2017-12-13 13:04:00

Papa në audiencën e përgjithshme: vetëm me hirin e Jezusit bëhemi dëshmitarët e Tij


Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në Sallën e Palit VI, Papa rifilloi katekizmin e tij, me temën e Meshës. E nisi takimin e së mërkurës me një pyetje: “Pse duhet të shkojmë në Meshë, ditën e diel?”.  Pyetja është edhe titulli i reflektimit të sotëm. Dishepujt e Jezusit - kujtoi Françesku - e njihnin që në zanafillë rëndësinë e kremtimit eukaristik të së dielës. E vijoi të shpjegojë:

“Ne, të krishterët, shkojmë në Meshë për të takuar Zotin e ngjallur, ose më mirë, për ta lënë të na takojë, për ta dëgjuar Fjalën e  Tij, për t’u ushqyer në sofrën e Tij e për t’u bërë kështu, Kishë”.

Për këto arsye, e diela për ne, është ditë shenjte, e shenjtëruar nga kremtimi eukaristik, prani e gjallë e Zotit ndër ne e për ne. Është Mesha, pra, ajo që e bën të dielën të krishterë! Mesha është zemra e së dielës. Ç’e diel është për një të krishterë ajo, në të cilën mungon takimi me Zotin?

Rëndësia e kremtimit eukaristik të së dielës

Nëse ka edhe bashkësi të krishtera, që nuk mund ta shijojnë gëzimin  e Meshës festive në disa nga shoqëritë e shekullarizuara - vijoi Françesku -  kjo do të thotë se e kanë humbur kuptimin e së dielës. “E ky është mëkat” - theksoi:

“Në këto rrethana është e nevojshme  ta rigjallërojmë këtë vetëdije për ta rifituar domethënien e festës, të gëzimit, të bashkësisë famullitare, të solidaritetit, të pushimit, që të preh korp e shpirt”.

Mesha na jep forcë e shpresë

Koncili II i Vatikanit e quajti të dielën “ditë gëzimi e pushimi nga puna”, koncept që nuk ekzistonte në shoqërinë e lashtë parakristiane. E Françesku nënvizon:

“Ishte kuptimi i krishterë i të jetuarit si bij, e jo si skllevër, i frymëzuar nga Eukaristia, që e bëri të dielën - pothuajse universalisht - ditë pushimi". Pa Krishtin, jemi të dënuar të pushtohemi nga kapitja e përditshme, me shqetësimet e saj, e nga frika e së nesërmes, me tmerret e saj. Takimi i së dielës me Zotin na jep forcë ta jetojmë të sotmen me besim e guxim e na ndihmon të ecim plot me shpresë".

Po a nuk mjafton ta duash të afërmin? Pse është e nevojshme Mesha?

Papa iu përgjigj, pastaj, një vërejtjeje mjaft të përhapur, asaj që e bën kush nuk dëshiron të shkojë në Meshë: “Nuk duhet gjë Mesha, as të diel. Rëndësi ka ta duash të afërmin”. Nëse është e vërtetë - pohoi -  se cilësia e jetës së krishterë matet me aftësinë për të dashur, si mund ta praktikojmë Ungjillin, pa thithur nga burimi i Eukaristisë energjinë e nevojshme për ta bërë këtë? E përfundon:

“Ne të krishterët kemi nevojë të marrim pjesë në Meshën e së dielës, sepse vetëm me hirin e Jezusit, me praninë e  Tij të gjallë në ne e ndërmjet nesh, mund ta vëmë në jetë urdhërimin e Tij e, kështu, të jemi dëshmitarët e Tij të besueshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.