2017-12-15 15:20:00

Mesazhi i Papës për hapjen e katedrës ekumenike të Loppianos


Dialogu dhe miqësia vëllazërore ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve janë dy frytet kryesore të takimit, 50 vjet më parë, ndërmjet patrikut ekumenik Athenagora dhe Chiara Lubich. Këtë vë në dukje Papa në telegramin drejtuar kancelarit të madh të Institutit universitar Sophia,  kryeipeshkvit të Firences, kardinalit Giuseppe Betori, me rastin e përurimit, dje pasdite, të katedrës ekumenike ndërkombëtare, titulluar me emrat e patrikut ortodoks dhe të themelueses të Lëvizjes së Fokolarëve. Si shpreh kënaqësinë e tij për nismën e lavdërueshme, që e kujton këtë takim, Papa uron që instituti universitar i Loppianos, “duke ndjekur karizmën e tij e gjithnjë i hapur për veprimin e Shpirtit Shenjt, të vijojë të jetë vend takimi e dialogu ndërmjet kulturave e feve të ndryshme”.

Ideja e një “katedre ekumenike” - shpjegon një komunikatë e Fokolarëve, lindi më 26 tetor 2015, kur Instituti universitar Sophia i dorëzoi doktoratin e parë honoris causa në Kulturën e unitetit, patrikut ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu. “Ky projekt akademik – shpjegon kryetarja, Maria Voce - shënon një çast të rëndësishëm në marrëdhëniet ekumenike  në vijim, ndërmjet Kishave motra të Lindjes e të Perëndimit, duke hapur perspektiva për studimin e përqendruar tek dialogu respektues ndërmjet dy palëve”

Katedra, titullarë të së cilës janë drejtori i institutit, imzot Piero Coda dhe metropoliti i Selyvrias, Maximos Vgenopoulos, u përuara nga metropoliti ortodoks i Italisë dhe i Maltës, Gennadios Zervos, që mbajti edhe fjalën e hapjes, titulluar: “Patriku Atenagora dhe Chiara Lubich, protagonistë të unitetit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.