2017-12-12 15:12:00

Kard. Bassetti: për Papën Françesku, i sëmuri nuk duhet braktisur kurrë


Spitalet katolike të mos bien në rrezikun e mendësisë së ndërmarrjes. Kjo është thirrja e Papës Françesku në Mesazhin për Ditën Botërore të të Sëmurit, për të cilën iu njoftuam dje. Ati i Shenjtë tërheq edhe një herë vëmendjen mbi rëndësinë e njeriut, pavarësisht nga interesat ekonomike rreth tij, sidomos kur është i sëmurë. Në të njëjtën vijë, edhe mesazhi papnor  drejtuar, kohët e fundit, Akademisë për Jetën. Në mikrofonin tonë, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Gualtiero Bassetti:

         Pak ditë më parë, po Ati i Shenjtë iu drejtua Akademisë për Jetën, duke nënvizuar se “shoqërimi i përgjegjshëm i jetës njerëzore, nga zënia deri në fundin e natyrshëm është punë shqyrtimi dhe dashurie për burra e gra të lira e të apasionuara dhe për barinj jo mercenarë”. Rreziku për t’u kthyer në ndërmarrje kapërcehet kur di ta mbash para syve e para zemrës fytyrën e njeriut të vuajtur. Nuk është e rastit që Papa iu referua shprehimisht shëmbëlltyrës ungjillore të Samaritanit të Mirë, duke kujtuar se Kisha e ka për detyrë të mos e braktisë kurrë të sëmurin. Samaritani sheh dhe preket thellë, duke përdorur gjithçka ka për ta ndihmuar njeriun e plagosur. Diçka tejet e ndryshme nga sjellja e meshtarit dhe e levitit, që kthejnë kokën nga ana tjetër.

         Në mesazhin e tij, Papa u thoshte anëtarëve të Akademisë për Jetën se duhet hequr dorë nga ajo lloj terapie, që s’bën tjetër, veçse ia zgjat agoninë të sëmurit, pa ndonjë përmirësim në jetën e tij. Dikush e quajti këtë si kthesë të Françeskut përsa i përket konceptit të Kishës për fundin e jetës. Ju si e interpretoni këtë dokument?

         Fjalët e Papës Françesku ecin në të njëjtën udhë me shqetësimin e Kishës për fatin e njeriut, shqetësim, që karakterizohet gjithnjë nga kontributi i saj për t’i bërë sa më njerëzore kushtet e të gjallit, që po vdes. Nuk është gjithnjë e lehtë të përcaktohet një kufi i qartë ndërmjet kurimit përtej kufijve dhe eutanazisë. Prandaj, është e nevojshme të vendoset kujt i takon të marrë vendime në ato çaste dramatike, duke bashkuar vullnetin e pacientit me respektin për ndërgjegjen dhe aftësitë e mjekut. Thelbi i kësaj shoshitjeje ka të bëjë me marrëdhëniet e veçanta ndërmjet të sëmurit dhe mjekut, por edhe me volumin e drejtë e të majftueshëm të kurimit, që nuk duhet të ushqejë kurrë kulturën e hedhurinave, denoncuar shpesh nga Papa Françesku.

         Sipas jush, cilat janë pikat më të rëndësishme, kur flitet për tema kaq delikate si eutanazia, fundi i jetës dhe testamenti biologjik?

         Çasti kur njeriu lëkundet ndërmjet jetës dhe vdekjes, është edhe vendi ku ai bie në kontakt me kufizimet e ekzistencës së vet: provon brishtësinë dhe nevojën për t’u lëshuar në dorën e dikujt, përfshi atë Dikë, që është vetë Zoti. Kjo gjendje kërkon kujdes dhe dashuri më të madhe; thekson rëndësinë e kurave paliative, me të cilat përmirësohet cilësia e jetës së pacientëve të pashërueshëm, duke e bërë “më të durueshme vuajtjen në fazën përfundimtare të jetës” e duke i siguruar “pacientit, shoqërimin e përshtatshëm njerëzor” (Evangelium vitae 65). Njëkohësisht, kjo situatë të çon në refuzimin e terapive të tepruara në krahasim me kushtet e pacientit dhe me perspektivën e përmirësimit të tij. Natyrisht, nuk është fjala për gjeste themelore si ushqimi, hidratimi, kujdesi për higjienën personale. Ne si Kishë kërkojmë t’u njihet mjekëve katolikë dhe strukturave shëndetësore katolike e drejta për të vendosur sipas ndërgjegjes. 








All the contents on this site are copyrighted ©.