashtu të përgjumur,  në krahët e Shën Françeskut.

Që atë natë të lume, Shpella e Betlehemit u bë mënyrë e pazëvendësueshme për ta kujtuar Lindjen e Jezu Krishtit. Françesku, pak para se të vdiste, krijoi një traditë që jo rastësisht lulëzoi menjëherë pas kthimit të  tij nga Toka Shenjte. I krishteri nuk e ka më të domosdoshme të shtegtojë në Betlehem për ta kundruar Lindjen e Krishtit. Mund ta bëjë, domethënë ta ri-mishërojë, në çdo skaj, ngjarjen e  madhe, që e ndau përgjysëm historinë e njerëzimit: me grazhdin, gomarin e kaun, me një të  re, që luan rolin e Marisë; një të rritur, atë të Shën Jozefit, një turmë me burra e gra, në rolin e tre mbretërve, të barinjve e bareshave e të engjëjve.

E që nga Shpella e ringjallur, t’i rijapë mbarë botës mesazhin e varfërisë. Asaj varfërie e cila, sipas përshkrimit të Dantes, mbetur e vejë mbas vdekjes së Krishtit dhe e përbuzur për shumë mote, u bë nusja1 e themeluesit të françeskanëve e edhe e festës së grazhdit!  Ku është Shpella e Betlehemit, është jeta e historia!

1  Kështu i këndon Dante Aligheri në  “Komedinë Hyjnore”, “Parajsa”  Kënga XI.

Questa,privata del primo marito

 millecent’ anni e più dispetta e scura

 fino a costui si stette sanza invito;…

(Varfëria, si humbi burrin, Krishtin mbret

njëmijë vjet u përbuz e u vesh në zi,

deri sa gjet Françeskun, mbeti shkret!)








All the contents on this site are copyrighted ©.