2017-12-12 14:55:00

Rrafshi i Ninives: shugurohet rishtas kisha katolike e dhunuar nga Is


“Mesazh shprese e fitoreje. Isis synonte ta zhdukte fare praninë e krishterë, por u zhduk vetë, ndërsa të krishterët u kthyen”. Me këto fjalë imzot Bashar Matti Warda kremtoi rishtas shugurimin e Kishës së Shën Gjergjit në Tellskuf, dëmtuar rëndë, dhunuar nga Isis e rindërtuar falë kontributit prej 100 mijë euro nga ana e Ndihmë për Kishën që Vuan.

“Rihapja e Kishës është nxitje e madhe për rikthimin e të krishterëve në këtë qytezë dhe në të gjithë rajonin - deklaroi prelati - duke falënderuar Fondacionin Ndihmë për Kishën që Vuan, në përfundim të funksionit, kremtuar më 8 dhjetorin e kaluar. “Kisha e Shën Gjergjit është më e bukur e më e lavdishme se më parë” - theksoi prelati, duke e shikuar me shpresë të ardhmen e besimtarëve, që po mblidhen rishtas rreth altarit të ri.

Rindërtimi i ndërtesës fetare  është pjesë përbërëse e planit, hartuar nga  Ndihmë për Kishën që Vuan, për të rindërtuar fshatrat e krishtera në Rrafshin e Ninives, falë të cilit 33% e popullsisë së krishterë, më se 6.330 familje, mundën të rikthehen në vatrat e tyre. Në Tellskuf, fshat irakian, vetëm 32 kilometra larg Mosulit, është kthyer tashmë 67% e 1500 familjeve, që banonin këtu deri në gusht të vitit 2014; e kjo është përqindja më e lartë e kthimit në të gjithë Rrafshin e Ninives. Arritje e hareshme, e pamendueshme një vit më parë, kur fshati ishte i shkretë, gjysëm e rrënuar e krejtësisht i braktisur, ndërsa Kisha e shën Gjergjit i kishte ende të dukshme shenjat e përdhunimit. E çka të trondiste më shumë në atë pamje shkatërrimi, dhunimi e braktisjeje, ishte shtatorja e Zojës me kokë të prerë.

“Tani, kur më se dy të tretat e banorëve jetojnë rishtas në Tellskuf - u shpjegon imzot Warda miqve të ACS-së (Ndihmë për Kishën që Vuan) të cilët vijojnë t’i ndihmojnë të krishterët e Irakut - ishte e nevojshme të jepej një sinjal pozitiv. Restaurimi i Shën Gjergjit u kujton të gjithëve se Kisha  u riduk si rreze shprese për këtë vend. Rihapja e saj është simbol shprehës,  që e na e forcon vendosmërinë për t’i rindërtuar fshatrat tona. Falë jush, mund ta lavdërojmë Zotin,  që e mbrojti praninë e krishterë në këto troje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.