2017-12-14 09:00:00

Europeinfos i Comece-s: “Bashkimi Evropian, adoleshent në kërkim të identitetit”


“Bashkimi Evropian nuk është kryesisht një strukturë e stërmadhe institucionesh. Është menduar si bashkësi”, një “bashkësi kombesh, natyrisht, por kryesisht, bashkësi njerëzish të thirrur që të punojnë për të mirën e përbashkët”. Këtë thekson zv.kryetari i Komisionit të Episkopateve të Bashkësisë Evropiane (Comece), imzot Jean Kockerols, ipeshkëv ndihmës i Brukselit, në numrin e dhjetorit të revistës “Europeinfos”. Në të përmuajshmen e Komisionit, ipeshkvi shpreh keqardhjen e tij që “në shumë vende e, edhe në Kishën lokale, mungon sensi i historisë dhe i kujtesës” duke bërë të harrohen arsyet, që i nxitën vendet evropiane të bashkohen, më se 60 vjet më parë. Ishin arsye më se të pranueshme nga krishterimi, “fe e paqes dhe e pajtimit”, nënvizon më tej imzot Jean Kockerols.

Përmasa e shpresës, për shembull, tipike e krishterimit, ishte dhe është në qendër të nevojave të popujve evropianë, të cilët sot, e kanë humbur entuziazmin. Nëse Evropa është “gjyshe”, siç e quan Papa Françesku, në aspekte të tjera sillet si një “adoleshente, që sapo ka zbuluar lirinë”, por që duhet të mësojë akoma ç’është përgjegjësia e duhet të kapërcejë ankthin e frikën nga e sotmja e nga e ardhmja.

“Kërkimi i identitetit dhe i bashkësisë, së cilës duam t’i përkasim, është sfida-kyçe për një adoleshent, ashtu siç është edhe për evropianët e sotëm”, shkruan ipeshkvi ndihmës i Brukselit. “Jemi katalanë, spanjollë apo evropianë? – u referohet ai problemeve të fundit separatiste në Spanjë. – Kemi identitet të shumëfishtë”, pohon më pas, duke paralajmëruar se kjo mund të ketë pasoja, që mund të kuptohen në mënyra të ndryshme, por që mund të shihen edhe si perspektiva të reja. E këtu thërret në fushën e betejës Kishën Katolike, e cila mund t’i ndihmojë evropianët ta kuptojnë fatin e tyre të përbashkët, pa lënë mënjanë identitetin e secilit.








All the contents on this site are copyrighted ©.