Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Koncert në Vatikan. Papa: rast për dhembshuri e mikpritje

Koncerti i Krishtlindjes në Vatikan - RV

15/12/2017 14:26

Përgatitjet e fundit në Sallën Pali VI për edicionin e 25-të të Koncertit të Krishtlindjes në Vatikan, që do të mbahet nesër mbrëma, nën patronazhin e Kongregatës për Edukimin Katolik.

Krishtlindja është festa, që ngroh zemrat e zhduk indiferencën

         Promovuesit dhe protagonistët e tij u pritën sot nga Papa në Sallën Klementine e fjalët e para të Françeskut ishin fjalë falenderimi e vlerësimi. Artistët, që do të hipin në skenë dhe publikun, që, me biletat e koncertit, do të mbledhë fonde për të ndihmuar të rinjtë e Republikës Demokratike të Kongos dhe ata të Argjentinës, Ati i Shenjtë i falenderoi për “ndjeshmërinë ndaj nevojave të më të varfërve e më të mënjanuarve, të cilët kërkojnë solidaritet”. Krishtlindja festohet edhe kështu, nënvizoi Papa:

         “E dimë, Krishtlindja është festë e ndjerë, gjithëpërfshirëse, e aftë t’i ngrohë edhe zemrat më të ftohta, të zhdukë barrierat e indiferencës ndaj të afërmit, të inkurajojë gatishmërinë ndaj tjetrit dhe dhurimin falas. Edhe sot, kemi nevojë ta përhapim mesazhin e paqes e të vëllazërimit, tipik për Krishtlindjen”.

Arti është një nga mjetet për ta kuptuar Krishtlindjen

         Kemi nevojë, vijoi Papa Bergoglio, ta përfaqësojmë Krishtlindjen me “ndjenjat e vërteta, që i japin asaj shpirt” e, duke iu referuar koncertit të nesërm, shtoi:

         “Arti është mjet i jashtëzakonshëm për t’i hapur portat e mendjes e të zemrës ndaj kuptimit të vërtetë të Krishtlindjes. Krijimtaria dhe gjenialiteti i artistëve, me veprat e tyre, edhe me muzikën e këngën, ia dalin të mbërrijnë në intimitetin më të thellë të ndërgjegjes. Arti hyn pikërisht në intimitetin e vetëdijes”.

Koncerti mbjelltë kudo dhembshuri

         Në mbyllje të audiencës, fjalët e fundit të Papës Françesku për rreth 180 të pranishmit kishin të bënin me rrezatimin shpirtëror të koncertit të nesërm:

         “Qoftë rast për të mbjellë dhembshuri – eh… kjo fjalë kaq e harruar sot: …dhunë…luftë… - jo, jo: dhembshuri. Për të mbjellë dhembshurinë e paqes dhe mikpritjen, që rrezatohen nga shpella e Betlehemit”.

15/12/2017 14:26