Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Shenjtorët e javës 17 – 23 dhjetor

E Diela trete e Ardhjes

16/12/2017 10:22

E Diel 17 dhjetor, Kisha kremton të dielën e 3-të të Kohës së Ardhjes, kohë liturgjike që paraprin e përgatit festën e Mishërimit të Zotit, Krishtlindjen. Po sot më 17 dhjetor, kalendari përkujton Shën Danielin profet; shenjtorët Anania, Azaria e Mizaeli; Shën Gjonin e Matës, meshtar, themelues i Trinitarëve dhe Shën Gjaçintin Kormié, meshtar dominikan.

E diela e tretë e Ardhjes quhet edhe e diela e gëzimit, sepse jemi afër së kremtes së Lindjes së Jezu Krishtit Zot. Këndej tema qendrore e leximeve biblike është gëzimi e galdimi, që për ne, burim i gëzimit, është Jezusi, që vjen rishtar ndërmjet nesh, për të banuar ndër ne e për të na dhënë dashurinë e Tij.

Të hënën më 18 dhjetor, bie përkujtimi i festës së shën Malakisë profet e të shën Gacianit ipeshkëv i Tur. Liturgjia e ditës na fton të kundrojmë Engjëllin e Tënzot i cili nuk ia kumton lindjen e Mesisë vetëm Marisë, por edhe Jozefit, duke e ftuar të mos kishte frikë, por t’i besonte plotësisht planeve misterioze të Hyjit.

Të martën më 19 dhjetor, kalendari Kishtar përkujton edhe Papëve Shenjtër Urbanit dhe Anastasit.
Liturgjia e ditës na kujton se pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij, janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji, me dhuratën e shërimit, do të na bëjë jo vetëm të ecim, por edhe të vrapojmë; jo vetëm të flasim, por edhe të bërtasim, kur është nevoja.

Të mërkurën më 20 dhjetor, kalendri Kishtar përkujton Shën Filogonin, ipeshkëv. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti është i durueshëm e i pasur me hir. Prandaj njerëzit vijojnë ta kërkojnë në shekuj, por nganjëherë nuk arrijnë ta gjejnë, sepse për ta gjetur, duhet kërkuar ndërmjetësimi i lajmëtarëve të tij, si Shën Gjon Pagëzuesi. Përndryshe njeriu i ngjet atij që duke pasur etje, e kërkon ujin atje ku nuk gjindet. 

Të enjten më 21 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Pjetër Kanizi, meshtar jezuit e dijetar i Kishës dhe Mikesë, profet. Liturgjia e ditës na vë simbolikisht për udhë pas Virgjërës Mari e cila, pasi ia ka hapur zemrën Shpirtit Shenjt, niset për t’i shërbyer Elizabetës, kushërirës që ka nevojë për ndihmë. Është festa e

Të premten me 22 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Françeskën Kabrini, virgjër, themeluese e Misionarëve të Zemrës së Krishtit. Liturgjia e ditës na tregon se Ana e Maria, plot mirënjohje për dhuratën e jetës, ia besojnë gjithë vetveten Zotit me thjeshtësi e përvujtëri.

Të shtunën më 23 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin e Ketit. Liturgjia e ditës na sjell shembullin e këtij shenjti me jetën dhe misionin e tij, na kujton se në rrjedhë shekujsh nuk kanë munguar kurrë lajmëtarët e Zotit, që na ndihmojnë ta njohim më thellë e ta jetojmë më përkushtueshëm fenë tonë. E dita e sotme na kujton edhe se, pas shtegtimit liturgjik njëvjeçar, jemi shumë pranë cakut: “Ta ngrejmë kokën lart, shpëtimi ynë është fare pranë!”. 

Të dielën e ardhshme më 24 dhjetor, Kisha kremton të dielën e 4-të të e fundit të Kohës së Ardhjes. Po më 24 dhjetor bie Nata e Madhe e Shenjtë e Krishtlindjes. Në këtë ditë, kur kalendari Kishtar përkujton edhe festën liturgjike të Shenjtoreve Tarsila e Irma, ridëgjojmë profecitë mesianike për Jezusin e falënderojmë Zotin, që vjen përsëri mes nesh. 

 

16/12/2017 10:22