2017-12-15 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së Dielës së 3-të të Ardhjes “B”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 3-të të kohës së Ardhjes, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
 

Kjo e diele e tretë e Ardhjes quhet edhe e diela e gëzimit, sepse jemi afër së kremtes së Lindjes së Jezu Krishtit Zot. Këndej tema qendrore e leximeve biblike është gëzimi e galdimi, që për ne, burim i gëzimit, është Jezusi, që vjen rishtar ndërmjet nesh, për të banuar ndër ne e për të na dhënë dashurinë e Tij. Pra, Krishtlindja  do të kretohet përsëri, për të na kujtuar se Zoti vjen pambarimisht pranë nesh, kur e duam. Për këtë, urojmë që Krishtit të pritet me dashuri në të gjitha familjet dhe në të gjitha shtëpitë e shqiptarëve e të botës.

Ungjilli i kësaj së diele nga Shën Gjoni, na paraqet figurën e Gjon Pagëzuesit, si shembull e mësues, që na udhëheq në zbulimin dhe pranimin e Dritës së Zotit që po vjen në errësirën tonë të përditshme, për të ndriçuar udhën tonë e për të na orientuar drejt shpëtimit.  Pra, në të Dielën e tretë të kohës së Ardhjes, i krishteri ndodhet para një pyetjeje me rëndësi të dorës së parë. Është ajo e Shën Gjon Pagëzuesit, i cili i nis dishepujt për ta pyetur Jezusin: “Je ti, ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”.

Pyetja e Gjonit, që shqetësohet, sepse nuk po shikon kurrfarë ndryshimi në botë, është e njëjta pyetje, që vijojnë të bëjnë shumë njerëz në rrjedhë shekujsh: “Je vërtetë ti? Apo bota duhet ndryshuar nga rrënjët? Ti nuk e bën këtë? E bëjmë ne! E erdhën shumë profetë, ideologë e diktatorë, që thanë: ‘Nuk është ai. Ai nuk e ndryshon botën! Jemi ne! E krijuan perandoritë e tyre, diktaturat e tyre, totalitarizmat e tyre, që ta ndryshonin këtë botë.

Dhe e ndryshuan, duke e rrënuar me kulm e themel. E sot e dimë se nga këto premtime nuk mbeti tjetër, veçse një boshllëk i madh e një shkatërrim i hatashëm. Nuk ishin ata! Pyetjes, që vijon të jehojë udhëve të botës, na duket se Krishti i përgjigjet kështu: Shikoni çfarë bëra unë! Nuk bëra revolucion ... nuk e ndryshova botën me forcë, por ndeza shumë drita, që formojnë një udhë drite në rrjedhë shekujsh.

Janë dëshmitarët e panumërt të fesë, që ndriçuan e ndriçojnë si yje në horizontet e zymta të shekujve të historisë, në shndërrim të vazhdueshëm. Janë njerëz, që i ngjasin Shën Maksimilian Kolbes, i cili flijoi jetën e vet, për të shpëtuar atin e një familjeje. Janë drita, që ndizen në errësirë, për t’u treguar të gjithëve ku mund t’i gjejnë njerëzit, që presin një dorë, e cila bëhet për ta dora e Zotit. Quhen Damian de Veuster: jetojnë e vdesin për të gërbulurit; quhen Shën Nënë Terezë: çojnë dritë në errësirën më të dendur, e jetë, në viset e vdekjes. Gjithnjë me buzë në gaz, sepse të pushtuar nga drita e Zotit. Janë shumë, shumë. Konstelacione të tëra në qiellin e zi të kohëve të vështira. Po kujtojmë vetëm disa prej tyre, për t’i pohuar se pikërisht kështu Zoti na bën ta ndjejmë afërsinë e tij. Zoti është pranë, jemi ne që shpesh i rrimë larg. T’i afrohemi, të shkojmë sa më pranë dritës së tij, ta lusim Zotin e, në sa lutemi, të bëhemi edhe ne vetë dritë për të tjerët. Të bëhemi dritë – na fton të gjithëve Kisha në këtë kohë, kur presim Ardhjen e Zotit mbi tokë.

