Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Françesku takon në Vatikan anëtarët e Aleancës ungjillore botërore

Kishë ungjillore në Irak - AP

14/12/2017 15:31

U përqendrua kryesisht mbi temat ekumenike, takimi i sotëm në Vatikan, në formë private, ndërmjet Papës Françesku dhe anëtarëve të kryesisë së Aleancës ungjillore botërore.

Krijimi i Aleancës ungjillore

Historia e këtij organizmi lidhet me shekullin XIX. Ideja e një aleance ungjillore, për bashkimin dhe bashkëpunimin e të krishterëve ungjillorë të  vendeve të ndryshme, u përhap për herë të parë në Angli, në vitin 1848. Në Evropën e tronditur nga lëvizjet revolucionare, themeluesit e Aleancës nisën ta ndjejnë fort nevojën për formimin e një konfederate, mbi bazën e parimeve ungjillore të përbashkëta. Nisma u ndoq, më pas, nga një mori kombesh të tjera. Shumica e këtyre aleancave ungjillore kombëtare u bashkuan, më vonë, në Aleancën Ungjillore Botërore.

 Lutje e bamirësi

 Gjatë shekullit të parë të jetës së saj, Aleanca vuri në jetë një mori projektesh, ndërmjet të cilave, nismat për nxitjen e javëve të lutjes në mbarë botën. Në vitin 1958 lindi Aleanca ungjillore botërore, që përfshiu pothuajse të gjitha shoqatat misionare ungjillore. Në vitin 1973 u themelua agjencia humanitare Tearfund, e angazhuar në vepra bamirësie ndër vende të ndryshme. Në vitin 2014, falë kësaj Ojq-je me frymëzim të krishterë, u ndihmuan 700 mijë vetë të vendeve të Juglindjes aziatike - ndërmjet të cilave, Sri Lanka e Indonezia - të dëmtuara rëndë nga tërmeti e nga tcunami pasues.

Ungjillorët nëpër botë

Nuk kemi të dhëna të sakta për numrin e të krishterëve ungjillorë në botë. Sipas historianit Sébastien Fath, bashkëpunëtor shkencor në Centre National de la recherche sciéntifique (Cnrs) të Parisit, janë të paktën 620 milionë, të pranishëm sidomos në Azi (200 milion) e në Afrikë (170 milioni). Në Amerikën Latine mendohet të jenë rreth 120 milionë e, në Evropë, së paku 23 milionë.

Historia e Kishës Ungjillore ne Shqipëri

Krishterimi protestant ndër shqiptarët fillon me dy letra të skocezit Robert Pinkerton në lidhje me Shqipërinë, njëra në vitin 1816, tjetra në 1819-n. Pinkertoni punonte për Shoqërinë Biblike Britanike dhe të Huaj. Viti 1873 është një vit i rëndësishëm në historinë e krishtërimit protestant në Shqipëri. Në këtë vit, vijnë për herë të parë në Shqipëri tre misionarë amerikanë: Xh. Berd, Xh. Marsh dhe Xh. Hauz. Ata vendosen në Manastir dhe tre vjet më vonë, në vitin 1876, frytet e para të kishës së parë protestante ungjillore shqiptare vihen re mes shqiptarëve të Manastirit. Me ungjillorët nisi përkthimi i Biblës në gjuhën  shqipe, me një kulm, në përkthimin e Kostandin Kristofordhit. Më 1922 u themelua Misioni Ungjillor Shqiptar, që vijoi, me disa ndërprerje, deri në fillim të vendosjes së diktaturës komuniste, për një rifillim,  në vitet e para të demokratizimit të vendit e deri më sot. Numri i të krishterëve ungjillorë në Shqipëri nuk dihet  saktësisht.

Deklaratë e Sorin Mureşan, drejtor i shërbimeve shoqërore të Aleancës ungjillore

Sorin Mureşan, drejtor i shërbimeve shoqërore të Aleancës ungjillore, është njëri nga ata, që u takuan sot me Papën. Kjo, deklarata që bëri pak para audiencës:

"Po takohemi me Papën për një diskutim ekumenik lidhur me gjetjen e  udhës së përbashkët. Në tetorin e këtij viti u botuan dy dokumente të Aleancës Ungjillore Botërore mbi tema teologjike. Sot, me Papën, duam të bëjmë propozimin për krijimin e një komiteti të përhershëm dialogu ndërmjet Kishës katolike, që është Kisha më e madhe në botë dhe Aleancës Ungjillore Botërore. Mendojmë se Papa do të na e hapë rrugën. Është shumë e lehtë të flasësh me Të”.

14/12/2017 15:31