2017-12-13 12:23:00

Më 10 dhjetor kalendari kishtar kujton Shën Qezarin, ipeshkëv i Durrësit


Më 10 dhjetor kalendari kishtar kujton Shën Qezarin, ipeshkëv i Durrësit. Po sot Kisha katolike përkujtoi edhe Shën Qezarin, ipeshkëv. Thuhet se ishte njëri nga 72 ndjekësit e parë të Krishtit, me pas, ipeshkëv i Durrësit, në Iliri, ku mendohet të ketë vdekur martir për fenë, ndoshta në amfiteatrin e famshëm të qytetit bregdetar, ku vala e persekutimit ndaj të krishterëve që shpërthente në Romë, arrinte më shpejt se në zonat e brendshme të vendit, aq më tepër sepse qyteti i Durrësit ishte një nga qendrat më të njohura që lidhte vendin me Perandorinë Romake.

Dihet se nga gërmimet arkeologjike të amfiteatrit kanë dalë në dritë shumë objekte që flasin për persekutimin e të krishterëve në shekujt e bashkësive të para. Mund të ketë një lidhje të ngushtë ndërmjet misionit ipeshkëvnore të shën Qezarit martir e predikimit të shën Palit Aposujt në këto troje, të cilat e dëgjuan për herë të parë kumtimin e Ungjillit të Krishtit pikërisht nga goja e Apostujve të Popujve.

Mendimin e mbështesim në letrën e Shën Palit drejtuar Romakëve, ku shkruhet: “ Kështu e përhapa Ungjillin e  Krishtit që nga Jerusalemi e deri në Ilirik”. Mbetët për t’u shfletuar shumë ndër dokumentet e lashta kishtare, që flasin për persekutimin e të krishterëve në kohën e Dioklecianit, për të hedhur dritë mbi këtë figurë të ipeshkvit të Durrësit, shën Qezarit, që përkon me agimin e krishterimit në Iliri vetëm pak kohë pas mundimeve, vdekjes mbi Kryq e Ngjalljes së Jezu Krishtit, duke vendosur kështu një gur themeli në historinë e krishterimit në trevat shqiptare.

Nëse e shfletojmë historinë e krishterimit, mësojmë se apostulli i fundit i Krishtit, Gjoni, vdiq në vitin 100. Prej këndej, nëse Qezari qe vërtetë ndërmjet 72-ve, duhet të ketë jetuar e të ketë vdekur para këtij viti.

Gjurmët e para të dokumentuara të ekzistencës së ipeshkvijve në trojet ilire i gjejmë në fillim të shekullit IX, në aktet e Koncilit Kishtar të Nikesë, në të cilin morën pjesë ipeshkvijtë e Ilirikut: Dominus nga Sirmium (Mitrovica e Sremit), Protageni i Sardikës, Dakus i Shkupit dhe Pistust i marcianopolisit.








All the contents on this site are copyrighted ©.