“Gëzohuni, sepse Zoti është afër!”. Kjo shprehje e Shën Palit apostull e shoqëron Këngën e hyrjes së Meshës Shenjte në të Dielën e tretë të Kohës së Ardhjes. Apostulli i Popujve natyrisht mendon për rikthimin e Hyjit, por vëren se edhe se askush nuk është gjendje ta dijë çastin e ardhjes së Zotit. Koha liturgjike dhe shpirtërore e Ardhjes na afron kaq shumë pranë Zotit, këto ditë, kur e presim.

Kështu, që asokohe, Kisha, e ndriçuar nga Shpirti Shenjt, e kuptonte gjithnjë më mirë se ‘afèrsia’ e Hyjit është nuk çështje hapësire, as kohe, por çështje dashurie: dashuria afron! Krishtlindja e afërme vjen të na kujtojë këtë të vërtetë themelore të fesë sonë e, para Shpellës së Betlehemit, mund të shijojmë gëzimin e krishterë, duke kundruar, në Foshnjën Hyjnore, fyturën e vetë Hyjit, që vjen pranë nesh për dashuri.                     

                               LITURGJIA E FJALËS

Lexim prej Librit të Isaisë profet 61, 1-2.10-11

Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajme të gëzueshme, t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur, t’u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve çlirimin; ta shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes së Hyjit tonë, t’i ngushelloj të gjithë ata që qajnë. Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, sepse më veshi me petkat e gëzimit, ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë, porsi dhëndër të stolisur me kezë, porsi nuse me stoli argjendi. Po, porsi toka që bën të mbijë gjelbërimi, porsi kopshti që bën të mbijë fara e tij, kështu Zoti Hyj do të bëjë të mbijë drejtësia edhe lavdia në sy të të gjithë popujve.Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi / Kënga 
Luka 1, 46-50.53-54

Shpirti im me hare i brohorit Hyjit.

Shpirti im e madhëron Zotin, 
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: 
po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur.

Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm:
i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni me brezni
për ata që e nderojnë.

Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë,
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke u sjellë në mend mëshirën.”

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve 5, 16-24

Vëllezër, gëzohuni gjithmonë! Lutuni pa pushim! Për gjithçka falënderohuni! Sepse, në lidhje me ju, ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin! Mos e pengoni Shpirtin Shenjt të veprojë në ju! Profecitë mos i përbuzni! Çdo gjë shqyrtoni me kujdes: mbani të mirën! Çdo lloji të së keqeje rrini larg! Dhe Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj – shpirti, jeta dhe trupi – u ruajtë e patëmetë dhe e përsosur për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit! Besnik është Ai që ju thërret: Ai do të bëjë ashtu! Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

ALELUJA, aleluja.
Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.
Aleluja.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit 1, 6-8.19-28

Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. 
Dhe ja, dëshmia e Gjonit! Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan tek ai priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?” ai pranoi, nuk e mohoi, por dëshmoi: “Unë nuk jam Mesia!” “Kush pra? – e pyetën ata. – A mos je Elia?” “Nuk jam!” – u përgjigji. “A je Profeti?” “Jo!” – ua ktheu. Atëherë i thanë: “Kush je, që t’u kthejmë përgjegje atyre që na dërguan?” Ai tha: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkreti: ‘Rrafshoni udhën e Zotit!’ – sikurse tha Isaia profet.”
Disa prej të dërguarve ishin farisenj. Ata e pyetën: “Pse, atëherë, pagëzon, kur s’je as Mesia, as Elia, as Profeti?” Gjoni përgjigji: “Unë pagëzoj me ujë. Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. Është ai që po vjen mbas meje, por të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve.”
Kjo ndodhi në Betani, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.