2017-12-11 14:14:00

Papa në Shën Martë: lërëni Zotin t’ju ngushëllojë e mos u merrni me ankime


Lërëni Zotin t’ju ngushëllojë e mos u merrni me ankime e mllefe. Kjo, zemra e ftesës së Papës Françesku sot paradite, gjatë Meshës në Shtëpinë e Shën Martës. Papa reflektoi mbi Leximin e Parë, shkëputur nga Libri i Izaisë Profet (Is 35,1-10), në të cilën Zoti i premton popullit të vet  ngushëllim. “Zoti erdhi për të ngushëlluar” - pohoi Papa. Edhe Shën Injaci na thotë se është gjë e mirë ta kundrosh oficen e ngushëlluesit të Krishtit, duke e krahasuar me mënyrën sesi e ngushëllojnë miqtë njëri tjetrin. E pastaj, mjafton të përfytyrosh agimin e Ngjalljes, sipas Ungjillit të Shën Lukës, kur Jezusi iu duk apostujve e gëzimi i tyre ishte aq i madh, sa s’u  besonin syve. “Sepse shpesh herë ngushëllimi i Zotit na duket mrekulli” - pohoi Françesku.

“Por nuk është aq e lehtë të ngushëllohesh: është më lehtë t’i ngushëllosh të tjerët, sesa veten. Sepse shpesh herë jemi të lidhur fort me të keqen, me plagën e mëkatit brenda nesh, e shpesh edhe na pëlqen të rrimë aty, vetëm, mbi shtrat, si burri i Ungjillit, i izoluar, pa dëshirë për t’u ngritur. Po Krishti na thotë gjithnjë: “Ngrehu!”.

Problemi është se në gjërat negative jemi zotërinj - shpjegoi Papa - sepse kemi në shpirt plagën e mëkatit, ndërsa në ato pozitive, jemi lypës. Lypim gjithçka, përveç ngushëllimit.

Për ta shpjeguar më mirë këtë, Françesku solli dy shembuj. Së pari mendimi i Papës shkoi tek gjytrymi i pishinës së Siloe: 38 vjet ankime, sepse askush nuk e ndihmonte të zhytej në ujërat, kur lëviznin. Për zemra të tilla, gjithnjë të hidhëruara, e hidhura është shumë më e këndshme se e ëmbla. Shumëkujt - vijoi Françesku - i pëlqen “rrënja e hidhur”, që na çon me kujtesë tek mëkati i rrjedhshëm. E pikërisht kjo është mënyra për të mos e lënë Zotin të na ngushëllojë.

Pastaj kjo prirje të shtyn përherë të ankohesh: kështu bëjnë njerëzit, që ankohen gjithnjë para Zotit, në vend që ta lavdërojnë: ankime, avaz që i shoqëron në çdo hap të jetës. Këtë theksoi Papa e pastaj mendimi i shkoi tek Shën Tereza, që pohonte: “Mjerë motra, që thotë: ‘Më bënë një padrejtësi, e kjo është e paarsyeshme’”. E pastaj kujtoi edhe Jonën Profet. “Çmim Nobel për ankime” e quajti Papa Françesku. Iku nga Zoti, ngaqë ankohej se ishte sjellë me të padrejtësisht, pastaj shkoi e u mbyt në det e përfundoi në bark të peshkut, për t’u rithyer përsëri në mision. E në vend që të gëzohej për kthimin e njerëzve në rrugë të Zotit, ankohej pse Zoti e shpëtonte gjithnjë. “Edhe në ankimet e njerëzve vërehen kontradikta - nënvizoi - duke treguar se pati njohur një meshtar të mirë, por që ankohej, gjithnjë, për gjithçka, “ishte i zoti të gjente qimen në vezë”.

E pra ishte meshtar i mirë. Ata që rrëfeheshin me të, thoshin se qe shumë i mëshirshëm. Ishte plak e shokët e tij meshtarë, duke menduar se së shpejti do të vdiste, e përfytyronin ngjitjen e tij në qiell. “Gjëja e parë që do të thotë, kur të arrijë atje lart - thoshin - në vend që të përshëndesë, do të jetë: “Ku është ferri?”. Sepse e kishte gjithnjë mendjen në të keq. E Shën Pjetri do ta bëjë të shohë ferrin. E si ta shohë, do të thotë. “Sa të dënuar ka brenda?”...Gjithnjë...kështu. Gjëra të hidhura, ankime... të cilave Kisha u përgjigjet me thirrjen “Guxim, guxim!”.

E edhe Izaia na fton për guxim, sepse Zoti vjen të na shpëtojë - kujtoi Ati i Shenjtë. Më pas Papa u rikthye tek Ungjilli i sotëm (Lk 5,17-26) që flet për disa njerëz, që ngjiten mbi çati, sepse i pengonte një turmë e madhe - dhe e ulin gjytrymin para Jezusit. Nuk mendojnë për skribët e as për të tjerët. Dëshirojnë vetëm shërimin e këtij njeriu.

Mesazhi i liturgjisë së sotme - përfundoi Papa - është: “Lërëni Zotin t’ju ngushëllojë!”.

E nuk është e lehtë, sepse Zoti na ngushëllon kur zhvishemi nga egoizmi ynë, nga ankimet tona. I bën mirë sot secilit nga ne ta rrëmojë ndërgjegjen, ta pyesë veten: “Si është zemra ime? A kam ndjesi të hidhura aty brenda? Kam trishtim? E gjuha ime, si është? Lavdëron Zotin e bukurinë, apo s’ka tjetër, veçse ankime?”. Ta mendojmë këtë e t’i kërkojmë Zotit hirin e guximit, sepse në guxim vjen Ai e na ngushëllon. E t’i kërkojmë Zotit edhe: “O Zot, eja e na ngushëllo!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.