2017-12-16 16:57:00

Papa: e nevojshme të sigurohet ekzistenca dhe gjallëria e shtypit katolik


“Ju keni një detyrë, ose më mirë të themi, një mision nga më të rëndësishmit në botën e sotme: të informoni korrektësisht, t’u ofroni të gjithëve një variant sa më realist të faketve”. Me këto fjalë iu drejtua Papa  anëntarëve të Bashkimit të Shtypit Periodik Italian (Uspi) dhe të Federatës Italiane të Revistave Katolike (Fisc), që kremton sot 50-vjetorin, në një audiencë, mbajtur në Sallën Klementine, në Vatikan. Përfaqësonin rreth 3000 mjete komunikimi, të shtypura ose të transmetuara, nga ndërmarrje  të vogla e të mesme botuese dhe nga ente e shoqata no-profit.

Realitet i lirë e plot përgjegjësi

Zëri juaj është themelor për zhvillimin e çdo shoqërie, që dëshiron të quhet demokatike -  tha Françesku:

“Në kohën tonë, shpesh të sunduar nga ankthi i shpejtësisë, nga dëshira për sensacion, nga emocione tepër të forta, në vend të reflektimit të matur, ndjehet fuqimisht nevoja për informacion të besueshëm, me të dhëna e lajme të verifikuara, që nuk synojnë të çudisin e as të emocionojnë, por të zhvillojnë tek lexuesi aftësinë për t’i shikuar fenomenet me vështrim kritik,  gjë që u krijon mundësinë të bëjnë pyetjet e duhura  e të arrijnë në përfundime të motivuara”.

Duke shmangur kështu rrezikun - shtoi Papa - për të rënë viktimë e parullave të lehta, që synojnë t’i manipulojnë realitetin, opinionet e edhe vetë njerëzit. Detyrës për të ofruar informacion më pak të masivizuar e të  nënshtruar modave, mund t’i përgjigjet më lehtë shtypi i mesëm e i vogël - vijoi Papa - sepse është më i lidhur me territorin, me jetën e përditshme të bashkësive e me faktet konkrete.

Rëndësia e shtypit dhe e mjeteve të komunikimit dioqezan

Kështu edhe revistat dioqezane, që bëjnë pjesë në Federatën Italiane të Revistave Katolike. Ato - pohoi Françesku - mund të jenë shumë të dobishme si jete të ungjillëzimit:

“Të punosh në të përjavshmen dioqezane, do të thotë ‘të ndjesh’ në mënyrë të veçantë me Kishën vendase, të jetosh pranë njerëzve të qytetit e të vendit, e posaçërisht, t’i lexosh ngjarjet në dritën e Ungjillit e të magjisterit të Kishës. Këto elemente janë ‘busulla’ e mënyrës së saj të veçantë për të bërë gazetari, për të rrëfyer lajme e për të dhënë opinione”.

Duhet një impenjim i ri për të garantuar vazhdimësinë e angazhimit tuaj

Mjete të çmuara dhe të frytshme, pra, të përjavshmet dioqezane, si ato të shkruara, ashtu edhe ato dixhitale. Me karakteristikat e tyre të veçanta, si qetësia, gjuha e qartë, saktësia dhe pasuria e informacionit, ndikojnë mbi opinionin publik, duke e bërë ta kuptojë a ta shqyrtojë realitetin e të mos e ndjejë veten të shurdhuar e të çorientuar. Papa nënvizon, më pas, dhe “mëkatet” e komunikimit, që duhen shmangur: dizinformacionin, qëndrimet e njëanshme, shpifjet, përgojimet, mëkate të rënda, që i dëmtojnë njerëzit:

“Për këtë arsye urohet të mos mungojë angazhimi nga ana e të gjithëve, për të siguruar ekzistencën dhe gjallërinë e këtyre periodikëve e për të mbrojtur punën dhe dinjitetin e  gjithë atyre, që punojnë në to. I ftoj shoqërinë civile dhe institucionet e saj të bëjnë ç’është e mundur që mediat dhe shtypi i vogël të mund ta luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm e t’i japin zë pasurisë së bashkësive të ndryshme lokale dhe trojeve të tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.