Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Të Diel, në Engjëllin e Tënzot, Papa do të bekojë shtatoret e Krishtit Fëmijë

Bekimi i Shtatoreve të Krishtit Fëmijë - RV

12/12/2017 14:52

Do të jenë të paktën 2.500, fëmijët e oratoreve romake, që do të mblidhen  të dielën e ardhshme në Sheshin e Shën Pjetrit, rreth Papës Françesku. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë do t’u bekojë, sipas traditës, shtatoret e Krishtit Fëmijë. Do të jetë ditë lutjeje, feste e dëshmie, në prag të Krishtlindjes. Një ngjarje vërtet e madhe, që mbledh mijëra fëmijë, shoqëruar nga prindërit, animatorët e meshtarët, në atmosferën e përgatitjes për festë. Tema e zgjedhur për këto Këshndella, është “Ka vend edhe për ty”. Pikërisht këtë na kujton misteri i Krishtlindjes: t’u bëjmë vend edhe të tjerëve!

Nxitja e Papës

Vitin e kaluar, gjatë përshëndetjeve përfundimtare, Papa iu drejtua posaçërisht fëmijëve e të rinjve të Romës, që kishin mbushur Sheshin, për bekimin tradicional të shtatoreve të Krishtit Fëmijë, organizuar nga Oratoret famullitare dhe nga shkollat katolike romake. Në pritje të Mesnatës së Krishlindjes, kur e gjithë familja e bashkuar gjunjëzohet në lutje para Ferishtes Hyjnore:

“Të dashur fëmijë, kur të luteni para Shpellës së Betlehemit tuaj, me prindërit tuaj, kërkojini Krishtit Fëmijë t’ju ndihmojë të gjithëve ta doni Zotin e të afërmin” – i porositi Papa, duke u kujtuar që të luten edhe për Të. 

Për fëmijët, nuk ekzistojnë muret

Në një shoqëri shumetnike, si kjo romake, oratori është realitet, në të cilin ndryshimet sheshohen. Për fëmijët, nuk ekzistojnë mure as pengesa.

Programi

Fëmijët do të takohen të diel, duke nisur nga ora 8.30, për të marrë pjesë në Meshën, që do të kremtohet në Bazilikën e Vatikanit, kryesuar nga kardinali Angelo Komastri. Pastaj do të dalin në Sheshin e Shën Pjetrit, të shoqëruar nga imzot Gianrico Ruzza, ipeshkëv ndihmës i Sektorit të qendrës dhe Sekretar i përgjithshëm i Vikariatit të Romës, që do të jetë me ta në lutjen e Engjëllit dhe do t’u drejtojë përshëndetjen të pranishëmve. Takimi do të përfundojë me bekimin e Shtatoreve të Krishtit Fëmijë.

Përfundim, që shënon një fillim

Bekimi i Françeskut, në përfundim, është njëkohësiht edhe fillim i ngjarjes së pritur. Krishti Fëmijë, i bekuar nga Papa, në duart e fëmijëve, do të rikthehet në shtëpitë e tyre, ku tashmë Shpella e Betlehemit është gati për ardhjen e Zotit, me të gjitha shtatoret në vendet e veta, me kashtën e kafshët… Grazhdi pret pikërisht Krishtin Fëmijë, që do të duket aty në mesnatën misterioze të Solemnitetit, për t’u sjellë të gjithëve paqen e dëshiruar, paqen e premtuar.

12/12/2017 14:52