Më 14 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin e Kryqit
Shën Gjoni i Kryqit duhet të ketë lindur rreth vitit 1540 në Fontiveros, pranë
Avilës, në Spanjë. Ishte ende i mitur, kur i vdiq i jati. S’ ëmës iu desh të lëvizte
nga një vend në tjetrin për të fituar bukën e gojës, duke marrë kudo me vete edhe
jetimin. Me gjithë kushtet tepër të vështira të jetesës. Gjoni filloi të ndjekë shkollën,
por u detyrua edhe të punonte, për të lehtësuar barrën e rëndë që peshonte mbi supe
të nënës. Si fitoi pjekurinë, vendosi t’ia kushtonte gjithë jetën Zotit. Për ta realizuar
këtë dëshirë, në sa ishte në Medinë, vendosi të vishte zhgunin e karmelitanëve. Ishte
viti 1567. Nisi kështu për të rruga e meshtarisë: më 1567, pasi kishte kryer studimet
e filozofisë dhe të teologjisë në Salamankë, universitet spanjoll me famë i kohës,
u shugurua meshtar.
Në të njëjtin vit u takua me Shën Terezën e Jezusit, e cila sapo kishte marrë nga
eprori i përgjithshëm lejën për themelimin e dy kuvendeve të karmelitanëve kundrues,
të cilët më pas u quajtën “të zbathur”, me qëllim që t’u ndihmonin rregulltareve në
shtëpitë që drejtonte. Më 28 nëntor 1568 Gjoni u bë anëtar i grupit të reformatorëve
të Durelos, duke e ndryshuar emrin nga Gjoni i Shën Matisë në Gjoni i Kryqit. Kreu
më pas detyra të shumta e të ndryshme: ndërmjet tjerash, qe rrëfyes e drejtues i kuvendit
të Zotit të Mishëruar në Avila. Gjatë punës për reformën, u dëbua nga kuvendi. Më
pas u ngarkua gabimisht me një faj që nuk e kishte bërë e kaloi tetë muaj në burg.
E pikërisht kur ishte i mbyllur në burg, shkroi pjesën më të madhe të poezive të tij
lirike, që u bënë shpejt pronë e thesarit të kulturës botërore, duke u radhitur ndërmjet
kryeveprave më të njohura të lirikës.
Iu desh, pra, të mbarte kryqin, që u bë pjesë e pandarë e emrit të tij. E ishin pikërisht
vuajtjet, që e ndihmuan të zbulonte misterin e Kryqit dhe të ecte në rrugën e kundrimit
më të lartë e të jetës mistike. Etapat e kësaj jete i përshkroi në veprat e teologjisë
shpirtërore, të cilën Kisha e konsideron si doktrinë të sigurtë për të gjithë besimtarët
e saj.
Ja disa nga titujt: “Ngjitja në malin e Karmelit”; “Nata e errët e shpirtit”; “Këngë
shpirtërore”, “Flakë e gjallë dashurie”. Ai e pa thelbin e Kishës në bashkimin e saj
jetik me Krishtin, i cili është përherë i pranishëm e veprues në Kishë Gjoni i Kryqit
vdiq në moshën 49 vjeçare ndërmjet 13 e 14 dhjetorit të vitit 1591 në Ubedë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |