2017-12-12 18:53:00

Papa, Amerika Latine: në çdo të përjashtuar, fytyra e Krishtit


“Situata në Amerikën Latine kërkon angazhim më të madh, me qëllim që të përmirësohen kushtet e jetesës së të gjithëve, pa përjashtuar asnjeri, duke luftuar kundër padrejtësive e korrupsionit, për të arritur rezultate sa më të mira, si fryt i përpjekjeve të bëra”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve të Konferencës, që vijon në Romë, organizuar nga Fondacioni Populorum Progressio per Amerikën Latine, me rastin e 25-vjetorit të themelimit. “Me gjithë mundësitë e vendeve latinoamerikane - shton Ati i Shenjtë - kriza aktuale ekonomiko-shoqërore, rënduar edhe më shumë nga borxhi i jashtëm, që paralizon zhvillimin, e  dëmtoi rëndë popullsinë, duke thelluar më tej varfërinë, papunësinë e pabarazinë shoqërore e, njëkohësisht kontribuoi për shfrytëzimin dhe shpërdorimin e shtëpisë sonë të përbashkët, në një nivel, që  nuk e kemi përfytyruar kurrë më parë”.

Më se 4400 projekte në Amerikën Latine

Në mesazh kujtohet edhe se në Amerikën Latine e në Karaibe janë relizuar 4400 projekte, për të përmirësuar kushtet e jetesës së popujve vendas, metisë e afroamerikanë “falë mbështetjes së Fondacionit Populorum Progressio". Papa, duke kujtuar se modeli ekonomik aktual vë në qendër vetëm zotin para, uron të bëhet një përpjekje e përbashkët, që ta shndërrojë hedhurinën, në burim të mirëfilltë, "jo vetëm në dobi të vendit, por edhe të mbarë njerëzimit”. Nxit, prej këndej, të krijohet një botë gjithnjë më e drejtë e më njerëzore, që ta shikojë fytyrën e Krishtit  në çdo vëlla a motër të popujve më të shtypur e të nëpërkëmbur të Amerikës Latine.

Në vitin 2019, Sinodi kushtuar Amazonës

Kuvëndimi u hap nga kardinali Peter Turkson, prefekt i Dikasterit e kryetar i Fondacionit. Hirësia e Tij nënvizoi se sinodi i ipeshkvijve për zonën Panamazonike, në program në Romë, në tetor 2019, “është sfidë shumë e rëndësishme”. Kardinali Lorenzo Baldisseri, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve, u ndalua tek Asambleja sinodale e 2019-tës. Qëllimi kryesor i këtij sinodi - tha kardinali, duke kujtuar fjalët e Papës  Françesku - është të gjenden rrugë të reja për ta ungjillëzuar këtë pjesë të popullit të Zotit, posaçërisht indianët, shpesh të harruar e pa perspektiva për një të ardhme të qetë, edhe për shkak të krizës së pyjeve amazonike, mushkëri me rëndësi të dorës së parë për frymëmarrjen e  Planetit tonë. Një çast domethënës - kujtoi kardinali Baldisseri - do të jetë takimi i Papës Françesku, në Puerto Maldonado, më 19 janarin e ardhshëm, me popujt e Amazonës, gjatë shtegtimit të tij në Perù. Në Puerto Maldonado të Amazonës, Françesku do të shkelë për herë të parë si papë. Ky takim do të pasohet nga një mbledhje. Po përpilojmë agjendën, në këto çaste. Hodha sot idenë e një para-Sinodi. Është e qartë se populli, njerëzit që jetojnë në Amazonë, duhen dëgjuar, për të arritur, më pas, në kremtimin e Sinodit me elemente të mjaftueshme e për t’i dhënë botës një dokument, që mund të jetë programatik. Duhet ta përqendrojmë vëmendjen mbi Amazonën e edhe mbi zona e rajone të tjera. Kisha i ka mjetet për ta bërë këtë, e besoj se është detyrë, mision. Detyrë edhe qytetare e shoqërore.

Fondacioni Populorum Progressio: 25 vjet projekte

Besuar Këshillit Papnor Cor Unum që nga lindja, me dëshirën e Gjon Palit II, Fondacioni sot është pjesë përbërëse e misionit baritor të Dikasterit të ri për Shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor. Imzot Segundo Tejado Munoz, zëvendës-sekretar i këtij Dikasteri, nënvizon se Fondacioni Populorum Progressio kryen një mori veprimtarish:

“Ne jemi përpjekur, në këto 25 vjet, të bëjmë punë të heshtura, që respektojnë larmitë dhe veçantitë e këtyre popujve. E, sidomos, punë të bëra në vend, duke i respektuar shumë këta njerëz, dinamikat e tyre, zhvillimin dhe shpresat e tyre për të ardhmen. Ky është qëllimi i vetë Fondacionit. Të promovojë projekte të vogla ekonomike dhe formuese. Prej këndej, është e vështirë të flasësh vetëm për një tip projekti. Ne pranojmë projekte, që propozohen nga Kishat vendase: nga misionarët, veprimtarët baritorë e nga vetë bashkësitë, të cilat mbështeten tek meshtari, për të zhvilluar veprimtaritë e tyre. Gjithçka kalon nëpër duart e ipeshkvit, e kjo është garanci e madhe. Garanci, që na siguron se puna do të bëhet mirë, ashtu siç është projektuar. Më shumë se të tjerat, kërkojnë bashkësitë e krishtera dhe indiane. E ne - brenda mundësive - përpiqemi t’u japim  gjithnjë dorën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.