2017-12-11 15:01:00

Mesazh i Papës për Ditën botërore të të sëmurit


 

Papa për Ditën Botërore të të sëmurit, zgjodhi fjalët e Jezusit, lartuar mbi kryq që, duke iu drejtuar Nënës Mari e Gjonit, thotë: “Ja yt bir... Ja  nëna jote!”. E që atë ças, dishepulli e mori me vete. 

Në mesazhin e rastit, fton të ruhen spitalet katolike nga rreziku i kthimit në ndërmarrje, që në të gjithë botën synon ta përfshijë kujdesin për shëndetin në fushën e tregut, duke përfunduar tek përjashtimi i të varfërve. Këtë thekson Papa në mesazhin për Ditën XXVI botërore të të sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurt, teksti i të cilit u botua sot nga Salla vatikanase e shtypit. Inteligjenca organizative dhe dashuria e krishterë - shton Papa - kërkojnë  të respektohet, në radhë të parë, dinjiteti i të sëmurit e ky dinjitet të jetë vazhdimisht në qendër të të gjithë procesit të mjekimit. Këto orientime duhet t’i bëjnë të vetat edhe të krishterët, që punojnë në strukturat publike e që, me shërbimin e tyre, janë të thirrur ta dëshmojnë Ungjillin.

Ndërmjet temave të prekura nga Françesku, është edhe ajo e Kishës, parë si spital fushor dhe ajo e dhembshurisë së familjeve për të sëmurët e tyre, sipas modelit të dhembshurisë së Jezusit e Marisë e si model për Kishën katolike.

Kisha - vijon të kujtojë Papa në mesazh - mori nga Jezusi dhuratën e shërimit. Me këtë dhuratë përkon detyra e Kishës, e cila e di se duhet t’i shikojë të sëmurët me sytë plot dhembshuri të Zotit të vet. Prandaj baritoria e shëndetit mbetet e do të mbetet detyrë e nevojshme e themelore, që duhet jetuar me zell të madh, duke u nisur nga bashkësitë famullitare e deri tek qendrat më të njohura të mjekimit.

Papa vijon të kujtojë dhembshurinë dhe kujdesin, me të cilin shumë familje i ndjekin bijtë, prindërit, familjarët, të sëmurët kronikë, ose të gjymtuar rëndë. Kujdesi që tregojnë familjet - nënvizon Papa - është dëshmi e jashtëzakonshme e dashurisë për njeriun e duhet mbështetur me politika të përshtatshme. Mjekët, infermierët, meshtarët, rregulltarët, vullnetarët, familjarët e të gjithë ata, të cilët angazhohen në kujdesin për të sëmurët, marrin pjesë në këtë mision kishtar. Eshtë përgjegjësi e përbashkët, që pasuron vlerën e shërbimit të përditshëm të secilit.

Marisë, Nënës së dhembshurisë, duam t’ia besojmë të gjithë të sëmurët në korp e në shpirt - shkruan në përfundim të mesazhit Papa - që t’i mbushë përplot me shpresë. Asaj i lutemi të na ndihmojë për t’u kujdesur plot dashuri për vëllezërit e sëmurë. Kisha e di se ka nevojë për një hir të posaçëm, që të jetë në lartësinë e shërbimit të saj ungjillor  për të sëmurët.  








All the contents on this site are copyrighted ©.