2017-12-13 16:22:00

Mediat e Vatikanit me portalin e ri informativ


Prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, u paraqiti këto ditë Papës dhe kardinajve të Këshillit të Nëntëshes (C9), “pjesën e fundit të udhës së reformës” për mediat e Vatikanit. Njoftimin e dha sot drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke, duke folur me gazetarët për punimet e Këshillit, i cili u mblodh nga e hëna e deri më sot.

Imzot Viganò, i cili mban “ad interim” edhe detyrën e drejtorit editorial të mediave të Vatikanit, u paraqiti kardinajve edhe organizimin e Dikasterit e sektorët e ndryshëm të tij. Tabela përfundimtare do të miratohet nga Sekretaria e Shtetit. Deri tani, janë ulur shpenzimet aty ku është e mundur. Më pas, u paraqit mënyra e re e prodhimit multimedial të lajmeve dhe portali apo faqja e re e internetit, fillimisht në gjashtë gjuhë kryesore, e cila do të fillojë funksionimin së shpejti, në versionin Beta. Pas disa muajsh prove, portali do të paraqitet zyrtarisht.

Gazetarët u njoftuan edhe me logot e reja, që kanë të bëjnë me tre sektorë: Vatican Neës, Vatican Media dhe Radio Vaticana Italia. Që nga 1 janari, në dikasterin e Sekretarisë për Komunikimin do të hyjë edhe grupi i Tipografisë së Vatikanit, ku bën pjesë gazeta “L’Osservatore Romano” dhe Shërbimi Fotografik i Vatikanit.

Mbledhjet e kardinajve gjatë këtyre ditëve iu kushtuan edhe reflektimit mbi Kurien si mjet ungjillëzimi dhe shërbim për Papën e për Kishat lokale. U shqyrtuan veçanërisht çështje, që kanë të bëjnë me katër Dikastere: atë të Klerit, atë të Ungjillëzimit të Popujve, atë të Edukimit Katolik dhe atë të Kulturës.

Një pjesë e madhe e punimeve iu kushtua relacioneve të paraqitura nga drejtuesit e disa dikasterve. Përveç imzot Viganò-së, prefekt i Sekretarisë për Komunikimin, kardinajtë dëgjuan edhe drejtuesit e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe të Seksionit për Emigrantët dhe Refugjatët, pjesë e Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

Prefekti i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, kardinali Kevin Farrell, përshkroi formimin e dikasterit të ri, themeluar më 1 shtator 2016, duke vënë në dukje vëmendjen e veçantë për të rinjtë. Më pas, dy zv.sekretarët e Seksionit për Emigrantët dhe Refugjatët, atë Michael Czerny dhe atë Fabio Baggio, shpjeguan procesin e organizimit të Seksionit, në krye të të cilit, tani për tani, është vetë Papa Françesku. Ai përbëhet nga 21 vetë, të punësuar e vullnetarë. Kanë për detyrë të ndihmojnë Kishat lokale në planifikimin dhe realizimin e një baritorie të përshtatshme për sfidat e botës bashkëkohore, që lidhen me emigrantët, refugjatët e viktimat e trafikut. Seksioni, që bën pjesë në Dikasterin për Zhvillimin njerëzor, ka ndër veprimtaritë e tij kryesore, mbledhjen dhe kodifikimin e informacionit mbi emigracionin, drejtpërdrejt nga baza; realizimin e fushatave të ndryshme në mediat shoqërore në favor të emigrantëve dhe të refugjatëve; hartimin e një dokumenti me 20 pika për Planin Global 2018 për emigrantët dhe refugjatët, si edhe përfshirjen në një strategji globale të protagonistëve kryesorë katolikë: Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, Konferencat Ipeshkvnore, Ojq-të katolike dhe Kongregatat Rregulltare.

Ndërkaq, kardinali Sean Patrick O’Malley njoftoi anëtarët e Këshillit të Nëntëshes mbi punimet e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, sidomos për ndihmën dhënë Kishave lokale. Papës i janë bërë propozime për anëtarët e rinj të Komisionit, i cili përfundon mandatin 3-vjeçar. Mbledhja e ardhshme e Këshillit të Kardinjave do të mbahet më 26, 27 e 28 shkurt 2018.








All the contents on this site are copyrighted ©.