Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Fundjava me Papën e me Kishën

Koncerti i Krishtlindjes - ANSA

17/12/2017 10:00

Të shtunën e kaluar Papa priti Presidentin e Republikës së Ekuadorit, Lenín Moreno Garcés, me bashkëshorten dhe grupin shoqërues. U shkëmbyen mendime me interes dypalësh, duke nënvizuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Ekuadorit dhe Selisë së Shenjtë si dhe rolin e Kishës në ndihmë të popullsisë vendase, posaçërisht në lëmin e arsimit, të shëndetësisë e, sidomos, në ndihmën e pakursyer që u jep gjithnjë Kisha njerëzve më të ligësht të shoqërisë ekuadoriane.

Pastaj, rreth orës 11.15, në Sallën e Koncistorit, Papa priti Delegacionin e Veprimit Katolik të Fëmijëve e menjëherë pas, në orën 12.00, në Sallën Klementine, anëtarët e Bashkimit të Shtypit Periodik Italian (Uspi) dhe të Federatës Italiane të Revistave Katolike (Fisc). Papa, duke u drejtuar fjalën përfaqësuesve të këtyre mjeteve të rëndësishme të komunikimit, vuri theksin mbi rolin që luan e, sidomos, që duhet të luajë shtypi me frymëzim katolik në Ungjillëzimin e ri, për t’i vënë pritë ndikimit të mëtejshëm negativ të shekullarizimit.

Në Vatikan, pranë Sallës Palit VI, mbrëmë u shfaq Koncerti Krishtlindje 2017. I shumëpritur, ky koncert u ndoq nga një numër i madh dashuronjësish të muzikës, që me praninë e tyre kontribuan për të mbështetur  projektet e Fondacionit Scholas Occurrentes, krijuar nga Papa Françesku, kur ishte akoma Kryeipeshkëv i Buenos Ajres dhe të Fondacionit Don Bosko.

Morën pjesë  artistë nga mbarë bota. Po kujtojmë disa prej tyre:  Annie Lennox (Angli), Patti Smith (SHBA), Noa (Izrael), Imany (Francë), Joaquín Cortés (Spanjë) Lola Ponce (Argjentinë), Hevia (Spanjë), Pastaj, nga Italia: Al Bano,  Motër Kristina, Gigi D’Alessio, Fabio Armiliato, gajdexhinjtë e Scapolit etj.. Të gjithë artistët kënduan në skenë, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike Universale Italiane, drejtuar nga  dirigjenti Renato Serio. Kujtojmë se ky koncert, i prodhuar nga  Prime Time Promotions, do të transmetohet nga Kanali 5 Natën e Krishtlindjes.

Të premten e kaluar, pranë Kapelës Redemptoris Mater, Predikimi i parë i Kohës së Ardhjes, mbajtur nga predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, ofm. Tema, “Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të” (Letra drejtuar Kolosianëve 1,16).

Predikimi i dytë dhe i fundit (sepse këtë vit do të mbahen vetëm, dy e jo katër predikime si zakonisht) do të jetë ai së premtes, 22 dhjetor.

“Krishlindja  është thirrje e fortë për të jetuar thjesht, në mënyrë sa më të përkorë – na kujton predikatari i Shtëpisë Papnore. - Na e jep shembullin vetë Krijuesi që, duke u bërë njeri, zgjodhi një stallë për të lindur. T’i kujtojmë këto ditë vargjet e thjeshta të këngës “Ti ulesh prej Parrizit” të Shën Alfonsit Maria dei Liguori: “Për ty qi rruzullimin/ Gjithmbarë e ké krijue,/S’jânë gjetë as shpí as petka,/E zjermi të ka mungue”.

17/12/2017 10:00